28 mars 1997, si Ditë e pendesës dhe e pajtimit

727
Gëzim ZILJA

Natën e 28 marsit të vitit 1997, anija e quajtur “Kateri i Radës”, i mbushur kryesisht me gra e fëmijë u nis nga Porti i Vlorës për në bregun italian. Nga 105 fatkeq në barkun e saj, të gjallë mbërritën një e pesta. Anija e nxjerrë pas katastrofës nga thellësitë e detit Adriatik, u la në harresë në tokë, diku në hapësirat e portit të Otrantos. Gjashtë vjet më parë, i quajturi “Kateri i Radës” u ekspozua, në bregun ku nuk u sos dot “i gjallë”, në Otranto, një qytezë në brigjet e Adriatikut. Relikja e nxjerrë nga tetëqind metra thellësi u shndërrua në një monument, në një vepër arti nga artisti grek Costas Varotsos, i cili ditën e inaugurimit u shpreh midis të tjerash se, …Mundësinë për të transformuar tragjedinë në një vepër arti e pashë si një mundësi të madhe. Ka një shprehje shumë të përhapur në vendin tim që vjen nga antikiteti: “Nuk mund të ekzistojë e mira nëse nuk është dhe e keqja. Nga e keqja vjen e mira…”. Po atë ditë më 29.1.2012, kryebashkiaku i Otrantos, Luciano Carridi, do të shprehej: “…Historia ndonjëherë shkruan faqe shumë të trishtuara, edhe Kanali ynë ka asistuar tragjedi të dhimbshme, të cilat vështirë t’i harrosh. Por ne nuk duam të harrojmë, përkundrazi. Duam t’i kujtojmë ato momente. Mendoj se është e drejtë të ruajmë kujtesën.”Artisti grek dhe kryebashkiaku italian u shprehën qartësisht, se çfarë i frymëzoi për të ngritur atë anije të vogël patrulluese në vepër arti: Për të mos harruar, për të pranuar fajin, për të ecur para, duke mësuar nga e kaluara. 

Kam shkruar disa artikuj atëherë, kur u nxor anija, se pse ky monument, duhet të vendosej në portin e Vlorës e jo në atë të Otrantos, por kot e kot. Nga dyert e rënda të Bashkisë së Vlorës, parlamentit, kryeministrisë, presidentit apo ndonjë miliarderi të post-diktaturës nuk mundi të hyjë e as të dalë ndonjë kërkesë, angazhim apo të ndizej ndonjë shkëndijë patriotike, që kjo anije të sillej në Shqipëri. Ardhja në Vlorë e arkivoleve me trupat e viktimave, njëzet vjet më parë, do të kthehej në një manifestim të jashtëzakonshëm, ku nuk do të mungonin lotët dhe premtimet. Ata që u morën me organizimin e transportit dhe varrimin e viktimave u betuan për hakmarrje e drejtësi. Në varrezat e qytetit, sipas idesë së komisionit, në një parcelë të veçantë ashtu në rresht, me varret e njëllojta, me një pllakë në krye, si ushtarë të rënë në luftë, do të preheshin përjetë trupat e fatkeqve. Nderet nga politikanët vazhduan nja dy vjet. Vitet në vazhdim ata që i zuri halli e fatkeqësia, shkojnë rregullisht në varreza ose hedhin tufa lulesh në det, në kujtim të të afërmve. Ndërsa politikanët, që ndërsenin turmat ditët e ngjarjeve, nuk janë parë të bëjnë ndonjë homazh. Po edhe sikur ta kishin kthyer në një vend pelegrinazhi e të vinin çdo vit, një varrezë masive në qytet, nuk është një monument dhe njëra nuk e zëvendëson dot tjetrën. Ishte një kohë kur shqiptarët nga padija dhe babëzia për të fituar para, pa punuar, ua besuan kursimet e tyre firmave të drejtuara nga sharlatanë e mafiozë. Kur ato ranë, njerëzit dolën në protesta, duke bërë me të drejtë fajtore qeverinë, por pa e drejtuar asnjëherë gishtin nga vetja. Por ajo që do t’i çmendte njerëzit, që do të merrnin në dorë urat e zjarrit dhe do t’i hidhte në luftë kundër njëri-tjetrit ishte politika. Pas kësaj çmendurie apo revolucioni, që mund të quhet “marrëzia e një populli të paditur”, asgjë nuk ndryshoi në politikën shqiptare, asnjë mësim nuk u nxor. Ata që erdhën në pushtet dhe të tjerët më pas, harruan premtimet për një shtet të së drejtës dhe si përherë u vërsulën të zhvatnin ç’të mundnin, duke e kthyer qeverisjen në një karikaturë të demokracisë. Shoqëria shqiptare pas ngjarjeve të vitit 1997, vazhdon të jetë e zhytur në një krizë morale, politike dhe ekonomike, që vjen e thellohet deri në ditët tona. Njerëzit shohin me trishtim dhe pesimizëm, që shkaktarët e nëntëdhjeteshtatës shkojnë e vijnë në pushtet, duke sharë e akuzuar njëri-tjetrin për tradhti, vrasje, korrupsion, babëzi etj. etj. Jo rastësisht ne shqiptarët jemi më të vonuarit e Evropës. Ne shpesh harrojmë, falsifikojmë, madje nëpërkëmbim historinë tonë, nuk shikojmë rrugën nga kemi ardhur, largohemi nga e keqja dhe nuk e dënojmë atë. Ne nuk kthehemi asnjëherë nga vetja, nuk lodhemi së urryeri “atë tjetrin” si shkaktar të të këqijave që na pllakosin, prandaj do vazhdojmë të vuajmë, të mbetemi të varfër e të përçarë. Qindra e qindra emisione e biseda televizive janë zhvilluar nga analistët e politikanët pas vitit ’97. Është folur edhe për tragjedinë e mësipërme nga këndvështrime të ndryshme por as edhe një emision i vetëm nuk u bë për sjelljen e “Katerit” në Shqipëri. Të paktën të ngrihej si problem, se jam i bindur që do të gjendeshin aq shqiptarë që do të paguanin shpenzimet e transportit. “Kateri i Radës” është një shpirt, (jo vetëm një grumbull metalesh), një simbol i qindra mjeteve lundruese, që u përdorën nga shqiptarët, kur zbuluan Tokën e Premtuar, është një pjesëz e dhimbshme e historisë së trishtë shqiptare. Ky shpirt endet e endet varrezave të Vlorës, detit Adriatik, e gjithë Shqipërisë pa gjetur prehje e ngushëllim. Fundja le të shkojmë, kur të mundemi atje në Otranto e ta shikojmë monumentin. Ata që e shkaktuan ose kishin gisht në tragjedinë për t’u lutur e qetësuar ndërgjegjen, të tjerët për të njohur historinë e gjyshërve dhe baballarëve. Ndryshe, le ta shpallim 28 marsin e vitit 1997, ditën e asaj tragjedie në Ditën e Pendesës. Krahas festave të shumta që, edhe kur nuk janë të tilla i shpik parlamenti, le ta caktojmë 28 marsin, si Ditën e Madhe të Pendesës dhe të Pajtimit.
Sigal