30 “kazanët” e koncesioneve që do “ushqejnë” pushtetin e “Rilindjes” edhe më 18 qershor

585
Ndërsa Rama foli dje për “Veting”-un me votuesit e rinj, nuk u dha asnjë shpjegim “votuesve të vjetër” të 2013-ës, se përse nuk bëri drejtësi me koncesionet
Në programin e “Rilindjes” së katër viteve më parë, u premtua për vendosje drejtësie për pasuritë kombëtare të falura e shitura me koncesione mafioze, madje u deklarua se do të të viheshin pranga për ata që i dhanë dhe sekuestro për ata që i përfituan, por askujt dhe asgjëje nuk iu prek as “fija e flokut”, mbasi kupola e “Rilindjes” kuptoi se këto koncesion-pazare nuk ishin “dajaku” por “luga” që ushqen pushtetet, mjafton që t’i lejosh dhe të vazhdosh t’i“furnizosh” me fonde publike…
Fushata elektorale e “Rilindjes” e të njëjta periudhë e 2013-ës, kishte një program qeverisës brenda të cilit ishte edhe pjesa ekonomike, me një platformë me 30 projekt-zgjidhje konkrete, që do të realizoheshin pas ardhjes në pushtet. Në pushtet erdhën me 1 milion vota. Por duket, ky “det” votash nuk u përligj me asnjë nga ato premtimet e bëra për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, drogës, koncesioneve, nepotizmit në administratën shtetërore etj., motive për të cilat shqiptarët e votuan “Rilindjen”. Sot, 4 vite pas shpalosjes së programit “rilindës” të hartuar nga “profesorët” e rinj e të vjetër të kësaj partie, jo vetëm nuk ka ndodhur asnjë ndryshim, por janë konsoliduar e “çimentuar” me fortë e më thellë “themelet” dhe “kolonat” e “zullumeve” që “Rilindja” u betua se do t’i zhdukte. Konkretisht, në ish-programin 2013-2017 të “Rilindjes”, u tha se do të shkuleshin koncesionet, monopolet në ushqime,, transport rrugor, detar e ajror, në reklama, në universitete private, shëndetësi, ilaçe, HEC-e, licenca, leje ndërtimi, fshatra turistikë, rrugë, minerale, naftë etj. Madje u premtua edhe burg, për ata që i dhanë dhe sekuestro për ata që i përfituan. Po çfarë ndodhi? Askujt dhe asgjëje, nuk iu prek as “fija e flokut”. Pse? Sepse kupola e “Rilindjes” kuptoi që këto nuk ishin “dajaku” por “luga” që ushqen pushtetet, mjafton që t’i lejosh e të vazhdosh t’i“furnizosh” me fonde publike me tenderë, koncesione,.monopole e me çdo mjet tjetër, që u shton financat dhe pasuritë e paluajtshme! Dje Tirana gjëmoi nga një miting i “Rilindjes”. Ndërsa Rama foli për “Veting”-un me votuesit e rinj, nuk u dha asnjë shpjegim “votuesve të vjetër”, se përse nuk bëri drejtësi me koncesionet. Çfarë t’u thoshte? Që ato janë “kazanët” ku vazhdon të ushqehet edhe “Rilindja” si parti dhe personalisht disa individë që kanë uzurpuar kupolën e saj. Cilët janë aktualisht pesë “kazanët” që kanë “ushqyer: “rilindjen” në 4 vitet e pushtetit dhe që do të “ushqejnë” edhe për fushatën e pushtetit të 18 qershorit? 
Mbitoka (kultivimi dhe trafikimi i drogës)
Një nga “magnetet” që tërhoqi votat drejt “Rilindjes” në qershorin e vitit 2013, ishte droga e mbjellë në oborret e shtëpive të Lazaratit, për të cilën u deklarua se do të spastrohej, me argumentin se me të po financohej ish-pushteti i PD. Dhe kështu ndodhi realisht. Por “fara” e zhdukur nga Lazarati, u mboll në gjithë territorin vendit me shpejtësi të madhe, si dikur që mbillje gruri e misri në aksionet e ish-kooperativave bujqësore! U lejua të mbillje prej kupolës së “Rilindjes” dhe ky është fakt. Përditë kapen tonelata drogë që përpunohen, magazinohen, paketohen e nisen drejt tregut të huaj deri edhe me maune e skafe! Shërbimet e specializuara policore e sekrete grek, italiane, gjermane, angleze, amerikane, kanë deklaruar se kultivimi dhe trafikimi masiv i drogës është biznes që mbrothet nga policia e shtetit. Mjafton të kujtojmë deklaratën e shërbimeve sekrete partnere të vendeve të BE, sipas të cilëve 30% e të ardhurave prej drogës, arkëtohen nga krerët e lartë të policisë. Mjafton të kujtojmë deklaratën e Kryeprokurorit të Antimafies italiane, që dha alarmin e shtetit italian, se droga shqiptare po mbyste brigjet dhe tregun italian. Mjafton të kujtojmë së fundi, deklaratën e kreut të OSBE në Tiranë, i cili tha se në treg janë futur mbi 1000 ton drogë prodhim shqiptar i dy viteve të fundit, me vlerë 2 miliardë euro, me të cilat do të blihen votat dhe deputetët e pushtetit të 18 qershorit. Ndërsa deri në ditën e fundit të kolltukut të ish-ministrit Tahiri, kapej drogë me gramë e kilogramë, ndërsa pas marrjes së detyrës prej ministrit Xhafa, po kapen nga 2-3-5- e 10 ton drogë të magazinuara në depot e shërbimeve të emergjencës dhe rezervave të Ministrisë së Brendshme. Miliardat e siguruara nga droga masive, janë “kazani” që do”ushqejnë” pushtetin e “Rilindjes” më 18 qershor, ashtu siç akuzohej se “gaveta” e përmbysur e Lazaratit, “ushqente” votat e ish-pushtetit të opozitës aktuale!
Nëntoka (koncesionet e mineraleve dhe naftës)
Ashtu si mbitokë, kupola e “Rilindjes” prodhon miliarda edhe nëntokë., të cilat edhe pse mendohet se nuk duken, ato duken qartë se çfarë bëjnë, se për kë kanë punuar, se për kë punojnë dhe se si kanë ndryshuar “agallarë”. Është fjala për koncesionet e mineraleve, prej nga dalin miliarda lekë krom, bakër, hekur-nikel, bronz, tunxh, argjend e deri ar “safi” i cili ngarkohet nëpër vaporë dhe niset jashtë shtetit si pasuri grupesh, duke lënë në Shqipëri vetëm mbetjet minerare pa asnjë vlerë, minierat e shkatërruara dhe trumat e skllevërve që punojnë me pagë bazë mujore sa një shishe verë që pi kryeministri, ministri, drejtorët dhe agallarët e këtyre koncesioneve. Por, ata lënë miliarda në Shqipëri, si “taksë” në llogaritë e partisë për fushatat dhe në xhepat e krerëve të “Rilindjes” si “bakshish” për licencat, për mos bllokimin e koncesionit, për lehtësisë dhe faljet fiskale, për përsëritje e zgjatje të afateve të koncesioneve. Kjo po ndodh edhe me naftën në koncesionin e “Bankers”, brenda së cilës u fut edhe “Soros”, tutori i vetëshpallur i “Rilindjes” i cili është lejuar të emëroj edhe ministrat, të hartojë ligjet e privatizimit, ligjet e arsimit, ligjet e shëndetësisë, platformat e ushtrisë, ligjet e policisë, programin qeverisës së “Rilindjes”, madje të hartoj edhe platformën e sigurisë kombëtare e të ndryshoj Kushtetutën e Republikës, së fundi siç flitet, të vendos edhe se cili duhet të jetë president, që me sa ka deklaruar “legjionari” i Soros në Shqipëri, mund të jetë edhe nga jashtë Shqipërisë! Këto koncesione nëntoke e shumë të tjera mbitokë si lotaria, pullat fiskale, fshatrat turistikë në bregdet etj., për të cilat kupola e “Rilindjes” tha se do t’i “shfaroste”, jo vetëm nuk i shfarosi, u bë “ortak” me to, duke i konsideruar e shfrytëzuar si një “kazan” për të ushqyer llogaritë personale të kupolës dhe financimin e votave të 18 qershorit 2017. 
Koncesionet që la në veprim dhe shtoi “Rilindja”
1. Shërbimi “Chek-up”
2. Importi i ilaçeve të sëmundjeve të rënda
3. Rimbursimet i medikamenteve të diabetit
4. Koncesioni i ushqimi dhe lavanderisë në spitale
5. Koncesioni i Kalave
6. Blerja e pajisjeve mjekësore
7. Koncesioni i Dializës
8. Koncesioni i Kolaudimit të Automjeteve
9. Monopoli i distributorëve të ilaçeve
10. Koncesioni i ngjyrosjes së karburanteve 
11. Laboratorët mjekësor
12. Mirëmbajta e pajisjeve mjekësore
13. Koncesioni “SCIPA” i pullave fiskale
14. Koncesioni i pastrimit të HEC-ve shtetëror
15. Shitja e 4 HEC-ve Bistrica 1-2 dhe Ulëz Shkopet
16. Kompania “Kurum”
17. Koncesioni i “ALBTELEKOM”
18. Koncesioni i Skanimit të Kontejnerëve në Porte
19. Koncesioni i importi të Mbetjeve
20. Koncesioni i mbledhjes së Taksës 20% të TVSH
21. Koncesionet e Kromit dhe Bakrit
22. Koncesioni i Kërkimit të Hidrokarbureve në detin e Durrësit
23. Lotaria Kombëtare
24. Koncesioni i Kartave dhe Pasaportave Biometrike
25. Aeroporti i Rinasit
26. Koncesioni për politikat e nxitjes së punësimit (reklamë televizive)
27. Reklamat shtetërore
28. Koncesioni i “Petrolifera”
29. Koncesioni i Pullës Fiskale 
30. Monopoli i gradave shkencore në universitet privat
Sigal