Ardit Gjebrea i bashkohet kryebashkiakut Veliaj, mbjellin pemë në Parkun e Farkës

627
Veliaj: “Parku i Farkës, një nga projektet më ambicioze të Tiranës”; Gjebrea: “Mos thuaj pse mbjell pemë, por merr lopatën dhe bëje”
Autoriteti Mediave Audiovizive dhe kantautori e prezantuesi i dashur për publikun, Ardit Gjebrea, iu bashkuan aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e 100 pemëve të reja pranë liqenit të Farkës, si pjesë e projektit të Pyllit Orbital.
Parku i Liqenit të Farkës po shndërrohet në një nga hapësirat çlodhëse më të vizituara për komunitetin e shtuar të banorëve në këtë zonë, por edhe nga turistët ditorë për aktivitete sportive. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi prezantuesin Ardit Gjebrea dhe kryetarin e AMA-s, Gentian Sala, për ndihmën në mbjelljen e 100 pemëve dhe theksoi se kur gjërat e vogla bëhen me dashuri, rezultati është fantastik.
“Ndoshta, jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por siç thoshte Nënë Tereza, mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Të jam shumë mirënjohës për faktin që, si në skenë, si jashtë skene, mbetesh një artist model dhe më vjen mirë që falë këtij shembulli, edhe shumë të tjerë, ata që të ndjekin, apo shumë prej qytetarëve që kërkojnë mesazhe pozitive, do na bashkohen me këtë nismë”, nënvizoi Veliaj.
Kantautori dhe prezantuesi i njohur Ardit Gjebrea vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për të shtuar gjelbërimin në kryeqytet dhe theksoi se nuk mjafton që njerëzit vetëm të konstatojnë, por edhe të kontribuojnë realisht për të çuar më tej këto projekte. “Sa herë që kam udhëtuar me makinë për në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, po ta keni vënë re, gjithmonë është si e prerë me thikë: Pjesa jonë është pa pemë, pjesa e tyre është me pemë dhe ti ndjen një keqardhje e thua: Çfarë ka ndodhur? Por, gjithmonë e kam parë, e kam konstatuar, por asnjëherë nuk e kisha marrë lopatën për të dhënë një kontribut. Pra, nuk duhet vetëm të themi: Pse ne kështu? Por, merr lopatën dhe bëje”, tha Gjebrea.
Duke e cilësuar si një nismë shumë të bukur mbjelljen e pemëve, kryetari i AMA-s, Gentian Sala, tha se institucioni që ai drejton do të planifikojë një buxhet të posaçëm për nisma të tilla. “Është nga aktivitetet më të bukura ku marrim pjesë. Mendoj që këtë çështje të mos e lëmë subjektive për zgjidhje, por vitin tjetër si Autoritet, të vëmë një fond të vogël në buxhetin e AMA-s vetëm për këtë qëllim”, u shpreh Sala.
Kryebashkiaku i shprehu mirënjohjen stafit të AMA-s, të cilët me fondet e tyre kontribuan në shtimin e numrit të pemëve të reja të mbjella këtë sezon në kryeqytet. Veliaj apeloi që ky shembull i qytetarisë, të ndiqet edhe nga institucionet e tjera, duke lënë në këtë mënyrë një shenjë në krijimin e një ambienti të shëndetshëm për fëmijët.
Ai tha se Parku i Farkës është një projekt ambicioz, për t’i dhënë kryeqytetasve një tjetër hapësirë çlodhëse pas Liqenit Artificial. “Kemi bërë gjysmën e shëtitores dhe më vjen mirë që fundjavave ka filluar të gjallërohet, edhe pse nuk është hapur ende zyrtarisht. Për një pjesë të Tiranës, si zona e Dajtit, Farkës, Lundrës, Saukut, qytetarët kanë një park më afër banesës se parku i Liqenit”, tha ai.
Sigal