Lëkundje “sizmike” në Sarandë, thyhet heshtja klanore në PS

628
Sigal

Largimi i paralajmëruar i tre këshilltarëve bashkiakë nga PS te LSI riktheu klimën e luftës klanore në Partinë Socialiste të Sarandës. Pas skandaleve, ku u shkel statuti i partisë nën drejtimin e deputetes Xhuvani vazhdoi një heshtje shumë mujore që ankesat e socialistëve të dëgjoheshin nga Edi Rama. Si fillim, 7 muaj më parë Edi Rama reagoi ashpër ndaj ankuesve, pasi mori informacionet nga baza ai tërhoqi vëmendjen për politikat klienteliste në emërimet në Bashkinë Sarandë dhe Konispol, duke kërkuar largim nga nepotizmi familjar. Edi Rama nuk e pati informacionin mbi zgjedhjet e emëruara në forumet e grave derisa mocioni i socialistëve nuk mund të fshihej më. Nisën presionet mbi të punësuarit në bashki që të tërhiqnin firmën në mocionin nga Luiza Xhuvanit e Gjergj Mërkurit. Firmëtarët e mocionit 70 anëtarët e asamblesë u paragjykuan si të pashkollë, karrieristë, deri në dallimet krahinore ndërsa emisarët e kryetarit nisën refrenin bashkim për fitoren e madhe të 23 Qershorit. Deklarimi i tre këshilltarëve për largim nga PS-ja rastësisht përkoi me një ditë të lëkundjeve sizmike, si për të kujtuar se cikli i natyrës ka ligjet e veta dhe natyra njerëzore mbetet imituese e saj, në krijim dhe zhvillim.

Të rinjtë me LSI në këshill me “Grupi Reformator i Qendrës”

Këshilltarët në mbështetje të Rregullores së Këshillit Bashkiak, neni 16 për organizimin e grupeve të këshilltarëve, deklaruan pranë sekretarisë së këshillit se: “Pasi kanë njoftuar subjektin politik PS për largimin, njoftojnë për aderimin e tyre në subjektin politik Lëvizja Socialiste për Integrim një grupi të ri  dhe krijimin e  “Grupi Reformator i Qendrës”, me kryetar Hajri Goxhaj dhe nënkryetare Enkelejda Vasili. Pas publikimit të lajmit ata u vendosën nën presion telefonatash dhe komentesh, ju larguan deklarimeve në media për faktin se, qëndrimi i tyre nuk ka lidhje me interesa personale, ata zgjodhën një alternativë më demokratike, ku i respektojnë për vlerën individuale dhe potencialin që ofrojnë. Dr. Enkelejda Vasili, është një nga kandidaturat e zgjedhura nga vetë zoti Edi Rama dhe si një imazh i ri, ndërsa u “masakrua” në zgjedhjet e forumit të gruas, ku kandidoi për kryetare dhe u dorëhoq pasi Luiza Xhuvani i drejtoi ato zgjedhje duke përjashtuar strukturat drejtuese lokale të partisë, e duke përdorur emrin e zotit Rama.

Feruz Basho: I përjashtuam!

 “Sot, përmes një deklarate të nënshkruar nga Delfin Hajnaj, Enkeleda Vasili e Hajri Goxhaj, jam sinjalizuar për largimin e tyre nga PS-ja e njëkohësisht edhe nga grupi i këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Sarandës. Personat që u larguan nga familja e madhe socialiste kanë me vete edhe ngarkesën e votave të elektoratit dhe, si të tillë, duhej të ishin treguar më të përgjegjshëm për hapin e gabuar që ata hodhën. Këta persona kishin disa muaj që kishin thyer në vazhdimësi vendimet politike të partisë”, deklaroi Feruz Basho. Nën presion justifikimi ai pohon se tani i deklaron të përjashtuar dhe se ata kishin tre muaj që diskutonin rreth situatës së krijuar, por heshtja e zotit Rama ndaj veprimeve arbitrare të klanit Gjoni – Xhuvani në Sarandë nuk la shteg për përmirësime të gjendjes.