Arrestimi i Dakos/ BIRN: KLSH kallëzoi tenderin! Ish-kryebashkiaku i akuzuar vazhdimisht për manipulim votash

92
Sigal

BIRN

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako u dorëzua në drejtorinë e Policisë së Tiranës pasditen e së martës, pasi Gjykata e Posaçme firmosi një urdhër-arrest ndaj tij të lëshuar nga SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Bashkë me Dakon u arrestuan edhe pesë zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Durrësit si dhe një ndërtues, ndërsa tre nëpunëse gra u lanë me masën e arrestit shtëpiak.

Urdhër-arresti për Dakon u lëshua pas hetimeve të kryera për dy çështje të ndara; zbardhjen e lejes së ndërtimit të një pallati në Durrës thuajse dy vjet pasi ishte ndërtuar si dhe tenderin e ndërtimit të një shëtitoreje në zonën bregdetare.

Një burim në dijeni të hetimit i tha BIRN se kallëzimi për tenderin e shëtitores ishte bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe dëmi llogaritej në 18 milionë lekë.

Vangjush Dako është kryebashkiaku jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019.

Vangjush Dako u zgjodh për herë të parë kryetar bashkie në Durrës në zgjedhjet e vitit 2007 me një diferencë prej rreth 350 votash. Në dy zgjedhjet pasuese Dako e zgjeroi këtë diferencë dhe në zgjedhjet e vitit 2015 siguroi 13700 vota më shumë se sa kandidatja e opozitës. Si drejtues politik i qarkut të Durrësit për socialistët, Dako qe faktor kyç edhe në fitimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 nga mazhoranca e kryeministrit Edi Rama.

Por këto rezultate zgjedhore të ish-kryebashkiakut të Durrësit u shoqëruan me akuza nga opozita, që akuzoi Dakon për përfshirje në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në qark. Akuzat për Dakon u bënë më konkrete, kur ai rezultoi i përgjuar në një sërë bisedash me vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli si pjesë e hetimit të njohur si “Dosja 339”, ata akuzohen dhe u gjetën fajtorë në Gjykatën e Posaçme për një sërë akuzash përfshi trafik narkotikësh.

Dokumente hetimore dhe përgjime të siguruara nga BIRN dhe të publikuara në Janar 2019 ngritën dyshime se anëtarët e grupit Avdyli u përfshinë në blerje votash në ndihmë të Dakos gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017.  Dako i ka mohuar akuzat. Madje në një intervistë televizive në emisionin ‘Opinion” ai pretendoi se ishte i pastër. “I shikon këto duar ti, janë akullore këto”, tha Dako duke iu drejtuar një prej bashkëbiseduesve gjatë një bisede në tetor 2018.

Prokuroria pati njoftuar hetime ndaj Dakos për tjetërsimin e votave në vitin 2017, por rezultati i hetimeve nuk u mor vesh asnjëherë. Më herët në vitin 2016 Dako u përfshi në lirimin kontravers të Lulzim Berishës, i njohur si kreu i bandës së Durrësit, i shpallur në kërkim nga SPAK për disa akuza.

Në korrik 2019 Dako u vendos në listën e personave “non-grata” nga Departamenti i Shtetit. Sipas njoftimit të shpërndarë atëherë, Sekretari i Shtetit e vendos këtë sanksion: “Kur ka informacion të besueshëm që zyrtarë të huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose në kanë dhunuar të drejtat e njeriut”. Dako e cilësoi ndëshkimin si të papritur.

Në dukje ai është tërhequr nga politika aktive, por opozita ka pretenduar se ai ka qenë i përfshirë dhe vijon të ishte drejtues i fshatave të socialistëve në qytetin e Durrësit përfshi edhe në atë të 14 majit. Kryeministri Edi Rama, i pyetur për qëndrimin ndaj Dakos pas shpalljes së tij “non grata”, i premtoi publikisht miqësi të përhershme. “Edhe në burg të shkojë nesër, do të jetë miku im”, tha Rama.