Gazeta “Telegraf” /
Data 2 Prill festa tradicionale, “Dita për të Ndjerët”
Me këtë rast, Ambasadori i Republikës së Kinës në Tiranë, z. Zhou Ding shkoi në Varrezat e Sharrit, ku bëri homazhe për inxhinierët kinezë që ndërruan jetë duke punuar në Shqipëri. Një ndër figurat shqiptare që ai nderoi në këtë ditë ku bëri dhe homazhe ishte dhe vendi ku prehet Prof. Agron Fico. Në vitin 1962, Prof. Fico u dërgua në Republikën Popullore të Kinës, ku në kryeqytetin e saj, Pekin, hapi katedrën e Gjuhës Shqipe. Pra amabsadori Kinez bëri një nderim special dhe të merituar në shenjë respekti nga përfaqësuesi i një populli të madh. Prof. Dr. Agron F. Ficon, për afro 50 vjet kontribuoi edhe si studiues dhe hulumtues i trashëgimisë etnokulturore të popullit, si një nga themeluesit e Institutit të Folklorit në vitin 1958, si një gjuhëtar që mundësoi mësimin e shqipes dhjetëra të huajve, që kontribuoi si gazetar, diplomat dhe pedagog. Në 1 qershor mbushen dy vjet nga ndarja e Prof. Agron F. Fico, mikut tonë të shtrenjtë dhe të dashur për lexuesit e Telegraf, mësuesit të urtë, të fjalës së lirë dhe plot dije.

Jeta dhe vepra
Agron F. Fico u lind në qytetin e Gjirokastrës, ku kaloi fëmijërinë e tij dhe vitet e para të rinisë. Shkollën e mesme ai e mbaroi në vendlindjen e tij dhe studimet e larta i kreu në Tiranë. Pas diplomimit ai ka punuar për vite të tëra si punonjës shkencor pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë, si dhe në Institutin e Folklorit në Tiranë. Në vitin 1961 ai u dërgua në Republikën Popullore të Kinës, ku në kryeqytetin e saj, Pekin, ai hapi katedrën e gjuhës shqipe, ku punoi disa vjet si profesor. Më pas, prof. Fico ka dhënë lëndën e folklorit në Fakultetin e Filologjisë dhe Akademinë e Arteve në Tiranë, si dhe gjuhën angleze në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Ai është autor i teksteve të folklorit për shkollat e mesme dhe të larta. Po kështu, ai ka botuar në revistat më të njohura shqiptare me dhjetëra studime shkencore dhe artikuj, si dhe ka marrë pjesë me kumtesa në mjaft konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit si në: Athinë, Bukuresht, SHBA etj. Në vitin 2000, ai mori pjesë në Kongresin Botëror të zhvilluar në Finlandë. Gjatë më shumë se 40 vjetëve të karrierës së tij profesionale, prof. Fico është marrë dhe me hartimin e përpunimin e metodave të mësimdhënies së gjuhës shqipe për të huajt. Në vitin 1972, prof. Agron F. Fico është laureuar me Çmimin e Republikës dhe është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitet 1996-2000, ai realizoi me sukses një program për pranimin e dhjetëra të rinjve shqiptarë në kolegjet dhe universitetet amerikane, si dhe hapi katedrën e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Miçigan. Profesor Fico është anëtar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane. Vitet e fundit ai jetoi mes Tiranës dhe Nju-Jork, ku në Tiranë vazhdoi të punojë për projektet që kishte në fushën e botimeve, por duke shkruar artikujt të ndryshëm në gazetën “Telegraf” dhe duke dhëne mësim në Universitet. Jeta e tij në mësimdhënie dhe në fushën e studimeve ishte mjaft intensive. .

Të veçantat dhe raportet me median
Merrte mendime dhe të kthente përgjigje nëpërmjet analizave të thjeshta, duke e bërë të besueshëm realitetin. Kishte një qetësi të rrallë, madje olimpike. Pa liri, pa dije, pa art, pa kulturë dhe mbi të gjitha pa kujtesë, më thoshte para pak kohësh, nuk ka Komb, nuk ka identitet kombëtar. Nëse shuajmë dritën e historisë dhe kujtesës kombëtare, shpejt apo vonë kemi shuar edhe arsyen. Njohja e botës nuk mund të matet thjesht nga komunikimi i rrjetit të modernizuar social, por nga idetë që ofrohen dhe nga respekti për t’i vënë në shërbim të interesave kombëtare, kujtesës institucionale, mirarsimimit të brezit të ri, respektit ndaj qytetarëve, Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, mirënjohjes ndaj miqve, aleatëve tradicionalë të Kombit shqiptar, ku SHBA, ishte padyshim e para për të. Ndaj në këtë ditë të veçantë ky shkrim i gazetës Telegraf është homazh për mikun dhe Profesorin e shenjtë. Dhe të shkruash për vlerat e tij shoqërore, humane, qytetare, profesionale duhen ditë të tëra dhe nuk mbarojnë. Por vlerat që ai la për shoqërinë, na bëjnë që Prof. Ficon ta kemi përjetësisht mes nesh, pasi puna e tij shkencore dhe akademike do t’u shërbejë brezave të sotëm dhe atyre që do jetojnë në Shqipëri, por edhe kudo ku Profesor Agron F. Fico punoi, duke lënë gjurmë të pashlyera.

Respekti për vendlindjen
Prof. Agroni e donte shumë vendlindjen, Gjirokastrën dhe kurdoherë shprehej dhe shkruante me dashuri, mirënjohje e respekt për historinë, kulturën dhe personalitetet e saj.
Me dashuri, respekt e mirënjohje i është përgjigjur kontributit të tij për të edhe Gjirokastra që e ka nderuar dhe vlerësuar me titullin e lartë ” Qytetar nderi i Gjirokastrës”. Por ai është nderuar edhe me titullin ”Doktor HONORIS CAUSA i universitetit “Eqerem Cabej” etj,
me motivacionin; “Intelektual me veprimtari kërkimore-shkencore e universitare mbi 50-vjeçare; me ndihmesa të njohura në disa disiplina të shkencës kombëtare shqiptare; që, me ngulmim profesional, vullnet dhe pasion të përhershëm dhe me vështrime bashkëkohore, ka shënuar prurje dhe arritje shkencore të vlerësuara ndër vite, veçmas në etnokulturë dhe folklor”.

Vlerësimet
Prof. Dr. Agron Fico albanolog, gjuhëtar, studiues i etnokulturës. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë. N.Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave e Arteve. Ka publikuar Profesor në Tre Kontinente, Diaspora e Rilindur, Rilindja e Shqipërisë Etnike, Beautiful America-Mozaik shkrimesh, Zbulimi i Eposit Shqiptar në Harvard – Albert B. Lord. Qytetar Nderi i Gjirokastrës, shtetas Amerikan, Doctor Honoris Causa i Universitetit të Gjirokastrës….

Botimet:
•“Profesor në tre kontinente”, SHBA 2004;
•“Diaspora e Rilindur”, Tiranë 2006;
•“Rilindja e Shqipërisë Etnike”, Tiranë 2009,
•“Beautiful America – Mozaik shkrimesh”, Tiranë 2014;
•“Zbulimi i Eposit shqiptar në Harvard”-Albert B. Lord” Tiranë 2016 etj.
Ndërkohë që në këtë kontribut të tij përfshihen edhe shumë botime shkollore dhe universitare, mes të cilave:
•Gjuha Shqipe (metodë për studentët amerikanë),
•Unë flas Shqip (metodë e gjuhës shqipe për të huaj),
•Metodë e Gjuhës Shqipe (tekst për studentët kinezë) katër vëllime, 1962-1965,
•Metodë e Gjuhës Shqipe (tekst për specialistët kinezë), 1963,
•Historia e Shqipërisë (tekst për studentët amerikanë, anglisht), 1997, etj,
si dhe një mori studimesh, kumtesa, studime shkencore, dorëshkrime dhe studime të pabotuara, artikuj problemorë, ese etj.



















