Anketa “Denonco-propozo” është “0900”-ta e “Rilindjes”, do përfundojë si “Posta-anti-korrupsion”

602
Përparim HALILI
Më 2 shkurt 2015, kryeministri Rama hapi një portal të tillë, në të cilin në 30 muaj u dërguan 3 milionë denoncime, por nuk u dha asnjë përgjigje
Kanë kaluar 30 muaj, qysh prej 2 shkurtit 2015, kur kryeministri Rama hapi portalin “Posta anti-korrupsion”, nëpërmjet të cilit kryeministri dhe gjithë ministrat, premtuan se vlerësonin zërin e qytetarëve dhe bizneseve që cenoheshin, shpërfilleshin apo bëheshin viktimë e shkeljes së ligjit, pabarazisë, denigrimit dhe ryshfetit prej zyrtarëve e drejtuesve në shërbimet shtetërore të “Rilindjes”. Ishte një lëvizje e bërë sipas formatit sorosian “Shoqëria e hapur”, të cilin kryeministri e trumbetoi si “Model i ri” në komunikimin dhe raportet me qytetarët, me bazë “Rilindjen” e administratës dhe shërbimeve publike, me prioritet luftën kundër korrupsionit, paaftësisë dhe nepotizmit në zyrat e shtetit dhe shërbimet publike në polici, shëndetësi, arsim, tatime, dogana e kudo kur qytetarët dhe bizneset trokisnin përditë për shërbime. Ky model fals komunikimi është futur në veprim edhe tani, por shqiptarët nuk besojnë tek vërtetësia e tij dhe e kanë shpërfillur, mbasi kanë në kujtesë falsitetin e portalit “Posta anti-korrupsion” të hapur më 2 shkurt 2015…
Në 30 muaj, 3 milionë denoncime në “Posta anti-korrupsion”, por asnjë… përgjigje
Kronika e hapjes së portalit “Posta anti-korrupsion” më 2 shkurt 2015, ka të fiksuar këtë deklarim të kryeministrit Rama: “Ju garantoj, se për çdo ankesë dhe denoncim që do të bëni, brenda 30 ditësh do të merrni përgjigje konkrete me masa konkrete për çdo zyrtar, qoftë edhe ministër”. Kanë kaluar 30 muaj që nga ajo ditë premtimi! Janë bërë mbi 3 milionë ankesa e denoncime për ministra, deputetë, drejtorë qendrorë, rajonalë e institucionesh të çdo sektori shërbimi, për kryetarë bashkie, për komisionin e kthimit të pronave, për hipotekues, noterë, prefektë, kryetarë këshilla qarku, kryepolicë, krye-doganierë e doganierë, për krye-tatimorë e tatimorë, për mjekë, inspektorë e nëpunës zyrash shteti. Dhe… qysh prej 2 shkurtit 2015 e deri sot në muajin korrik 2017, në portalin “Posta anti-korrupsion” të hapur para 30 muajsh, skeda “Përgjigje” është bosh edhe sot! Kryeministri Rama, nuk ka dhënë asnjë përgjigje për denoncimet ndaj ministrave! Ministrat nuk kanë dhënë asnjë përgjigje, për denoncimet ndaj drejtorëve në vartësi të tyre! Drejtorët kanë heshtur, ndaj denoncimeve për vartësit e tyre! Me këtë përvojë false e tallëse, pas 30 muajsh kryeministri hap një tjetër portal, identik si “Posta anti-korrupsion”, duke e quajtur “Anketa denonco-propozo”, nëpërmjet së cilës, ai u kërkon qytetarëve të bëjnë denoncime për zyrtarët dhe propozime për zgjidhjen e problemeve! Ky “model komunikimi”, që ofron përsëri kryeministri është tipik si ato lojërat telefonike që mashtronin për miliona, që në rastin konkret, kryeministri është “0900”-ta që ofron, ndërsa populli konsiderohet “budallai” që duhet t’i telefonojë e ta besojë! Përvoja e hidhur është portali fals “Posta anti-korrupsion”, si “modeli tallës” që u afrove shqiptarëve” 30 muaj më parë, duke mos u kthyer asnjë përgjigje! U hesht ndaj denoncimeve për koncesionet klienteliste e fiktive dhe hajdutëritë e shumta, të bëra prej ish-ministrit Ilir Beqja me tenderët, fondet e ushqimit, pajisjeve dhe investimeve në spitale, me monopolet, rimbursimet, cilësinë dhe çmimet e ilaçeve. Nuk u kthye asnjë përgjigje për denoncimet lidhur me mbjelljen e drogës dhe menaxhimin e tyre prej drejtorëve të policisë në qarqe! Nuk u dha asnjë përgjigje, për denoncimet lidhur me mbushjen e zyrave të shtetit me kriminelë, analfabetë, familjarë të ministrave, deputetëve dhe krerëve të PS! Nuk u kthye asnjë përgjigje, lidhur me ankesat dhe denoncimet e shumta për masakrën sociale, që mjekët e “KEMP-epror” në Tiranë dhe KEMP-eve në prefektura, kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë ndaj 6000 invalidëve Paraplegjikë e Tetraplegjikë, duke i shkatërruar fizikisht e financiarisht, duke u mohuar, hequr e vonuar qëllimisht pensionet e invaliditetit edhe atyre, që fatkeqësisht janë pa… këmbë e pa duar!
Në 10 ditë janë bërë 6000 denoncime, përse nuk veprohet?
Kryeministri Rama, deklaroi se deri tani, i kanë shkuar afro 6000 denoncime, ankime e propozime, por hesht kundër denoncimeve! Nëse propozimet, sipas kryeministrit presin zgjidhje vetëm pas formimit të qeverisë së re “tepsia vetëm”, denoncimet e bëra për ministra, deputetë, drejtorë, zyrtarë, ambasadorë, konsuj, drejtues e zyrtarë shëndetësie, policie, tatimesh, doganash, kontrolli ushqimor, energjie, arsimi, bashkie, inspektorat ndërtimi, prefekturash, zyra pune, hipotekash, zyra pronash etj., mund të ndëshkohen qysh tani! Përse nuk veprohet? Mos vallë edhe ky komunikim me qytetarët është një falsitet dhe do të përfundojë si “ndjesë pastë” e ashtuquajtura “Posta anti-korrupsion” e hapur më 2 shkurt 2015? Mos vallë, “Rilindja” është duke vazhduar demagogjinë e 4 viteve të dyta, në talljen me shqiptarët e varfëruar, zhvatur, denigruar e traumatizuar nga “Rilindja”?!
Projekti “Posta anti-korrupsion” e shkurtit 2015, kushtoi 638 mijë euro
Kujtojmë, që portali “Posta anti-korrupsion” u eksperimentua publikisht si “test”, në datën 17 dhjetor 2014, nga ish-ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, autorizuar prej kryeministrit Rama, si “Koordinator Kombëtar për Anti-korrupsionin në Shqipëri”, për të bashkëvepruar me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RÇ) dhe me Nismën Rajonale për Anti-korrupsionin. Ky projekt anti-korrupsion, kushtoi 638 mijë euro dhe u financua nga Ministria e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë dhe nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), me ekspertizën e Shkollës Italiane të Administratës Publike.
Falsiteti qëndron në faktin që në këto 25 vite, nga qeverisjet shqiptare janë hapur 20 zyra dhe portale shtetërore me thirrjet “Denonco…”, të cilat nuk i kanë përdorur realisht për luftë kundër korrupsionit, por për t’u prezantuar si “transparentë” e për t’u dukur të “pastër” para popullit… 
Sigal