Ambasadori i OSBE Vincenzo Del Monaco: Nevoja për një reformë të plotë zgjedhore, financimi i politikës

208
Sigal

Kjo është një mundësi për të vlerësuar progresin e reformës zgjedhore në Shqipëri, deri më tani, një temë kryesore kjo në axhendën e OSBE-së dhe timen, si edhe një temë partneriteti dhe bashkëpunimi të shkëlqyer me shumë prej jush që ndodhen sot këtu.

Konferenca e sotme është pjesë e një “dialogu të përhershëm, të vërtetë, kuptimplotë dhe gjithëpërfshirës” për të cilin përpiqemi dhe punojmë të gjithë. Bëhet fjalë për besim, sikurse e përmendët pak më parë ju, e nderuar znj. Bushka.

Më lejoni të jem optimist në mënyrë të kujdesshme, por të arsyeshme, teksa vlerësoj situatën në të cilën ndodhemi: Kohët e fundit kemi parë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur: shumica dhe opozita së bashku miratuan ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe ngritën dy komisione me rëndësi themelore për reformën zgjedhore. Kjo pasqyron gatishmërinë e të gjitha forcave politike për arritjen e marrëveshjeve në arenën legjislative, pavarësisht kundërshtive në diskurset politike, të cilat janë të natyrshme, normale do të thosha, në çdo demokraci. Dhe nuk mund të mos përgëzoj kryetaren dhe zëvendëskryetarët e Kuvendit për mënyrën se si kanë siguruar që Kuvendi të shërbejë si platformë për debate përmbajtësore dhe shpesh të pikëpamjeve të kundërta, por me synimin për të gjetur marrëveshje, pra për të hartuar politika në të mirë të mbarë vendit.

Sigurisht, sistemi nuk është i përkryer – nuk ka sisteme të përkryera në botë – dhe ka ende shumë punë për të bërë. Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit, identifikoi njëmbëdhjetë rekomandime, sikurse e dini, për punën e Kuvendit, si: korniza ligjore që kronikat e gatshme që partitë politike u japin televizioneve të zëvendësohen nga mbulime të vetë gazetarëve të veprimtarive zgjedhore; pragu mbarëkombëtar për kandidatët e pavarur; parimi i barazisë për drejtuesit e partive që konkurrojnë në disa zona zgjedhore; financat dhe shpenzimet e fushatës, e të tjera.

Mund të vijoj të rendis fushat problematike, por nuk do të ishte shumë e efektshme, apo jo? Unë e shoh si punën tonë që të çojmë përpara reformën zgjedhore, të vijojmë të ndihmojmë Kuvendin në arritjen e rezultateve, të marrëveshjeve dhe të politikave. Prezenca, së bashku me simotrën e saj ODIHR-in, mbetet e gatshme të mbështetë dialogun politik mes partive, t’i japë ndihmë teknike komisionit të posaçëm, dhe të punojmë bashkërisht për çështje konkrete si votimi i shqiptarëve jashtë vendit, financimi i fushatës dhe media në zgjedhje. Dhe, kur them bashkërisht, e kam fjalën në mënyrë gjithëpërfshirëse: së bashku me Kuvendin, partitë politike, ju si organizata të shoqërisë civile, por edhe me Këshillin e Evropës, sikurse kemi bërë deri më tani. Koha e ka dëshmuar disa herë se aty ku ka vullnet, ka edhe zgjidhje. Dhe ka gjithmonë një zgjidhje teknike për konvergjencën politike.

Duke iu rikthyer raportit të ODIHR-it – ju e kuptoni se ai është busulla ime kryesore – shtatë prej rekomandimeve lidhjen drejtpërdrejt me punën e KQZ-së, që është një prej partnerëve tanë të parë e më të afërt. Lejomëni ta flas hapur: KQZ-ja ka bërë një punë të lavdërueshme! Ajo është një partnere fantastike e Prezencës. Thënë kjo, duhet të sigurojmë edhe më tej administrimin e efektshëm të zgjedhjeve, të forcojmë transparencën, të japim kohën dhe burimet e përshtatshme, programe për edukimin e zgjedhësve në kohën e duhur, mbikëqyrjen si duhet të financave zgjedhore, e të tjera. Ne, unë dhe ekipi im shumë i aftë, mbetemi të gatshëm të vijojmë të ofrojmë mbështetje për këto e më shumë, edhe në kuadër të zgjedhjeve vendore të vitit 2023.

Është puna dhe misioni ynë të rrisim dialogun dhe bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërpartiak, siç përmendet në programin e konferencës së sotme. T’i ndihmojmë institucionet dhe partitë në Kuvend që të rrisin besimin në procesin zgjedhor dhe të rrisin pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje, sikurse e përmendi edhe kolegu im zviceran.

Besimi fillon me mënyrën se si bëhet debati. Dhe konferenca juaj e sotme është një mjet për ta filluar debatin si duhet. Prandaj jam mirënjohës për bashkëpunimin me shumë prej jush që ndodhen sot këtu, qofshin parti politike, institucione, KQZ-ja, partnerë ndërkombëtarë dhe shoqëri civile. Ne i përgjigjemi këtij bashkëpunimi me mbështetjen dhe angazhimin tonë me gjithë zemër. Vazhdimisht dhe njëkohësisht. Mund të jeni në dijeni se Prezenca e OSBE-së bashkërendon ndihmën e të gjithë donatorëve ndërkombëtarë në sferën zgjedhore. Këtë po e bëjmë edhe në prag të zgjedhjeve të pjesshme. Nga kjo tryezë, nga kjo foltore, unë i nxit të gjithë zgjedhësit të shkojnë të votojnë. E drejta e votës, e drejta për të thënë mendimin tënd, është ndër të drejtat themelore demokratike. Është pikënisja e gjithçkaje në demokraci. Përdoreni!

Dhe, duke përforcuar mesazhin tuaj, Alastair, do t’i nxisja organizatat e shoqërisë civile të regjistrojnë vëzhguesit e tyre në zgjedhje.

Duke ju falënderuar sërish që më ftuat të jem pjesë e kësaj konference, ju uroj diskutim sa më konkret dhe të frytshëm sot. Falemnderit!