Aksidenti te “Rruga e Kavajës”, përmirësohet gjendja e çiftit Konomi që u përplasën nga “G- Class-i” luksoz

63
Sigal

Arjan dhe Vilma Konomi, çifti që u përplas dy ditë më parë (8 maj) nga Ajas Sulejmani teksa po ecnin në vijat e bardha kanë dalë nga reparti i trajtimit Intensiv në Spitalin e Traumës.

Bashkëshorti rezulton se kishte marrë dhe dëmtimet më të mëdha duke pasur thyerje në legen si dhe fraktura të rënda në këmbë.

Ndërkohë bashkëshortja Vilma ka pasur  hemorragji të brendshme për shkak të përplasjes nga mjeti luksoz i Ajas Sulejmanit.

“G Clasi” përplasi edhe foshnjën tre muajshe të çifti e cila shpëtoi për mrekulli me dëmtime të lehta.

Foshnja ka dalë dje nga spitali dhe fillimisht është marrë nga familjarët. Duke qenë se Vilma Konomi është përmendur ditën djeshme dhe ka kërkuar vajzën e vogël, foshnja është  rikthyer në spital dhe do të qëndrojë me prindërit.

Çifti Konomi është zhvendosur në pavion dhe po trajtohet për Politraumë.

Arjan dhe Vilma Konomi së bashku me foshnjën e tyre po kalonin në vijat e bardha në afërsi të kompleksit Deliorgji te Rruga e Kavajës më 8 maj.

Me shpejtësi dhe me të kuqe, Ajas Sulejmani përplasi te vijat e bardha çiftin. Pasi shkaktoi aksidentin, autori 39 vjeçar braktisi aty mjetin luksoz me targa gjermane dhe u largua menjëherë.

Shumë pranë vendngjarjes, uniformat blu ndaluan dhe shoqëruan në komisariat të afërmin e Sulejmanit që ndodhej pasagjer në mjet.

Tre orë pas aksidentit, në një spital privat po në Tiranë, u arrestua 39 vjeçari Ajas Sulejmani, i cili pretendonte se ishte larguar nga vendi i ngjarjes pasi në makinë kishte një tjetër fëmijë që ishte lënduar. “Mbrojtja” e tij është e pavërtetuar. Nga testi rezultoi se 39 vjeçari po e drejtonte makinën nën efektin e narkotikëve.

Shoferi 39 vjeçar nuk është një emër i pa njohur për autoritetet. Ajas Sulejmani jeton mes Gjermanisë dhe vendit tonë. Ndërsa në vitin 2014 emri i tij ishte në listën e të shpallurve në kërkim për trafik droge nga policia në Angli. Por mbetet e paqartë nëse e ka mbyllur çështjen me drejtësinë angleze.