SPAK-u: Detyra më historike, hetimi i plotë, i thellë dhe shterues i vjedhjes së naftës nga “Bankers Petroleum”
– Vjedhja e naftës nuk është thjesht një çështje korrupsioni, ajo është një plagë e hapur në ekonominë kombëtare.
– Hetimi i plotë, i thelluar dhe i pandalshëm i vjedhjes së naftës, urgjente, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një abuzim të izoluar, por me një mekanizëm të strukturuar.
– Kur një pasuri e tillë vidhet për vite me radhë pa ndëshkim, mesazhi që i jepet shoqërisë është shkatërrues: se ligji nuk vlen për të gjithë.
– Kur nafta vidhet, nuk vidhet vetëm një burim i parikuperueshme financiar, vidhet siguria , mbrojtja dhe ardhmëria ë brezave të ardhshëm.
Rifat Kullolli
Në një kohë që ne përballemi me sfida të shumta ekonomike, sociale dhe institucionale, ka një detyrë që qëndron mbi të gjitha të tjerat, një detyrë që nuk pret, nuk toleron shtyrje dhe nuk lejon justifikime, hetimi i plotë, i thelluar dhe i pandalshëm i vjedhjes së naftës, në një kohë sa më të shpejtë. Kjo nuk është një çështje si ndër shumë të tjera. Nuk është një dosje që mund të presë radhën mes hetimeve të zakonshme. Kjo është detyra numër NJË. Çdo hetim tjetër i nivelit të dytë apo të tretë, duhet të kalojë në plan të dytë përballë një krimi që prek drejtpërdrejt themelet ekonomike dhe strategjike të vendit. Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një abuzim të izoluar. Kemi të bëjmë me një mekanizëm të strukturuar, ku për vite me radhë dyshohet se prodhimi real i naftës nuk përputhet me atë që deklarohet në fitimet reale në buxhetin e shtetit, ku zinxhiri i kontrollit është i dobët ose i kapur, dhe ku përgjegjësit, në vend që të japin llogari, jetojnë në një qetësi të papranueshme për një shoqëri që paguan çdo ditë pasojat. Rasti i Bankers Petroleum nuk mund të trajtohet më si një kapitull i zakonshëm ekonomik.
Ai duhet të jetë në qendër të një hetimi kombëtar, me të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale që ka në dispozicion drejtësia shqiptare. Sepse çdo ditë që kalon pa një hetim serioz, pa transparencë dhe pa përgjegjësi, është një ditë ku pasuria kombëtare rrjedh në heshtje dhe ekonomia kombëtare veç varfërohet. Dhe kjo heshtje ka një kosto. Një kosto që nuk është abstrakte. Është konkrete, e përditshme, e dhimbshme. Çdo ditë e pa hetuar, ose e hetuar si dosje e zakonshme, është një thikë që i ngulet pas shpine qytetarit shqiptar, një goditje e fshehtë që dobëson ekonominë, shpresën dhe besimin tek shteti. SPAK duhet të vendosë një precedent. Duhet të tregojë se kur bëhet fjalë për pasuri strategjike, nuk ka kompromis, nuk ka selektivitet dhe nuk ka frikë. Një hetim i tillë duhet të përfshijë auditimin e prodhimit real ndër vite, krahasimin me eksportet, analizën e kontratave, ndjekjen e rrjedhës financiare dhe identifikimin e çdo hallke përgjegjëse, qofshin këto kompani, zyrtarë apo struktura të tëra që kanë lejuar këtë situatë. Vetëm pasi kjo detyrë të marrë përparësinë absolute dhe të trajtohet me seriozitetin që kërkon, mund të flitet për drejtësi funksionale dhe shtet ligjor.
Vjedhja e naftës nuk është thjesht një çështje korrupsioni. Ajo është një plagë e hapur në ekonominë kombëtare.
Së pari, dëmi financiar është i drejtpërdrejtë dhe i vazhdueshëm. Miliona euro që duhet të hynin në buxhetin e shtetit humbasin çdo vit. Këto janë fonde që mund të përktheheshin në pensione më dinjitoze, në mbështetje për bujqësinë, në investime për infrastrukturë dhe në shërbime më cilësore për qytetarët. Në vend të kësaj, ato zhduken në një sistem të errët që nuk jep llogari. Së dyti, deformohet tregu dhe goditet ekonomia e ndershme. Operatorët që shmangin detyrimet fiskale krijojnë një avantazh të padrejtë, duke nxjerrë jashtë loje bizneset që respektojnë ligjin. Kjo sjell një klimë mosbesimi, largon investitorët seriozë dhe forcon ekonominë informale. Së treti, dëmtohet rëndë siguria strategjike e vendit. Nafta është një burim kyç për çdo shtet që kërkon pavarësi dhe stabilitet. Kur ajo vidhet dhe keqmenaxhohet, Shqipëria humbet aftësinë për të ndërtuar rezerva, për të përballuar kriza dhe për të mbrojtur interesat e saj në një botë gjithnjë e më të pasigurt. Së fundi, ndoshta më e rënda, është pasoja morale dhe institucionale. Kur një pasuri e tillë vidhet për vite me radhë pa ndëshkim, mesazhi që i jepet shoqërisë është shkatërrues: se ligji nuk vlen për të gjithë, se abuzimi shpërblehet dhe se shteti është i pafuqishëm përballë interesave të forta. Kjo nuk është më një çështje debati. Është një çështje veprimi. SPAK ka përpara një provë historike, Sepse kur nafta vidhet, nuk vidhet vetëm një burim i parikuperueshme financiar, vidhet siguria, mbrojtja dhe ardhmëria e brezave të ardhshëm.
Shqipëria në mbingarkesë 35-vjeçare
Në mjekësi njihet një e vërtetë e thjeshtë. Kur trupi ngarkohet vazhdimisht me ushqim, pa i lënë vetes kohë për pushim dhe tretje, ai nuk shërohet, por helmohet. Kjo gjendje e grumbullimit të toksinave është një metaforë e qartë për atë që i ka ndodhur shoqërisë shqiptare gjatë këtyre 35 viteve. Që nga viti 1990, Shqipëria ka qenë në një proces të pandalshëm lëvizjeje dhe konsumimi: reforma të shpejta, ndryshime sistemesh, kriza politike, rotacione të zhurmshme dhe premtime pa fund. Si një organizëm i mbingarkuar, shoqëria jonë nuk ka pasur asnjëherë kohën e nevojshme për qetësi, reflektim, stabilizim institucional dhe krijimin e një ekuilibri të qëndrueshëm. Kur trupi nuk pushon, ai grumbullon toksina. Në planin kombëtar, këto “toksina” janë të prekshme, si korrupsioni kronik, mungesa e llogaridhënies, përgjegjësia individuale e kolektive dhe apatia qytetare. Këto nuk janë thjesht pasoja, por mbetje të një sistemi që nuk arrin të “tretë” atë që konsumon. Problemet tona nuk burojnë nga mungesa e burimeve, por nga bllokimi i funksionimit normal të shtetit, i rënduar nga pesha e këtyre mbetjeve. Pas kaq vitesh, “sëmundja” është bërë strukturore. Nuk kemi më të bëjmë me simptoma të përkohshme, por me një gjendje të vazhdueshme, ku institucionet dhe ligji janë të lodhura nga cikle krizash që nuk mbyllen kurrë. Shoqëria nuk vuan, sepse nuk di të ecë përpara, por sepse nuk i jepet mundësia të qetësohet dhe të shërohet. Një trup i mbingarkuar ka nevojë për pastrim. E njëjta gjë vlen edhe për një komb. Shqipëria ka nevojë për një ndërprerje të këtij cikli të vjetër, për të krijuar hapësirë që ligji të veprojë pa presion dhe për të rikthyer ekuilibrin midis interesit publik dhe orekseve individuale. Kjo nuk është ndalje, por një akt vetëdijeje kolektive, që vendos shëndetin mbi nxitimin. Në thelb, problemi nuk është vetëm politik, por edhe shoqëror . Një shoqëri që jeton vazhdimisht në nxitim humbet aftësinë për të kuptuar veten. Kur gjithçka bëhet urgjente, asgjë nuk mbetet thelbësore. Njeriu dhe kombi kanë nevojë jo vetëm të veprojnë, por edhe të ndalen, të shohin, të kuptojnë dhe të korrigjojnë rrugën. Pa këtë moment reflektimi, çdo lëvizje kthehet në përsëritje dhe çdo shpresë në iluzion. Prandaj, 35 vite janë të mjaftueshme për të kuptuar se lëvizja pa “tretje” nuk sjell zhvillim. Pa një pastrim të thellë të toksinave të grumbulluara, organizmi ynë shoqëror do të mbetet i lodhur. Është koha t’i japim vetes mundësinë për t’u shëruar dhe për të ndërtuar një ekuilibër, që nuk vjen nga shpejtësia, por nga qartësia dhe drejtësia.






















