70 vjet gjimnazi “Ali Demi”

3888
Nga Ergys Alushi
Mëngjesi e 7 tetorit 1947, përpara një godine të vogël dykatëshe, në lagjen Varosh, pati një gjallëri të pazakontë. Grupe të rinjsh të moshave nga 14 deri ne 19 vjeç, do të tërhiqnin vëmendjen e shtëpive përreth, të cilat jetonin përdite me monotoninë e atyre pak ngjarjeve, historitë e të cilave tregoheshin nga njerëzit që jetonin në të dyja anët e rrugicës së vjetër. Aty rreth orës 10, kur numri arriti në 42, u përhap lajmi se tek godina do të hapej një shkollë e mesme dhe të rinjtë aty, të veshur me rrobat më të mira që mund të kishin, ishin nxënësit e saj të parë. Disa ditë më parë, dy mësues të njohur të asaj kohe në qytet, Koço Papaproko dhe Kostaq Baltadori, kishin rregjistruar të rinj nga Vlora dhe Fieri me premtimin se shumë shpejt do të hapej në qytet një shkollë e mesme. Dhe në të vërtetë kështu ndodhi, kur në oborrin e vogël të shtëpisë së vogël dykatëshe, do të merrte jetë shkolla që në historinë e arsimit vlonjat dhe atij shqiptar, do të njihej si gjimnazi “Ali Demi” Në dokumentet e asaj dite shkruhet, se për shkollën u morën me qira një dhomë dhe një aneks, ku e para shërbeu si klasë dhe e dyta për sekretarinë, zyrën e drejtorit dhe sallën e mësuesve së bashku. Libra nuk kishte. Mësimet jepeshin me shënime dhe bankat ishin shumë të vjetra dhe asnjera nuk ngjasonte me tjetrën. Dyshemeja ishte e vjetër dhe dërrasat kërcisnin qoftë edhe me lëvizjen më të vogël. Në inventarin e vitit të parë të shkollës numëroheshin 20 banga, dy tavolina, 3 karrige dhe një dërrasë e zezë. Orët e mësimit kryheshin në kushte shumë të vështira.Një dhomë dhe një aneks në katin e dytë. Dhoma shërbente si klasë, kurse nga ana tjetër aneksi, si sallë për mësuesit, drejtorinë dhe sekretarinë. Nxënësit qëndronin në klasë pa lëvizur në të gjitha orët e mësimit që zhvillonin gjatë gjithë ditës, ndërsa mësuesit ndërroheshin në bazë të lëndëve që jepnin mësim, por shpesh nuk mungonin dhe rastet kur dy mësues njëkohësisht zhvillonin mësim në këtë klasë të vetme të shkollës.
Kujtojnë ish nxënës e mësues të parë
Në festimet për 30 vjetorin e hapjes së gjimnazit “Ali Demi”, në vitin 1977, një nga nxënëset e para të këtij gjimnazi, do ta kujtonte kështu maturën e parë

Kostaq Baltadori ( mësues i parë )
Më kujtohet se regjistrimet e nxënësve në shkollën “Ali Demi”u bënë në fillim të muajit tetor të vitit 1947, në ish shkollën tregtare ku u shkrojtën 42 nxënës të ardhur nga shkolla 7-vjeçare të qytetit dhe pak nga fshatrat përreth. U shkrojtën 38 nxënës djem dhe vetëm 4 vajza. Nësimet filluan në lagjen: “Varosh” në rrugën: “Kristoforidhi”, numër 16, në një ndërtesë të vjetër me 2 dhoma në katin e parë dhe një në katin përdhe, që përdorej për depo drush. Në maturën e parë morrën dëftesat e pjekurisë 22 nxënës prej të cilëve 4 vajza. 

Erazmia Panozaqi ( nxënëse )
“Dy mësues efektivë, kishim në fillim. Harilla Kuçulin dhe Ilia Gumën, të tjerët ishin të jashtëm. Vitin e parë e bëmë shkollën në një shtëpi të vogël dykatëshe. Një klasë kishte atje, drejtorinë dhe sekretarinë. Edhe tekste nuk kishim të gjithë, shpesh e kopjonim mësimin në fletore, por megjithatë ne mësonim mirë. Bardhyl Golemin e kishim më të mirin e klasës, ai shumë herë na ndihmonte”

Besim Turdiu ( mësues ).
Një grusht nxënësish kanë qenë atehere, por ama kishin një kolektiv të mirë. Mbaj mend që në maturë, në fizikë, vetëm unë e kisha tekstin dhe me ketë tekst, që kalonte dorë më dorë, mësonin të gjithë dhe vinin gjithmonë të përgatitur. Në maturë të tërë kaluan dhe me nota të mira.
Drejtori i parë i gjimnazit ishte Koço Papaproko që jepte lëndën e gjeografisë dhe të historisë. Lista e vogël me emrat e themeluesve të shkollës “Ali Demi”, vazhdon me Xhevdet Kofinën, Koço Baltadori, Ilia Guma,Tish Daia, Anthulla Osmanlli, Ymer Beqiri, Kel Gashi, Harilla Kuçuli dhe Gani Shehi. Gjatë vitit të parë, mësoheshin lëndët e gjuhë-letërsisë, matematikë, gjeografi, serbo-kroatisht, histori, shkenca biologjike, fiskulturë, muzikë dhe vizatim.

Sipas kujtimeve të Kostaq Baltadorit “Në vitin e dytë shkolla vazhdoi mësimet në rrugën e skelës në ish-shkollën tregtare (ku punoi për 11 vje ), pastaj në një ndërtesë të re brenda në qytet dhe, prej vitit 1970, u vendos në një ndërtesë tjetër të re ku ndodhet sot në rrugën kryesore të qytetit“

Gjatë vitit 1948—1949, u hap një klasë e re dhe u shtua numri i mësuesve, ku drejtor ishte Ligor Prifti. Jeta e shkollës nisi të gjallërohej. Rrethi letrar nxori talentet e para dhe shkolla filloi të botonte gazetën e saj që drejtohej nga Anastas Dobi. 

Vlerësimet e para
Në dokumentet e viteve të para dhe pikërisht të dhjetorit 1948, në vendimin e një mbledhje të këshillit pedagogjik, jepeshin vlerësimet dhe për nxënësit më të mirë të klasave. Kështu për nxënësit e klasës së parë bëhet ky vlerësim: Jani Kushta i pari; Jorgji Zaho i dyti; Aliqi Polo e treta.

Për klasën e dytë: Qezar Jaçe i pari; Bardhyl Golemi i dyti; Anastas Dodi, Kristaq Papa dhe Ahmet Kulla të tretët.

Maturantët e parë 
Në fundin e maturës së parë, në vitin 1951 do të merrnin dëftesën 22 nxënës nga 48 që u regjistruan në 7 tetor 1947. Emrat e maturantëve të parë janë, Agim Kripa, Anastas Dodi, Bardhyl Golemi, Daut Shtino, Agathokli Lluka, Ahmet Kulla, Enver Sorra, Erazmie Panozaqi, Hazbie Qallimi, Janaq Syko, Jani Isaia, Xhorxhi Skrami, Kristo Papa, Llambi Gjika, Manol Shamo, Martha Naço, Mërkur Alimerko, Milita Doko, Muhamet Haxhiu, Njazi Sorra, Përparim Muço dhe Vangjel Pici.

Maturat e para
Maturën e parë e kaluan në vitin 1951 vetëm 22 nxënës, prej të cilëve veçohet Bardhyl Golemi që vlerësohet me medalje ari. Gjatë maturës mësimore 1947-1951, në gjimnaz jepnin mësim 10 arsimtarë, prej të cilëve 2 ishin femra. Numëroheshin 7 dhoma mësimi me 180 vende me banka, 5 klasa, ku vetëm viti i parë i shkollës kishte 2 paralele.

Numri total i nxënësve ishte 163, prej të cilëve 38 femra.
Maturën e dytë, 1951-1952 e kaluan 19 nxënës, ku dallohet për rezultate të larta në mësime, Jorgji Zaho. Maturën e tretë, 1952-1953 e kaluan 30 nxënës, ku spikat si nxënësi më i mirë, Ibrahim Zejno, i cili është vlerësuar nga këshilli i bashkisë me titullin “Qytetar nderi” i qytetit të Vlorës, për kontributin e dhënë në arsimin e Vlorës, duke qenë njëkohësisht një nga emblemat, jo vetëm si ish-nxënës, por edhe si mësues i gjimnazit “Ali Demi” Maturën e katërt 1953-1954 e kaluan 50 nxënës, ku dallohet nxënësi Dhimitër Anagnosti. Maturën e pestë 1954-1955 e kaluan 58 nxënës, ku spikasin nxënësit Meramet Hila, Ëngjëll Saliu, etj. Maturën e gjashtë 1955-1956 e kaluan 63 nxënës, ku veçohen ndër të dalluarit e shkollës, Meleq Skëndo dhe Gafur Shameti. Maturën e shtatë 1956-1957 e përfunduan maturën 65 nxënës. Viti 1958-1059 ishte i fundit që gjimnazi qendroi te ‘Jani Minga’.Ai u zhvendos në një godinա të re që eshte sot shkolla “Naim Frashëri”. Ishin 12 klasa me 450 nxënës me 18 mësues. Kalueshmeria 66 për qind, ku morën dëftesën 56 nxënës. Dallohet nxënësi Theofil Mako.
– Vijon –
Sigal