Aksi Durrës-Kavajë i tej mbushur me mbikalime të paligjshme dërrasash

1039
Sigal

RREZIK I DYFISHTË/Banorët: Protestuam kur u ideua projekti. Rruga pengon zhvillimin e biznesit në zonën turistike

Rruga automobilistike Durrës – Kavajë është përmirësuar ndjeshëm në disa zona, sidomos sektori i saj Plepa-Golem, ndërsa pjesa në udhëkryqin e Golemit sot për sot është një kalvar i vërtetë për çdo shofer që kalon nëpër të, pasi punimet janë zvarritur dhe aktualisht janë të pambaruara duke krijuar shpesh situatat e rënda me bllokime të shpeshta që jena të herëpashershme. Po përveç saj në këtë rrugë vihet re edhe një fenomen tjetër. Duke udhëtuar vëren se janë kudo anash rrugës dhe brezave të betontë që përkufizojnë skarpatat anësore, shumë shkallë të drunjta të vendosura në faqet e pjerrëta prej betoni të vendosura nga banorët. Ose dhe nga pronarët e hotelerive anash rrugës, të cilët preferojnë t’ju afrojnë klientëve këto shkallë për lehtësi lëvizjeje, qofte edhe duke rrezikuar diçka. Pa u kujtuar se ajo që rrezikohet është jeta e tyre.

Zgjidhja e momentit

Ata, nga mungesa e mbikalimeve të shumta që duhen ose dhe e nën kalimeve janë të shumta për të vendosur në zgjidhje të një nevoje për të kaluar sa më shkurt për të arrirë në destinacion duke mbartur me vete edhe koston e rrezikut. Po në se këto mbikalime janë të justifikuara deri diku për shkak se shkurtojnë shumë rrugë deri tek mbikalimet, të çuditshme janë pikërisht shkallët e drunjta të vendosura nën mbikalime. Ato shërbejnë kryesisht për banorët që kalojnë nga rruga në trasenë e lartë që ecën paralel me vijën hekurudhore, ndërsa kur vinë nga krahu tjetër zakonisht moshat e reja kërcejnë në rrugë pa pasur nevojën e përdorimit të shkallës. Një rast të tille e fiksuam në objektivin e aparatit fotografik kur një nga të rinjtë po matej të kërcente në rrugë. Po të besh një numërim të këtyre mbikalimeve prej dërrase ato janë mbi 24 copë në 25 km rrugë gjithnjë në aksin Durrës – Kavajë. Dhe janë të tipeve të ndryshme duke filluar nga shkallët e thjeshta prej druri, plloshata dërrase që kanë shërbyer më parë si ambalazh objektesh si dhe shkallë dërrase me dy kate ose të tipit dupleks. Të cilat janë gjithnjë një rrezik i dyfishtë qofte për kalimtarët, qoftë për shoferët që udhëtojnë natën, pasi kanë gjithnjë rrezikun e përplasjes me to sidomos për shoferet që kalojnë rrallë herë dhe nuk kanë arritur që të ambientohen në këtë terren të veçantë.

Fenomeni përsëritet

Ky fenomen ndeshet edhe në zonën e Rrogozhinës e Lushnjës, dhe duhet të bëhet domosdoshmëri zgjidhja e këtij fenomeni që rrezikon jetë njerëzish. Është një rrezik me dy pamje. Rrezikohen kalimtarët ashtu siç rrezikohen mjetet të përplasen thjeshtë me to.

Banorët

Një banor i kësaj zone thotë se ka pasur shumë protesta kur u ideua rruga ka pasur shumë pakënaqësi nga banorët e zonës kodrinore dhe bizneset. M. Koka thotë se rruga pengon biznesin lokal pasi ndërpret kalimet normale drejt detit, dhe kjo në sezon vere është ‘marrje fryme’ për bizneset e zonës në kodër. Zydi Xhaferri, një 50-vjeçar thotë se, rrezikojmë çdo ditë pasi mungojnë nënkalimet e shumta që janë të domosdoshme për zonën se është zonë turistike. Ose mbikalimet që duhet të jenë më shumë prezente në ndarjet që i janë bërë bregut të detit me zonën kodrinore të plazhit të Golemit.

Nxënësit në rrezik

Shumë e domosdoshme është dhe ngritja e një mbikalimi në zonën, ku ndodhet anash rrugës së fshatit Qerret shkolla 9-vjeçare. Atje vijnë një numër i madh nxënësish nga Agonasi dhe fshatrat kodrinore. Po në këtë zonë, ku ka shumë nxënës që çdo mëngjes kapërcejnë rrugën në këmbë dhe me sa duket është harruar se dhe fëmijët që janë e ardhmja e kombit, janë të vlefshëm ashtu si dhe pushuesit. E keqja e mungesave të mbikalimeve ose dhe e nënkalimeve është faktike duhet te ecësh shumë në këmbë dhe kjo i bezdis të ardhurit dhe jo vetëm ne, thonë banorët.

Problem edhe kazanët

Krahas tyre një problem tjetër është edhe lënia e kazanëve të plehrave në anë të rrugës. Tashmë ato janë objekte që ndjellin rrezik në mënyrën se si janë lejuar të instalohen. Këto objekte në të shumtën e rasteve janë të dëmtuara nga përplasjet që kanë ndodhur, pasi janë jashtë kritereve. Po ndonjëherë duke u dhënë pas zgjidhjes së gjerave kryesore, harrohen gjërat e vogla që kur bëhen të rrezikshme është e vështirë që t’i korrigjosh. Të gjitha këto përbëjnë shkelje ligjore. Po kur shkelja e ligjit kthehet në një ligj të pashkruar atë e paguajnë njerëzit me kokë.