Arsimi parauniversitar, punësohen 1500 praktikantë

Qeveria vendos lidhjen e kontratave të përkohshme për vitin 2018 dhe pagesën e sigurimeve shëndetësore e shoqërore
Qeveria miratoi numrin e praktikantëve me kontratë të përkohshme në sistemin arsimor parauniversitar. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e numrit të praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për periudhën 1 janar – 15 qershor 2018 dhe 15 shtator – 31 dhjetor 2018, i cili të jetë 1.500 praktikantë. Sipas vendimit, praktikantët gjatë periudhës së kryerjes së praktikës profesionale përfitojnë çdo muaj nga punëdhënësi (njësitë arsimore vendore) pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në emër të punëdhënësit dhe të punëmarrësit, në masën 27.9%. Njësitë arsimore vendore (drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore), gjatë periudhës për kryerjen e praktikës profesionale, realizojnë çdo muaj pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në emër të punëdhënësit në masën 16.7% si dhe në emër të punëmarrësit në masën 11.2%, të përllogaritur. Masa mujore e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përllogaritet mbi pagën minimale mujore 24 mijë lekë. Ndërkohë, ndryshimet në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi reflektohen menjëherë në masën e pagesës që punëdhënësi paguan çdo muaj për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Efektet financiare për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2018, të përllogaritur në emër të punëdhënësit dhe të punëmarrësit, në shumën 90 milionë lekë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të mbulohen nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2018, për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Pak ditë më parë, Ministria e Arsimit sqaroi edhe mënyrën e pagesës së mësuesve që kanë përfunduar studimet në institutet pedagogjike. “Nisur nga reagimet dhe spekulimet e ditëve të fundit nga disa media dhe përfaqësues të sindikatave për mësuesit që janë në sistemin arsimor parauniversitar, MASR bën me dije se nuk do të ketë asnjë ulje të pagës për mësuesit që bëjnë pjesë në këtë kategori dhe që janë aktualisht në sistem. Kjo kategori mësuesish mbrohet nga një VKM e Prillit 2017 e cila qartëson se mësuesve që zotërojnë diplomë universitare ‘Bachelor’ ose të barasvlershme me të, do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtën masë të pagës së grupit. MASR siguron mësuesit se do të jetë krah tyre për të gjitha shqetësimet që ata kanë, por kërkon prej tyre që mos të manipulohen dhe keqpërdoren nga askush për fakte që janë të pa kundërshtuara”, deklaroi Ministria.
Sigal