Prof. Kujtim Bevapi: Mjeku i dy popujve Prof. Adnan Kastrati

1487
Sigal

Mjeku i dy popujve (Prof. Dr. Adnan Kastrati)

Nga Prof. As. Dr. Kujtim Bevapi

Në historine e mjeksisë shqiptare, ka disa figura, që me veprimtarinë e tyre brenda apo jashtë vendit, në periudha të ndryshme kohore, ngriten lart emrin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Një ndër ta është dhe Prof. Adnan Kastrati. I rritur dhe i edukuar në një mjedis patriotik, shpejt ai do të spikasë për karakterin e fortë, inteligjencën e lartë, aftësinë dhe dashurinë për miqtë e shokët, sakrificën dhe dëshirën e pafundme për të ecur përpara, vetëm përpara.
U lind në Tiranë në vitin 1955, përfundon studimet në mjeksi në vitin1979.
Për një periudhë kohore punon pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, tok me shokun dhe mikun e tij, kardiologun Artan Deliana, që fatkeqësisht u nda nga jeta në moshë të re.
Pas mbarimit të specializimit në kardiologji ne Tiranë, përmes një burse për kërkime shkencore njihet me Departamentin e Kardiologjisë si të Klinikës universitare të Heidelbergut dhe të Universitetit teknik të Mynihut(1991-1993). Me përfundimin e specializimeve dhe punës kërkimore, merr titullin Doktor i Shkencave në vitin 1988 në Tiranë.
Titulli Professor i jepet në vitin 2000 në Mynih pas nje karriere të gjatë shkencore dhe kërkimore pranë Universitetit teknik të Mynihut.
Pikat kyce të punës së tij kërkimore qëndrojnë në përmirësimin e strategjive të trajtimit të pacientëve me sindromin akut coronar, në zbulimin e stenteve të rinj medikamentoze dhe përmirësimi i sigurisë dhe efektivitetit të profilittë tyre.
Aktualisht drejton qendrën kërkimore ISSAR në fushen e kardiologjisë duke u marrë me punë kërkimore shkencore. Është vlerësuar me disa tituj nga shoqata kardiologjike gjermane dhe europiane.


Rasti e solli që dhe autori i këtij shkrimi të kërkonte ndihmën e Profesorit, i cili pa hezitim vendosi të ma japë atë, duke marrë përsipër rastin tim, që në koronarografi njihej si mjaft i vëshitirë, në një kohe kur mjeke kardiologe gjermane, e konsideronin thuajse të pamundur për tu realizuar.
Me një ndërhyrje spektakolare, brenda një harku kohor prej rreth 2 orësh, Adnan Kastrati ndërpreu përfundimisht kroniken e një vdekjeje të paralajmëruar. Në Kliniken Kardiologjike Universitare, kryefjala ishte Prof. Kastrati. Të shumtë, qenë gjermanët që kërkonin trajtimin prej tij, por të shumta ishin edhe kërkesat, që vinin nga disa vende të Europës, deri në Rusinë e largët, në adresë të profesorit.
Por Shqipëria dhe shqiptarët, mbeten dashuria dhe brenga e tij, për të cilit ai nuk u kursye asnjëherë. Profesor Kastrati u bë diell që të mbuloi intelektualët fatkeqë shqiptarë, që me para borxh, merrnin rrugën e mundimshme drejt klinikës universitare të Mynihut, për të shkuar tek Adnani, por që ishin gati të shkonin edhe në Kine, nëse do të duhej për të kërkuar ndihmën e tij. Një mjek simpatik, i dashur dhe i qeshur, komunikues e këshillues me pacientët, por fjalëpak e serioz, për të cilin fliste vetë puna, si profesionist e shkencëtar. Me shqiptarët fliste vetëm shqip, një shqipe të pastër letrare, gjuhën e sotme standarte. Ky ishte dhe një mesazh i fuqishëm edhe për ata mjekë dhe mjeke bukeshkalë, të cilit kishin “harruar” gjuhën e memës në Gjermani, në komunikimin e përditshem me personel shqiptar, apo në konferencat shkencore me kolegët e tyre të ardhur nga Shqipëria, të cilët me padurim prisnin të krenoheshin me ta. Për fat të keq, ata reflektonin ftohtësi e zymtësi, duke u kthyer në personazhe të Franc Kafkës.
Por Adnan Kastrati, nuk kërkoi asnjëhëre poste dhe ofiqe nga pushteti, as mendoi ndonjëherë të rreshtohej si militant komunist, apo të merrej me partitë politike, gjatë proceseve demokratike në Shqipëri. Ai qëndroi larg kllounëve dhe shakaxhinjëve të demokracisë, sepse kishte një tjetër objektiv, objektivin e shërbestarit dhe veprimtarit ndaj dy popujve, atij gjerman dhe atij shqiptar. Kjo e rrit më shumë figurën dhe vlerën e tij si intelektual, patriot e profesionist i shquar, duke e ngritur atë në kreshtën e historisë moderne të mjeksisë shqiptare, i cili nderin e kërkoi vetëm në atë, që poeti ynë i kombit N. Frashëri, e ka gdhendur poetikisht në vargjet: “ Ti shqipëri me jep nder” .