Anijet shqiptare në listën e zezë, prej 1 korrikut nuk do lejohen të ankorojnë në portet botërore

496
Sigal

Anijet shqiptare që lundrojnë në ujërat ndërkombëtare tashmë janë futur në listën e zezë të asaj që njihet si Memorandumi i Parisit. Në kuadër të këtij memorandumi, organizmi vlerëson gjendjen dhe standardin e anijeve të secilit shtet, pavarësisht faktit, nëse ai vend është ose jo vend firmëtar i memorandumit të Parisit. Sipas Memorandumit, flamuri shqiptar është deklasuar në listën e zezë. Tashmë, qëndron krah vendeve si Kamboxhia, Kongo, Togo apo Sierra Leone, ndërkohë që Ukraina dhe Moldavia janë të vetmet evropiane të tjera pjesë e listës së zezë. Brenda kësaj liste, Shqipëria klasifikohet ndër vendet me rrezik mesatarisht të lartë. Lista e re do të hyjë në fuqi, më 1 Korrik të këtij viti zyrtarisht. Kriteret mbi të cilat vlerësohen anijet i referohen sigurisë ndërkombëtare, asaj ambientale, si dhe sigurisë në tërësi. Por, në çfarë përkthehet përfshirja e Shqipërisë në listën e zezë? Deklarimi i këtij viti, do të thotë se, që prej datës 1 Korrik kur hyn në fuqi lista e re, anijet që mbajnë flamurin shqiptar do të kenë gjasa shumë të larta që të mos lejohen të ankorojnë në portet që janë pjesë e memorandumit të Parisit, dhe ku përfshihen pjesa më e madhe e porteve të vendeve evropiane, por edhe më gjerë.