Artan Fuga: Pse nuk kemi bërë dot shtet?

574
Partitë e republikës së vjetër? Mbahen duke krijuar elektorat me vendet e punës në administratën e shtetit dhe të bashkive. Shteti është bërë mjeti përçarës dhe bllokues i dinamikave ekonomike dhe sociale shqiptare! I uzurpimit të pushtetit nga të njëjtët! I bllokimit të mendjes shqiptare për të prodhuar alternativa zhvillimi para elektoratit! Partia në shtet u thotë nëpunësve dhe të gjithëve atyre që hanë bukë nga thërrimet e shtetit, sipërmarrës, poshtëmarrës, furnizues, tenderues, na votoni ne se përndryshe ata do ju presin koromanen! Opozita deri tani u ka thënë: Votoni për ne se, sapo të kemi pushtetin, do i heqim ata nga puna dhe do ju vëmë juve! Kjo është ndarja thelbësore e elektoratit sot në Shqipëri: kush është në punë të shtetit dhe kush do të kapë punën në shtet dhe tenderët! Përçarja më e madhe e shqiptarêve që i ndërsen kundër njeri tjetrit. Shqiptarët luftojnë për t’i marrë rrogën njeri tjetrit sa herë afrohen zgjedhjet! Na kanë kthyer në plaçkitës të njeri tjetrit! Ca duan ta ruajnë koromanen, ca duan t’ua marrin atyre që e kanë nga dora! Politika luan dhe ushqehet me frikën për bukën e gojës të nëpunësit ose me dëshirën e të papunit për t’ia marrë bukën e gojës tjetrit! Politika dhe partia mbi administratën, si qëmoti, njësoj! Luftohet për çdo pastruese zyrash, për çdo tender, për çdo shofer administrate, për çdo llogaritar, arkëtar, taksidar, polic! Hiqni burokracinë shtetërore nga thonjtë e partive politike do të shihni si do të ngelin pa asnjë njeri në mitingje! Do të detyrohen të bëjnë programe elektorale alternative! Tani tundin thelën e punësimit në administratë mijëra individëve që i brohorasin, i shajnë, i mbështesin! Hipokrizia e madhe e gjoja pluralizmit të republikës të dështuar! Bashkë me ta edhe një tufë sipërmarrësish të privilegjuar që janë mekanizma larjeje parash të politikës dhe partive. Ja përse nuk ka ideologji dhe ndarje ideologjike! Ja përse nuk ka pluralizëm tê vërtetë! Ja përse asnjë parti nuk heq dorë nga shndërrimi i punonjësit të administratës publike në militant dhe nuk pranon t’ia heqë vetes të drejtën për ta bërë militantin nëpunës! Ja përse të rinjtë në vend të motivohen për dije, motivohen për të qenë anëtarë të forumeve rinore! Ja përse nuk kemi shtet, sepse nuk kemi burokraci shtetërore! Ja pse gjithçka shthuret në korrupsion, sepse nëpunësit mendojnë për sot dhe jo për nesër! Ja përse nuk kemi politika afatgjata dhe Shqipëria është rrënuar nga asfaltime që nuk jetojnë më shumë se dy vjet! Ja përse abuzohet me fondet e bashkive me punime të vockla dhe jo me punime urbane afatgjatë! Ja përse teknikët janë hedhur tej nga administrata mbushur me mbledhës votash! Ja përse ministritë ndahen si llokma për partitë politike në koalicion! Ky është shtetformimi!!! O pika neve thuaj!!!
Sigal