Abuzimi me tenderin 24 milionë lekë për kanalet vaditëse, përfundon gjyqi për Fatos Tushen

152
Sigal

Ka përfunduar gjyqi për ish-kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe. GJKKO ka vendosur të shpallë vendimin më 13 korrik për Tushen dhe 21 të hetuarit në Bashkinë Lushnje.

Tushe u arrestua me 6 korrik të vitit të kaluar bashkë me ish-vartësit e tij për akuzën shpërdorimit të detyrës. GJKKO ka rrëzuar disa herë kërkesat e tij për liri.

Arrestimi i Tushes u bë lidhur me një tender me vlerë rreth 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Posaçme të nisura në 2020-ën rezulton Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.

Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se ish-kryebashkiaku i Lushnjes, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK  ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut.

Një tjetër episod  kundër ish-kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.