Kimia, Fizika dhe Italishtja, nuk do të hapen këtë vit në Universitetin e Vlorës. Asnjë student nuk është regjistruar në këto degë të mësuesisë, ndërsa në rrezik është edhe matematika ku deri më sot janë regjistruar 4 studentë.
Ndërsa nga të dhënat paraprake të fazës së parë të regjistrimeve mësohet se fakulteti më i kërkuar është ai i Shëndetit Publik. Dega infermieri me 236 studentë të regjistruar dhe dega Mami me 66 studentë të regjistruar në fazën e parë.
Në fakultetin e Ekonomikut janë regjistruar 98 studentë dhe tek Shkencat Teknike 175 studentë të regjistruar në fazën e parë. Vlen për t’u theksuar se aktualisht vazhdon faza e dytë e regjistrimeve në Universitetin “Ismail Qemali”.
Si ka ndryshuar kërkesa, maturantët në universitete, kërkojnë degët më të paguara
80% e maturantëve që kanë aplikuar për të ndjekur studimet e larta në Shqipëri , tashmë janë studentët më të rinj të Universiteteve publike dhe private. Pas mbylljes së raundit të parë të pranimeve, rezulton se pjesa më e madhe e të rinjve nuk kanë asnjë mëdyshje për degën e zgjedhur. Në fazën aktuale të çregjistrimeve janë shumë të ulëta kërkesat e të rinjve për të ndryshuar programin e studimit. Ndërkaq degët më të kërkuara kanë mbyllur shumë më herët pranimet për shkak të kërkesave të larta nga maturantët.
Kryesojnë shkencat mjekësore për numrin më të lartë të aplikimeve dhe kuotave të realizuara, ndjekur nga degët e informatikës dhe inxhinieritë. Referuar të dhënave nga Rrjeti akademik, Universiteti i Tiranës mban vendin e parë për numrin më të lartë të studentëve të pranuar, por edhe programeve të studimit.
Mjekësia edhe pse renditet e dyta, degët e saj janë thuajse të plotësuara. Ndërsa vendin e tretë tashmë e mban Universiteti Politeknik me programet e inxhinierive dhe informatikës. Ndërkohë degët e mësuesisë, të shpallura prioritet kombëtar vijojnë të kenë pranime të ulëta 8% në rang vendi.
Nga universitetet e rretheve kryeson Durrësi më i kërkuari nga të rinjtë dhe kryesisht degët e ekonomisë, turizmit edhe psikologjisë. Ndërsa universiteti “Eqerem Çabej” në Gjirokastër renditet i fundit si institucioni më pak i kërkuar. Pas 14 ditësh regjistrime për degën e anglishtes në Gjirokastër është regjistruar vetëm 1 student, ndërsa në Histori-Gjeografi dy studentë.
Një situatë e ngjashme është edhe në Elbasan me vetëm 1 student të regjistruar në degën e Bio-Kimisë dhe po 1 në degën Operator Turistik. Këto programe presin raundet e tjera apo shtesat për të rritur të shtura numrin e studentëve dhe për të shpëtuar nga mbyllja degët që me sa duket nuk kanë më interes për të rinjtë.