Akuzohet për vrasje në Belgjikë: Kam ngecur në Shqipëri nga izolimi

317
Sigal

Një shqiptar, i cili akuzohet për një vrasje në Belgjikë, ka ngecur në Shqipëri për shkak të izolimit nga koronavirusi.

Robert Frroku erdhi në Shqipëri kur gjyqi ndaj tij u ndërpre më 16 mars pas vendmit të qeverisë belge për të nisur izolimin total.

Por kur gjyqi rinisi të mërkurën, ai nuk u shfaq në sallë.

Avokati i tij tha se Frroku udhëtoi nga Brukseli drejt Tiranës më 20 mars, kur kufijtë nuk ishin mbyllur akoma.

“Ai nuk kishte ku të qëndronte në Belgjikë. Ishte këtu gjatë tre seancave të para, por kishte vështirësi që të paguante qiranë. Meqë nuk kishte ku të qëndronte, u kthye në Shqipëri”, tha ai.

Sipas tij, klienti nuk ka ndërmend të shmangë drejtësinë belge. Seanca tjetër u caktua më 29 qershor, por nuk dihet nëse shqiptari do vijë pasi kufijtë mbeten akoma të mbyllura mes Shqipërisë dhe disa vendeve evropiane.

Robert Frroku, 24 vjeç, dhe Xhuljan Perdoda, 22 vjeç, akuzohen se kanë therur për vdekje Abdelaziz Bouhali, një 35-vjeçar.

Ngjarja ndodhi në një lokal në Bruksel në gusht të vitit 2016.

Falë kamerave të sigurisë, autoritetet arritën të identifikojnë shqiptarin frroku.

Viktima Bouhali njihej për policinë për vjedhje dhe shitje droge. Ai tentoi të spërkaste me spraj piperi drejt Frrokut. Ky i fundit mori një thikë dhe e goditi atë të paktën 20 herë.

Kamerat tregojnë se edhe Perdoda e goditi viktimën të paktën shtatë ose tetë herë.

Sipas hetimit, kjo betejë është në mesin e përdoruesve dhe trafikantëve të kokainës, shkruan portali belg 7sur7.