8 kilogram kanabis në makinë, arrestohen dy të rinj në Fushë Krujë

297
Sigal

Policia ka arrestuar dy persona ditën e sotme në Durrës, ndërsa një i tretë është në kërkim.

Lajmin e ka bërë të ditur policia me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan se personave u janë gjetur 8 kilogram dhe 200 gramë kanabis sativa në një makinë tip Audi. Të arrestuar janë Eduart Saka 31 vjeç dhe Romario Xhixha 25 vjeç. Ndërkohë që në kërkim është shpallur personi me iniciale A.Xh.

Postimi i policisë:

DVP Durrës. Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Durrës. Sekuestrohen rreth 8 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e disponuara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, u organizua puna dhe finalizua me sukses operacioni i koduar “Tranzit”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: R. U., 25 vjeç, banues në fshatin Larushkë, Krujë dhe E. S., 31 vjeç, banues në fshatin Gramëz, Fushë Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në Fushë Krujë, gjatë kontrollit në mjetin tip “Audi” në pronësi të shtetasit R. U., ku ndodheshin dhe shtetasit A. Xh. dhe E. S. (posedues të lëndës narkotike), u gjet një sasi prej 8 kg e 200 gr. lëndë narkotike cannabis sativa, të cilën do ta blinte shtetasi R. U.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Xh., 37 vjeç, banues në fshatin Larushkë, Krujë dhe po punohet për kapjen e tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 8 kg e 200 gr lëndë narkotike cannabis sativa dhe mjeti tip “Audi”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.