613 kg kokainë në Portin e Durrësit, sekuestrohen milionat e kompanive të përfshira në trafik

795
Sigal

Janë sekuestruar këtë të enjte asetet dhe paratë e dy kompanive të përfshira në trafikun më të madh të drogës, të regjistruar ndonjëherë në portin e Durrësit, sasisë së madhe prej plot 613 kilogramësh kokainë që u kapën disa javë më parë në qytetin bregdetar.

Në vijim të hetimeve për asetet me burim kriminal, pas operacionit “Last Snoë” ku u sekuestruan 613 kg kokainë në Portin e Durrësit disa muaj më parë, Task Forca Speciale bëri sekuestrimin e llogarive bankare në emër dhe për llogari të subjekteve “Arbri Garden” shpk dhe “Ecoalmax” shpk.

Vlera totale e sekuestruar është rreth 38 mijë dollarë dhe mbi 10 milion lekë (të reja), që dyshohen si të përfituara nga aktiviteti kriminal i shtetasve të ndaluar nga Policia.

Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, po vijon hetimet intensive për këtë grup të dyshuar që operonte në fushën e trafikimit të drogave të forta.