388 milionë lekë për etiketat e veshëve të viçave, 1 milionë euro për “çimkat” e këmbëve të fermerëve!

569
Thuhet, se pas kodifikimit të viçave, do të bëhet tenderi 1 milionë euro për “dixhitalizimin” e numrit dhe monitorimit të fermerëve, veçse jo duke i pajisur me kompjutera, por me… “çimka elektronike në këmbë”, për t’i mbajtur nën kontroll me sistem vrojtimi audio-video direkt nga “sallat operative” të Ministrisë së Bujqësisë, Kryeministrisë, drejtorive të bujqësisë, prefekturave, qarqeve e bashkive… 
Ndërkohë që fermerët shqiptarë në këto ditë janari, janë të tronditur prej përmbytjes që u bëri shiu fushave, shtëpive e blegtorisë së tyre, qeveria ka zhvilluar dhe finalizuar një tender të çuditshëm. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, mësohet se fondi fillestar i akorduar për emergjencat rehabilituese të fermerëve të përmbytur është 20 milionë lekë. Nuk e dimë, nëse do të ketë akordime fondesh të tjera për këtë hall që i ka zënë, por bëjmë me dije se sot, nëpërmjet gazetës “Telegraf”, veshët e fermerëve e të krejt shqiptarëve do të dëgjojnë këtë lajm absurd: Në 7 dhjetor 2015, Ministria e Bujqësisë ka zhvilluar një tender me vlerë 388 milionë lekë për pajisjen e viçave me etiketa, matrikuj të perçinosur në veshët e tyre! Sipas këtij tenderi, të fituar nga një firmë që merret me tregti ilaçesh e jo me prodhime dekori, plastike, apo dizajni, Ministria e Bujqësisë ka vendosur të financojë “regjistrimin e popullsisë” së viçave, lopëve e bagëtive të imëta. Nga ky proces regjistrimi, sipas objektit të tenderit, përjashtohen vetëm… gomerët, kafshët kanë të drejtën e kalimit “Shengen” në kufi (VKM e importit të gomerëve pa TVSH). Por, sipas 22 VKM-ve, 11 ligjeve e 36 urdhrave “Për llojet e kafshëve, paçka se gomerët janë kafshë që përdoren për punë, përveç përjashtimit nga regjistrimi, janë të përjashtuar edhe nga trajtimi mjekësor veterinar duke u parë “me racizëm”, mbasi sipas kategorizimit të bërë nga “ekspertët” e Ministrisë së Bujqësisë, gomerët janë përfshirë në grupin “Kafshë jo produktive për shoqërinë”. Saktësojmë e kujtojmë, që tenderi 388 milionë lekë për etiketat e veshëve të viçave është publikuar në Buletinin Nr. 41, datë 20 tetor 2015, shpallja e fituesit të tenderit është bërë në Buletinin Nr. 47, datë 1 dhjetor 2015, ndërsa njoftimi për lidhjen e kontratës me firmën fituese është bërë në Buletinin Nr. 48, datë 7 dhjetor 2015. Sipas këtij njoftimi zyrtar, etiketat e veshëve të viçave kanë pasur si afat përfundimi datën 31 dhjetor 2015, mbasi kështu e përcakton detyrimi për realizmin e kontratës së tenderit (1 muaj pas lidhjes së kontratës). Prej 10 ditësh, çdo viç e lopë që ka qenë pa matrikullim, me tenderin 388 milionë lekë duhet të ketë “të qepur” në të dy veshët etiketat, ose “Kartat e identitetit”(siç shprehen me tallje fermerët), ndërkohë që shteti ende nuk ka regjistruar (matrikulluar) vetë fermerët, numrin e të cilëve nuk e di se sa janë. Por, duket se ministria ka menduar edhe për futjen nën kontroll e monitorim të fermerëve shqiptarë. Sipas burimeve të Gazetës “Telegraf”, procesi i regjistrimit të kafshëve e bagëtive në Shqipëri, pas kodifikimit të vicave e lopëve, thuhet se procesi do të vazhdoj edhe me tenderin 1 milionë euro, që do të zhvillohet për “dixhitalizimin” e numrit dhe monitorimit të fermerëve. Veçse, jo duke i pajisur ata me kompjuter, por me… “çimka elektronike në këmbë”, si ato që përdor policia për personat e vënë nën mbikëqyrje. Është një proces, që synon mbajtjen nën kontroll të fermerëve shqiptarë me sistem vrojtimi audio-video direkt nga “sallat operative” të Ministrisë së Bujqësisë, Kryeministrisë, drejtorive rajonale të bujqësisë, prefekturave, qarqeve e bashkive. Nëpërmjet këtyre “çimkave”, parashikohet të “monitorohen” fermerët se ku ndodhen në çdo moment të ditës… 
Sigal