Aktorja e madhe e kinematografisë shqiptare sot feston 89 vjetorin e lindjes. Flet Margarita Xhepa: I jamë mirnjohëse Kombit tim !

198
Sigal

 

Albert Z. ZHOLI

E kam njohur nga afër të madhen Margarita ku ka luajtur në Greqi filmin “MIrupafshim”. Që pas asaj njohjeje me të jam takuar shpeshherë dhe kam bërë disa intervista. Ajo që kam vënë re në punën, sjelljen dhe aktivitetin e saj është se “Nderi Kombit” është e thjeshtë, korrekte, e dashur, largpamëse, vizionare, punëtore, e palodhur dhe e kudo ndodhur. Në role në sheshet e xhirimit apo në skenat e teatrit ajo tjetërsohet, ajo hyn në brendësi të personazhit dhe e zbërthen atë me detaje. Ajo nuk mundohet të bëjë zhurmë me rolet as të bëjë heroinën, përkundrazi do të përcjellë tek shikuesi, vërtetësinë e figurës së personazhit.

  • Mbush 89 vjeç dhe pësëri aktive…. Pra, si ndjehet Margarita brenda vetes, në vitin e 89 të lindjes??
    Unë ndjehem mirë mes fëmijëve, nipërve, mbesave, të afërmve, miqve dhe shokëve. Ndihem mirë se jam rrethuar me dashuri dhe respekt. Kjo ka bërë që ta mposht moshën pasi jam gjithnjë në lëvizje, jam në aktivitete, jam mes librit dhe dëshirës për të qenë në korent të çdo gjëje. Jam një nënë e lumtur- e lumtur. Kam rritur tre fëmijë, me shumë mundim, për shkak të profesionit im. Gjithsesi, si çdo nënë ndjehem e lumtur, sepse mundimi nuk më shkoi dëm, pasi fëmijët e mi janë bërë të zotë për veten dhe shoqërinë, duke qenë vetvetja. Njëkohësisht ndihem e lumtur pasi dhe në këtë moshë nuk e kam lënë profesionin mbasi herë pas here aktivizohem.

  • Shumë kritikë arti, apo kolegë thonë që roli më i bukur i Margaritës mbetet Ekuba tek “Trojanet” e Euripidit, mendimi juaj?
  • Por artisti si ndan rolet. Rolet për artistin janë si fëmijët. Por kur më përmend mendimin e artistëve të tjerë, apo regjisorëve edhe unë them që ka qenë një rol i spikatur. E pata ëndërruar këtë rol. Koha bëri të vetën. Në këtë dramë kam luajtur me aktorë të zëshëm të Teatrit Kombëtar, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Guljelm Radoja, Neritan Licaj dhe Arben Dërhemi. Ishte një rol i veçantë… Ekuba! Fjalëpakë, modeste, e thjeshtë. Ekub! Së pari mbretëreshë, më pas nënë e lumtur, pas kësaj e hidhëruar dhe e përvuajtur. Ekuba mbetet Ekubë. Tashmë kjo dramë u filmua nga regjisori i talentuar Ilir Bega që më krijoi një ndjesi të bukur.

Ajo ka lindur më 2 prill të vitit 1934 në Lushnje.

Kudo mes shqiptarëve ajo njihet si një ndër Zonjat e Mëdha të Teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Margarita Xhepa në tërë jetën e saj artistike vlerësohet për kontributin e saj në teatër, të cilin e nisi në vitin 1950, kur u aktivizua si artiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Njëkohësisht me punën ajo ka bërë edhe studimet në Liceun Artistik, Dega e Dramës.

Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj. Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë. Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë.

Me Kristaq Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me Ibrahim Muçajn e Kristaq Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me Esat Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me Piro Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me Sajmir Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gjergj Xhuvanin “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Ja si e kujton ajo jetën e saj të vështirë dhe fillimet e para në aktrim.

Isha një vajzë e brishtë, që më pëlqenin fustanet me lule, të cilët derdheshin mbi kërcinjtë e gjatë, e që ecja këmbë zbathur nëpër rrugët e Myzeqesë. Nëna ime Maria u nda prej meje, kur isha 9 vjeçe, as fëmijë dhe as e rritur, duke më krijuar një boshllëk !Eh, një fëmijëri në një kohë dhe vend të varfër, që nuk dinim se çfarë ishin lodrat, përveç kërcimit me litar. Në shkollë, shkoja me një çantë lecke dhe shpesh këmbëzbathur. Kujtoj mësuesen e parë, Sofie Kushi, që më mësoi të flas, të recitoj dhe të këndoj bukur. Sidoqoftë, si për cilindo edhe për mua, fëmijëria është një pasuri e madhe, e pazëvendësueshme, një dhimbje, që do të më shoqëronte tërë jetën. Nuk e di, por më është krijuar bindja se ishin pikërisht rrëfimet e saj, ato që ndezën tek unë dëshirën për të ndjekur më pas rrugën e bukur të artit.”

Ndërsa rolin e parë si aktore e kujton kur ka qenë në shkollën 7-vjeçare.

“Vjen një regjisor, që e kishte emrin Gëzim Libohova, që kërkonte personazhin. Meqenëse personazhi kryesor aty ishte një vajzë ruse e bukur, ai më zgjodhi mua, ngaqë isha dhe unë shtatlartë, e bardhë dhe flokëverdhë, si ruset. Shfaqja doli shumë mirë dhe me të bëmë një turne në Kuçovë, Fier dhe Patos. Sa e lumtur ndjehesha.”

Role më të spikatura të aktores Margarita Xhepa

Ajo ishte një Zonjë Bërling e përsosur në dramën e Xhon Pristlit “Vizita e Inspektorit” u vu në skenë nga regjisori i ri Dhimitër Pecani dhe u shfaq në Teatrin e Popullor në vitin 1980. Në gjithë zhvillimin e këtij spektakli, ndjehej loja e sigurt e Margarita Xhepës, në interpretimin e rolit të zonjës Bërling. Ajo u dha si një grua potente, racionale, me një paraqitje stoike, po aq ambicioze dhe mbrojtëse e interesave të ngushta të familjes së vet. Shpirti i saj akumulon vazhdimisht, gjersa shkon drejt një shpërthimi ndjenjash të vrullshme në mbrojtje të së vërtetës.

Nëna e Kostandinit

“Kostandini dhe Doruntina” kishte parë dritën e skenës në Teatrin Kombëtar në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar dhe në fundin e dhjetëvjeçarit të ri të shekullit njëzet e një, kapërcen kufirin nëpërmjet skenës greke. Tanimë shfaqja do të quhej “Besa e vëllait të vdekur” dhe do të jepej më 12 prill 2009 në Teatrin “Kappa” të Athinës, në një vështrim të ri prej regjisorit grek Sotiris Haxaqis. Ishin mbledhur e harmonizuar këtu të gjitha variantet e kësaj legjende të prodhuar në trevën ballkanike, për të krijuar atë vepër unike universale që u quajt “Mrekullia e vitit”! Thuajse e njëjta legjendë e interpretuar në pesë gjuhët e Ballkanit, me tre nëna njëherësh në skenë (greke, rumune e shqiptare), ku do të spikaste Nëna e Kostandinit, Margarita Xhepa.

Një sukses i madh i aktores ka qenë pjesëmarrja në filmin grek “Mirupafshim”, me regjisor Jorgo Koras dhe Kristo Vukuras, ku Margarita luajti rolin e nënës me aktorin më të kërkuar grek, Aqis Sakelariu. Në të gjitha faqet e para të shtypit grek shkëlqente portreti i aktores shqiptare Margarita Xhepa. S’kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ai rol i gruas i përshtatej thellë në ind dhimbjes amësore të fatit tragjik të shqiptarëve, të cilët lënë shtëpitë e familjet e tyre për një copë bukë. Dhe nuk i dihet fatit të tyre, kthehen gjallë apo të vdekur.

Një tjetër sukses i Margarita Xhepës, ishte pjesëmarrja në Teatrin Kombëtar të Athinës me “Elektra” e Sofokliut në rolin e dados, me regjisorin e njohur grek, Dhimitër Mavriqo. Kjo pra, është karriera artistike e Margarita Xhepës. Gruaja që theu tabutë në një moshë fare të re dhe u ngjit në skenën shqiptare për t’u bërë mit i bukurisë dhe profesionit aktoresk. Dhe ia arriti qëllimit të saj fisnik e profesional, ku dha shumë nga jeta e saj e derdhi të gjithë mirësinë e shpirtit të gruas dhe të nënës shqiptare.