Alqi NAQELLARI &  Vladimir MICI/ Nuk është faji i shqiptarëve, kur politika zgjedh njerëz si Fullani

508
Sigal

Këta të huajt vijnë për të rrjepur ndonjë gjë dhe jo për të vënë ndonjë gurë më shumë

Banka e Shqipërisë është e dështuar, pavarësisht kush do ta drejtojë, shqiptar apo i huaj

 Tani, akoma pa u shpallur Fullani fajtor kanë filluar diskutimet për guvernatorin e ri. Kush do jetë, do jetë i huaj apo do jetë shqiptar, do jetë i lidhur me politikën apo nga shoqëria civile. Kryeministri thekson se do jetë shqiptar që merret me financat ndërkombëtare. Bukur. Me këtë shkrim që paraqesim duam t’u tregojmë shqiptarëve se kushdo që të vijë guvernator nuk do të ndikojë në realizimin e objektivave të BQ-së sa të jetë kjo situate financiare në Shqipëri. Më mirë të jetë një financier shqiptar sesa një i huaj. Të mos mbivlerësohen të huajt sepse Shqipërinë do ta bëjnë Shqiptarët dhe jo të huajt. Këta të huajt vijnë për të rrjepur ndonjë gjë dhe jo për të vënë ndonjë gurë më shumë. Të hiqet dorë nga shqiptaro-fobia. Ne bëhemi nihilistë për veten. Kur e thotë ndonjë   njeri i zakonshëm, kjo në një farë mënyre shpreh shqetësimin e njerëzve për klasën tonë politike, por kur e shprehin  njerëz me influencë politike dhe shkencore, atëherë problem qëndron ndryshe. Në dogana se bëjnë dot shqiptarët, në tatime jo, në kontrollin e automjeteve jo, në banka jo, në ndërtimin e rrugëve jo, në projekte jo, po për çfarë bëjnë shqiptarët?! Nëse nuk bëjnë për këto atëherë hajde të marrim edhe Kryeministrin nga jashtë, edhe Presidentin, edhe Kryetarin e Gjykatës dhe të gjithë të tjerët kur nuk na bëjnë shqiptarët.  Ne gjykojmë se shqiptarët janë të zot, edhe shumë më të zotë sesa këta të FMN-së, që janë bashkautorë të hartimit të rregullores dhe ligjit për bankat.

 Roli i FMN-së

 Çfarë mëndje na kanë dhënë këta të FMN-së, që kanë marrë me miliona euro paga? Kanë thënë rritni çmimin e energjisë, rritni taksat, shkurtoni shpenzimet buxhetore, ulni deficitin, ulni inflacionin. Domethënë kodra pas bregut që janë alfa e ekonomisë. Më thoni çfarë kanë dhënë tjetër ndonjë mendim të vlefshëm.? Hiç gjë nuk kanë dhënë, prandaj të mos mbivlerësohen të huajt, dhe të hidhen poshtë shqiptarët. A, nëse ju Kryeministra zgjidhni njerëz si Fullani dhe të kallëpit të tij atëherë për këtë nuk kanë faj shqiptarët që të etiketohen të pa aftë, por fajin dhe përgjegjësinë e keni ju, që i emëroni ata. Ju që nuk jeni të aftë të zgjidhni njerëz të zot e të ndershëm. Ka plotë  Profesionistë të zotë,të ndershëm, me integritet, që e do Shqipërinë , ka profesorë e akademikë Shqipëria dhe nuk ka nevojë për rufjanët e bankave. Mund të shkëlqejë një drejtor Banke, por mund të dështojë në drejtimin e një banke qendrore. Banka Qendrore ka specifikat e saj  dhe nuk ka ngjashmëri biznesi, siç janë bankat tregtare, prandaj nuk do thotë, që njëri, që ka qenë i suksesshëm në BT të jetë i suksesshëm edhe në një BQ. Bankat Qendrore duhet të drejtohen nga shkencëtarë dhe jo nga militant partie ashtu siç është drejtuar deri tani Banka Qendrore e Shqipërisë. Shikoni, me këtë Rregullore të Bankës se çfarë CV, duhet të ketë një anëtar i Këshillit të Mbikëqyrjes, një CV që nuk të pranojnë as për kamerier restoranti. Me mendjen e Dritan Priftit apo të ndonjë servili tjetër që do të përfitojë nga situata për të marrë ndonjë copë tortë nuk vihet as në hale. Prandaj mbajeni kokën nga shqiptarët dhe jo nga të huajt, i zoti shtëpisë e di ku i pikon çatia dhe jo komshiu.

Funksionimi postkomunsit i Bankës

 Pas vitit 1990 sistemi bankar shqiptar vazhdoi të funksiononte me sistemin një nivelor. Banka Qendrore kishte në vartësi të saj Bankën Kombëtare Tregtare dhe Bankën Tregtare Agrare. Këto dy banka që luanin rolin e bankave të nivelit të dytë dhe vareshin plotësisht prej Bankës Qendrore. Banka Qendrore u çelte atyre kufirin e kredisë dhe përcaktonte normat e interesit të depozitave dhe të kredive.                      Privatizimi i ekonomisë në tërësi kërkonte ndryshimin e pozicionit të Bankës Qendrore ndaj tregut, përshtatjen e saj me ekonominë private. Në këtë mënyrë u përshtat edhe legjislacioni. Në vitin 1997 u miratua ligji për Bankën e Shqipërisë. Ishte koha, kur akoma ekonomia e vendit nuk kishte marrë tiparet e një ekonomie të tregut. Kështu e parë në tre aspekte, në aspektin e ligjshmërisë, në aspektin e privatizimit, në aspektin social dhe atë ekonomik themi se një Ligj i tillë për kohën dhe kushtet e Shqipërisë ka qenë i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Kjo sepse privatizimi ekonomisë duhej të shoqërohej edhe me privatizimin e sistemit bankar, në mënyrë që ky të mos bëhej pengesë në zhvillimin e ekonomisë. Por nëse një Ligj i tillë ishte i nevojshëm ai duhej të strukturohej duke marrë në konsideratë kushtet konkrete të ekonomisë shqiptare. Pse e themi këtë? Këtë e themi sepse në hartimin e tij u morën si shabllon ligjet e Bankave Qendrore të vendeve të zhvilluara dhe jo ato të vendeve në zhvillim ose në periudhën e tranzicionit siç ishte Shqipëria. Vendet që u morën në konsideratë si Gjermania, Italia, Anglia, Franca etj nuk kishin probleme me ritmet e rritjes ekonomike dhe me normën e papunësisë. Kjo sepse ato vepronin në produkt potencial, i cili presupozon përdorim të plotë të faktorëve ekonomikë, në këtë kuadër presupozon edhe normë natyrore papunësie. Objektivi i tyre kryesor mbetej stabilizimi i nivelit të çmimeve. Këto vende politikat e tyre monetare i vendosin në shërbim pikërisht të këtij treguesi por pa harruar që nëpërmjet tij të sigurojnë ritme të larta rritjeje të ekonomisë. Është kjo arsye që Ligji për Bankën Qendrore nuk duhej marrë dhe aplikuar shabllon dhe në kushtet e ekonomisë shqiptare.

 Ekonomia shqiptare në recesion

 Ekonomia shqiptare në vitin 1997 ra në recesion. Norma e inflacionit në vitin 1997 arriti 42.1%, GDP u ul me -10.3%, norma e papunësisë ishte 14.9%. Edhe kjo situatë e keqe ekonomike nuk tregonte se problemi themelor i kësaj ekonomie ishte stabiliteti i çmimeve. Në këto kushte problem themelor ka qenë sigurimi i ritmeve të larta të rritjes ekonomike dhe rënia e normës së papunësisë. Pasi të stabilizoheshin këto dy tregues kryesorë makroekonomikë duhej të kalohej te stabiliteti i normës së inflacionit. Nëse e shikojmë me vëmendje normën e inflacionit që nga viti 1993 vërejmë se nuk ka qenë ndonjëherë shqetësues madhësia e këtij treguesi.

Cili ishte objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë?

 Cili ishte objektivi kryesor, detyrat e Bankës Qendrore, dhe mënyra e funksionimit të saj që miratoi Parlamenti i Shqipërisë në vitin 1997? A i përshtateshin këto situatës aktuale? Çfarë treguan vitet në vijim? A e përmbushi misionin e tij ky objektiv në funksion të rritjes ekonomike dhe të rënies së normës së papunësisë? Këtyre pyetjeve do mundohemi tu japim përgjigje më poshtë pa e shteruar problemin pasi ai është shumë i gjerë.

Cili ishte objektivi kryesor dhe detyrat e Bankës Qendrore të përcaktuar në Ligjin e vitit 1997?

1. Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve.

2. Banka e Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor dhe mbi bazën e tregut të brendshëm bankar, nxit dhe mbështet zhvillimin e regjimit dhe sistemit të këmbimeve valutore, tregun e brendshëm financiar, sistemin e pagesave, si dhe ndihmon në përmirësimin e kushteve monetare e kredituese, në mbështetje të stabilitetit dhe të zhvillimeve ekonomike të vendit.

3. Objektivat e  tjerë të Bankës së Shqipërisë, të kushtëzuara nga objektivi kryesor i saj, duhet të nxisin ruajtjen e likuiditetit, aftësinë paguese dhe funksionimin normal të sistemit bankar të bazuar në parimet e tregut.

4. Detyrat kryesore të Bankës së Shqipërisë janë si më poshtë:

a) të hartojë, të miratojë dhe të zbatojë politikën monetare të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor;

b) të hartojë, të miratojë dhe të zbatojë regjimin e këmbimit valutor, si dhe politikën e kursit të këmbimit të valutave në Republikën e Shqipërisë;

c) të licencojë ose të revokojë këtë licencë bankave dhe të mbikëqyrë veprimtarinë e këtyre bankave, me qëllim që të sigurojë stabilitetin e sistemit bankar;

ç) të disponojë dhe të administrojë rezervat e saj valutore;

d) të veprojë me cilësinë e bankierit, këshilltarit dhe të agjentit fiskal për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë;

dh) të nxisë funksionimin normal të sistemit të pagesave.

5. Çdo objektiv dhe detyrë tjetër që i caktohet Bankës së Shqipërisë kushtëzohet me arritjen e objektivit të saj kryesor.

Objektivat dhe detyrat e përcaktuara në këto nene nuk kanë ndryshuar. Ato janë edhe sot, pas  16 vjetësh, në fuqi.  Mbi këto detyra dhe mbi këtë objektiv Banka e Shqipërisë ka organizuar punën e saj në hartimin dhe zbatimin e politikave monetare. Në asnjë objektiv kryesor apo të dorës së dytë nuk flitet për rritjen ekonomike dhe rënien e normës së papunësisë.

Duke parë zhvillimin e ekonomisë shqiptare në këto  vite, lidhjen e saj me ekonomitë e huaja dhe ndikimin e tyre në të gjitha aspektet e jetës, në aspektin politik, ekonomik e social themi se ka ardhur koha që të rishikohet objektivi themelor i Bankës së Shqipërisë. Ky rishikim i objektivit duhet të bëhet duke marrë për bazë objektivat e bankave qendrore të vendeve europiane, aziatike, etj..

Objektivat e Bankave Qendrore të 31 vendeve të botës

 Objektivat e Bankave Qendrore të 31 vendeve të botës duke përfshirë edhe Bashkimin Europian i kemi marrë në konsideratë dhe i kemi grupuar në 7 grupe për të parë pozicionin e Shqipërisë në lidhje me këto Banka.

Shtetet i kemi grupuar në 7 grupe. Cilat janë konkluzionet që nxjerrim nga ky grupim?

1. Grupi i parë me objektiv  stabilitetin e çmimeve. Vendet e Bashkimit Evropian që janë vende të zhvilluara, pavarësisht se në këtë grup janë përfshirë edhe një sërë vendesh të ish bllokut lindor si Polonia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Sllovenia etj. Objektivi kryesor i BQE-së është përcaktuar pa u përfshirë këto vende. Kur u përcaktua ky objektiv vendet ekzistuese ishin rreth produktit potencial që problem kishin ruajtjen e inflacionit dhe jo rritjen ekonomike dhe rënien e papunësisë. Përfshihen edhe Turqia, Azerbajxhani,  Çekia, India dhe Zelanda e Re. Azerbajxhani objektiv sekondar ka mbështetjen e bankave dhe stabilitetin e pagesave, Çekia të mbështesë një rritje të qëndrueshme ekonomike. Këto vende nuk mund të krahasohen me ekonominë shqiptare. Ato janë më të zhvilluara se ekonomia shqiptare.

2. Grupi i dytë. Kanë si objektiv kryesor stabilitetin e monedhës. Në këtë grup përfshihen vende të ish bllokut lindor që kaluan nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut si Kroacia, Moldavia, Rusia, Ukraina, në lindje Kina, Mongolia dhe Hong-Kongu. Objektiva sekondarë kanë: zhvillimin e ekonomisë, stabilitetin e çmimeve, stabilitetin  financiar. Ekonomia shqiptare i përafrohet këtij grupi pasi ka të njëjtat dinamika zhvillimi si ish anëtare e bllokut të lindjes.

3. Grupi i tretë ku përfshijmë Bosnjë-Hercegovinë, Armeni, Bjellorusi, Nigeri, Pakistan, Peru dhe Jordani. Ka për synim stabilitetin monetar. Vendet që përfshihen në këtë grup nuk janë vende të zhvilluara por janë vende në zhvillim ose vende që kanë pasiguri ekonomike dhe politike. Si objektiv sekondar këto vende kanë përgjithësisht rritjen ekonomike dhe stabilitetin e inflacionit. Jordaninë e kemi theksuar më shumë sepse BQJ ka detyra identike me ato të BSH-së ndërsa objektivi ndryshon kryekëput. Është objektiv kompleks: stabilitetin monetar, ruajtjen e kursit të këmbimit, nxitjen dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike.

4. Grupi i katërt. Kanë si synim stabilitetin e çmimeve dhe të monedhës. Në këtë grup kemi Malajzinë dhe Indonezinë. Ekonomia e tyre nuk krahasohet me atë të ekonomisë shqiptare sepse përfshihen në vende të zhvilluara.

5. Grupi i pestë. Stabilitet të çmimeve në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Janë vende që kanë objektiv kryesor kompleks. Janë nga vendet më të zhvilluara të Azisë dhe botës(Japoni, Koreja e Jugut, Singapor, Filipine dhe Tajlandë).

 6. Grupi i gjashtë ka si objektiv kryesor  Stabilitetin e çmimeve dhe ulja e normës së papunësisë. Përfshihet vetëm Australia e cila është një vend i zhvilluar, rreth produktit potencial që nuk ka problem rritjen ekonomike dhe papunësinë.

  7. Grupi i shtatë. Synojnë stabilitetin financiar dhe atë të çmimeve. Në këtë grup përfshihen Kosova, Serbia dhe Mali i Zi. Vende të ish bllokut komunist lindor. Me këtë grup ngjason edhe ekonomia shqiptare. Objektiva sekondar kanë rritjen ekonomike.

Siç shihet shumë pak vende kanë si objektiv kryesor “arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.  Vendet e zhvilluara e kanë këtë objektiv kryesor por të shoqëruar me objektiva të tjerë shoqërues ku predominon mbështetja e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Vendet e grupit të dytë dhe të shtatë, prej të cilave katër janë vende të rajonit, me ekonomi të ngjashme me ekonominë shqiptare kanë si objektiv kryesor, stabilitetin financiar, stabilitetin monetar dhe stabilitetin e monedhës.

 Një objektiv të tillë duhet të kishte edhe Banka e Republikës së Shqipërisë.Stabilitetin financiar, qëndrueshmërinë e monedhës dhe të çmimeve në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe uljes së papunësisë”.

Duke pasur një objektiv të tillë Banka Qendrore do shkëputet nga objektivi i tij i vjetër, një objektiv i marrë shabllon nga BQE dhe i pa përshtatur në kushtet e ekonomisë shqiptare. Po a mund të realizohet edhe ky objektiv në kushtet konkrete të ekonomisë shqiptare?

Veçoritë e tregut monetar shqiptar tregojnë se edhe ky objektiv është i vështirë për tu realizuar

Deri sot Banka Qendrore nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për realizimin e treguesve të tjerë makroekonomikë. Ajo, treguesin e PBB, dhe papunësisë i ka parë si përgjegjësi të qeverisë, si objektiva të politikave fiskale të hartuara dhe të zbatuara nga Qeveria Shqiptare. Një qëndrim i tillë, i shkëputjes dhe i mos koordinimit të objektivave të Qeverisë me ato të kësaj banke ka ndikuar në mosrealizimin e këtyre treguesve. Ka ndikuar në një zhvillim jo harmonik dhe të suksesshëm të degëve të ekonomisë.

Banka Qendrore, në të gjitha deklaratat që bën, punën e saj vazhdimisht e ka vlerësuar me nota pozitive, sepse ka vetëm treguesin e inflacionit si objektiv kryesor të saj. Për gjykimin tonë Banka Qendrore, me hartimin dhe aplikimin e politikave monetare është po aq përgjegjëse për ekonominë sa është edhe qeveria me politikat e saj fiskale.

Banka Qendrore, duke ndryshuar objektivin e saj themelor do të ndryshojë edhe politikat monetare. Është e nevojshme dhe e domosdoshme që objektivat e saj të jenë në përputhje dhe në mbështetje të politikave të qeverisë në mënyrë që me politikat monetare të mbështeti politikat fiskale. Vetëm ky koordinim do bëjë të mundur realizimin e objektivave të përgjithshëm ekonomik.

Objektivi i Bankës Qendrore duhet të ndryshojë edhe për disa arsye të tjera. Ne po veçojmë dy prej tyre.

E para, sepse ajo ka lënë të pa mbrojtur lekun shqiptar në raport me euron dhe dollarin që qarkullojnë njësoj si monedha zyrtare shqiptare.  Aplikimi i kursit fleksibël ka bërë që një pjesë e mirë e valutës të largohet nga Shqipëria pasi kurset nuk paraqesin gjendjen reale të ekonomisë shqiptare. Valuta që futet në territorin e Shqipërisë  nga eksportet është shumë e ulët në krahasim me burimet e tjera, si remitancat, investimet e huaja, borxhet e marra apo nga rrugë informale. Në këtë mënyrë hyrjet e saj do të vijnë vazhdimisht duke u shterur dhe duke lënë burim të vetëm eksportet. Ndërprerja e burimeve të tjera do të jetë me pasoja të rënda për ekonominë shqiptare sepse leku shqiptar do të zhvlerësohet në mënyrë të menjëhershme dhe në përmasa të larta. Ky zhvlerësim do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e shkallës së çmimeve dhe në rënien e menjëhershme ekonomike.

E dyta, sepse ajo nuk e kontrollon dot normën e inflacionit. Inflacioni në përgjithësi në Shqipëri është i importuar dhe politikat monetare ndikojnë shumë pak ose aspak në nivelin e tij. Pra ka humbur efekti i transmisionit të politikave monetare të Bankës Qendrore në Bankat Tregtare. Ndikimin e politikave monetare në nivelin e inflacionit ne e shikojmë në lidhjen midis dy treguesve, normës së inflacionit dhe normës bazë të interesat (REPO).

                                             Dinamika e normës së inflacionit dhe normës bazë të interesat(REPO)

Emertimi 2004 2005 2006 2007 2008 2009 2010 2011 2012 2013 2014
Nr.bazë e interest (REPO)% 5.25 5 5.5 6.25 6.25 5.25 5 4.75 4 3 2.5
Nrorma  e inflacionit (fund viti) % 2.2 2 2.5 3.1 2.6 3.5 3.4 1.7 2.4 1.85 2.17M
Rritja ekonomike % 5.7 5.7 5.4 5.9 7.5 3.3 3.8 3.1 1.6 0.4 x

Lidhja midis normës së inflacionit dhe normës bazë të interesit

 Nga të dhënat e Tabelës shihet që nuk ka lidhje të fortë negative midis këtyre treguesve, përkundrazi ka një lidhje pozitive R = 0.474. Kjo lidhje duhet të rezultojë negative sepse kur ulen normat bazë të interesit (REPO) norma e inflacionit duhet të rritet. Lidhja pozitive tregon qartë se politikat e deritanishme të kësaj banke në drejtim të kontrollit të inflacionit kanë dështuar.

Lidhja midis REPO-ve dhe rritjes ekonomike

 Të njëjtën gjë mund të themi edhe për ritmin e rritjes ekonomike në lidhje me normën bazë të interesit. Duhej të kishin tendenca të kundërta, ndërsa i kanë ato të njëjta me një lidhje R=0.9. Kjo tregon se Banka Qendrore nuk ka pasur asnjë lloj ndikimi pozitiv në rritjen e ekonomisë shqiptare, për pasojë edhe mbi nivelin e papunësisë.

 Arsyet pse nuk realizohen objektivat e saj edhe në vijim kushdo të vijë Guvernator janë:

Së pari, sepse euro dhe dollari qarkullojnë si para zyrtare. Raporti i lekut me valutat në depozita po shkon drejt barazimit 50% me 50%, ndërsa kreditë në valutë zënë rreth 65% të totalit të kredive. Në këtë mënyrë ndikim të fortë në ekonomi japin valutat dhe jo leku. Kredia në valutë nuk shkon në drejtim të subjekteve ekonomike, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një pjesë e mirë e lekut shkon në drejtim të mbylljes së deficitit buxhetor nëpërmjet Bonove të Thesarit. Këto të dhëna tregojnë se roli i lekut ka ardhur vazhdimisht në rënie për pasojë duhet një reformë e thellë strukturore që ai të rivlerësohet.

 Efektet e politikave të saj monetare në kushtet e Shqipërisë janë minimale sepse norma bazë e interesit të euros dhe dollarit varen nga BQE dhe Fedi. Këto Banka i kanë ulur normat bazë në mënyrë drastike duke e sfiduar lekun, BQE e uli normën bazë të euros në 0.05% në një kohë që leku e ka 2.5%. A mundet leku të konkurrojë për kredi me një raport të tillë me euron? Kurrsesi, ai do mbetet në hije dhe do kalojë përgjithësisht drejt bonove të thesarit. Cila është zgjidhja? Zgjidhja është ose të qarkullojë 100% në treg euro dhe të hiqen leku dhe dollari ose të qarkullojë 100% leku dhe të hiqen euro dhe dollari. Kur themi të hiqen euro dhe dollari themi të hiqen nga roli i tyre si para shtetërore, të hiqen nga dhënia e depozitave dhe dhënia e kredive. Kjo të bëhet në mënyrë graduale për disa vite dhe jo nga qarkullimi me të tretët, nga një llogari e zakonshme bankare.

Së dyti, sepse kursi i këmbimit është fleksibël dhe në këto kushte leku është i pa mbrojtur. Kursi i këmbimit të jetë fiks me një kufi të poshtëm dhe të sipërm. Valuta të bëhet monopol i Bankës Qendrore dhe të mos përdoret për blerje të zakonshme. Blerjet brenda territorit të Shqipërisë të kryhen vetëm në lekë. Në këtë mënyrë do forcohet leku dhe efektet e politikave fiskale dhe monetare do jenë reale në rritjen e ekonomisë.

Së treti, nuk ka asnjë bankë tregtare me kapital shtetëror që të mbështesë politikat e  Bankës Qendrore. Prandaj duhet të çelet një Bankë Bujqësore me kapital tërësisht shtetëror. Kjo do shërbejë për kreditimin e bujqësisë dhe turizmit në njërin krah dhe si mbështetje e politikave monetare të Bankës Qendrore në krahun tjetër.

 Po qe se nuk bëhen këto përmirësime në sistemin financiar shqiptar atëherë efekti i politikave të Bankës Qendrore në rritjen e ekonomisë dhe rënien e papunësisë do jetë minimal, i papërfillshëm, kushdo që ta drejtojë atë, shqiptar apo i huaj.