130 ton mish importi me salmonelë zbarkon në Shqipëri

1344
Sigal

Nga janari e deri më sot janë analizuar mostrat e 178 ngarkesave, (mish derri, mish gjedhi, dhe mish pule) nga të cilat kanë dalë jo konform 130 ton prej tyre…

Kishte vite që flitej se mishi që vinte nga jashtë dhe tregtohej në lokalet shqiptare, restorantet, mensat, institucionet më specialë, konviktet , fast-food-et, kishin problem me cilësinë dhe sidomos me kohën e qëndrimit në magazinat e shteteve nga vinin. Madje flitej, se mishi mund të kishte edhe 20 vjet në këto magazina dhe përsëri ai përdorej nga shqiptarët dhe kjo, për shkak të neglizhencës, babëzisë të autoriteteve të kontrollit, pse jo edhe të korrupsionit të institucioneve, të cilat kishin si detyrim të kontrollonin apo analizonin këto ushqime. Rastet e fundit kur tonelata të tëra kapen me viruse apo salmonelë duhet të vënë alarmin dhe këtyre kompanive të tregtimit të mishit për sallam, qofte etj., duhet që, jo vetëm t’iu bllokohet malli, por edhe t’u hiqet licenca për këtë abuzim skandaloz dhe krim të qëllimshëm ndaj jetës së qytetarëve dhe, sidomos, rrezikut për fëmijët e vegjël. Në një njoftim të AKU bëhet e ditur se ky institucion ka kapur vetëm në 5 muajt e fundit dhe ka bllokuar 130 ton mish me salmonelë. Ajo që duhet bërë për më tej është bllokimi i aktivitetit për këto kompani si dhe kalimi urgjentisht nën vartësinë e AKU-së të laboratorit ushqimor të analizave (ISUV). Kjo, pasi kontrolli kap ushqimet, por nga laboratorët nuk përjashtohet mundësia ta nxjerrin të saktë. Dhe kjo ka një logjikë se, përse nuk janë kapur gjatë këtyre viteve sasi të tilla?! Ja njoftimi i plotë: “Autoriteti Kombëtari Ushqimit ka identifikuar dhe bllokuar dy ngarkesa me 53.1 ton mish importi, i cili rezultonte i kontaminuar me salmonela typhimurium. Këto ngarkesa me origjinë nga Brazili ishin të destinuara për tregun shqiptar. Ky identifikim është një veprim i radhës i AKU në kuadër të kontrollit të sigurisë ushqimore në importin e çdo ngarkese të produkteve shtazore në Shqipëri. Veç këtyre dy rasteve, gjatë vitit 2018, AKU ka identifikuar dhe kthyer mbrapa edhe 78.1 ton mish në kuadër të kontrolleve të çdo ngarkese me mish të importuar nga Brazili. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, kontrollon dhe realizon analizat e CD ngarkese mishi nga Brazili për të garantuar në mënyrë të plotë sigurinë ushqimore të produktit që importohen. Në vitin 2017 janë analizuar 225 mostra, ngarkesat e të cilave janë analizuar nga ISUV dhe ka dalë, jo konform, vetëm një prej tyre. Më herët nuk rezulton për asnjë ngarkesë të identifikuar problematike. Nga Janari e deri më sot janë analizuar mostrat e 178 ngarkesave, në total 4700 ton (mish derri, mish gjedhi, dhe mish pule) nga të cilat kanë dalë, jo konform 5 ngarkesa, 130 ton prej tyre. AKU dhe MBZHR po kryen investigimin për origjinën e këtyre kontejnerëve dhe, nga ana tjetër, garanton se siguria e produkteve të importuara, që qarkullojnë në tregun shqiptar është e plotë. Ky standard kontrolli i bashkohet punës së AKU për garantimin e sigurisë ushqimore në ciklin e therjes në tregun vendas.” Përfundon informacioni i AKU. Por problemi nuk është se mbyllet këtu dhe se garancia asnjëherë nuk është e plotë, derisa në vendin tonë magazina të tëra janë me mish dhe nënproduktet e sallamit, qofteve etj. Ndaj ky aksion duhet shtrirë edhe në restorante dhe lokalet e shërbimeve të produkteve të mishit duke sekuestruar dhe penalizuar cilindo subjekt që kapet me produkte të kontaminuara nga sëmundjet. Një rrezik i madh vjen edhe nga vezët. Vetëm para pak ditësh u bë publik lajmi, se miliona vezë me salmonelë qarkullojnë në vendet e Evropës, ndaj siguria duhet të rritet dhe kontrollet duhet të godasin me ashpërsinë e ligjit këdo që do tentojë të fusë në vendin tonë vezë me salmonelë në përfitim të milionave. Një tjetër rast skandaloz është konstatuar para pak ditësh edhe në një qytet bregdetar (Sarandë), ku një lopë e ngordhur po transportohej drejt një vendi të sigurt për therje dhe falë gatishmërisë së policisë dhe inspektorëve të kontrollit u bë i mundur zbulimi i këtij rasti. U sekuestrua makina sipas burimeve të “Telegraf” dhe nisën hetimet për transportuesit. Problem i rëndësishëm mbetet edhe monopoli i thertoreve nga disa kryebashkiakë, të cilët kanë ngritur thertore duke bllokuar biznesin dhe konkurrencën dhe për të cilën “Telegraf” ka nisur një investigim duke filluar nga Elbasani që është zona më problematike e monopoleve të pushtetit lokal.

Salmonela, bakteri i guzhinës që na rrezikon pa e ditur, nga papërgjegjshmëria dhe babëzia e e tregtarëve

Salmonela është më e shpeshtë në verë se në dimër. Fëmijët janë më të prekshëm nga kjo sëmundje. Gjithashtu mund të preken fëmijë, të rinj dhe të rritur që kanë sistem imun të dobët. Çdo njeri mund të sëmuret me salmonelë duke konsumuar ushqim me salmonelë, por më të rrezikuarit janë fëmijët dhe ata që ushqehen në fas-food. Kjo ndodh në disa raste: Ushqimi mund të jetë kontaminuar gjatë procesit të përpunimit ose nga ushqime të përgatitura me dorë. Mishi i viçit, i derrit, i pulës dhe vezët mund të jenë të infektuara me salmonelë. Ushqimet e kontaminuara me salmonelë shpesh duken si normale.

Si ta dalloni nëse jeni prekur nga salmonela

Shenjat e salmonelës përfshirë diarrenë, ethet etj., shfaqen 12-72 orë pas infeksionit dhe sëmundja vazhdon edhe 4-7 ditë. Disa njerëz e kalojnë këtë sëmundje pa trajtim dhe të tjerët që kanë imunitet të ulët e kanë të nevojshme të trajtohen në spital.

SHENJAT

• diarre e ujshme
• të vjella ose të përziera
• dhimbje koke
• dhimbje stomaku
• këputje trupi
• temperaturë
• mungesë oreksi
• dhimbje gjymtyrësh dhe muskujsh

Çmimet e kripura të aeroportit të Rinasit i sjellin kompanisë 27 miliardë lekë fitime në vit ose 47% fitime

Aeroporti i Rinasit ka thyer një tjetër rekord në vitin 2017, duke regjistruar një fitim dhe normë kthimi nga të ardhurat në rritje për të disatin vit radhazi. Tirana International Airport ka publikuar bilancin e saj financiar për vitin 2017. Fitimi para tatimit i kompanisë ka shënuar vlerën 2.8 miliardë lekë (21 milionë euro) duke u rritur me 22 për qind në raport me vitin 2016, ndërkohë që fitimi neto (para taksave) është 2.2 miliardë lekë. Norma e fitimit (fitim bruto/ardhura) është rritur më tej, duke prekur 47%, çka do të thotë që në çdo 100 lekë të ardhura, 47 janë fitim i kompanisë. Një vit më parë, norma e fitimit ishte 44%. Të ardhurat kanë shënuar një zgjerim me 13.9% në raport me vitin 2016, duke shënuar nivelin e 5.9 miliardë lekëve. Ky është niveli më i lartë i të ardhurave që ka regjistruar TIA (Tirana International Airport) që kur ka marrë menaxhimin në vitin 2004 në formën e koncesionit. Kompania ka paguar më shumë tatimfitim në vitin 2017 duke shënuar një shifër prej 534 milionë lekësh, apo 22.3% më shumë se një vit më parë. Paralelisht me fitimin kompania ka rritur edhe shpenzimet për personelin me 12.8% në vitin 2017. Këto shpenzime kapën vlerën 625 milionë lekë. Rritje të dukshme me 11% kanë pësuar edhe shpenzimet e përgjithshme administrative duke u fiksuar në 1 miliardë lekë. Sakaq për tarifën e koncesionit në vitin 2017 u paguan 685 milionë lekë apo 22% më shumë se një vit më parë. Megjithatë, të ardhurat janë zgjeruar me ritme më të larta sesa shpenzimet, duke i mundësuar kompanisë të rrisë normën e fitimit me 3 pikë përqindje në 47%, duke e renditur TIA-n ndër kompanisë më fitimprurëse në vend. Përtej tarifave që aplikohen nga aeroporti dhe që janë lakuar shpesh si të kripura duket se fitimi i vitit 2017 argumentohet edhe me disa zhvillime të tjera të rëndësishme. Së pari është numri i shtuar i charterave që sillnin turistë nga Polonia, Çekia apo Hungaria. Së dyti është shtimi i disa destinacioneve të reja siç ishte ajo me Amsterdamin nga maji i 2017 operuar përmes Transavias ndërkohë që në prill të 2017 nisën fluturimet edhe nga kompania tjetër Wizz Air drejt Budapestit.

Koncesioni u shit në 2016, pronari “offshore”:

Në mars të vitit 2016 qeveria shqiptare njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me kompaninë që menaxhonte aeroportin duke hequr kështu ekskluzivitetin, ngërçin që pengonte hapjen e aeroporteve të tjerë. Ndërkohë që në tetor 2016 u finalizua shitja e kuotave të koncesionit tek kompania offshore REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED, një kompani offshore me seli në Singapor. Heqja e ekskluzivitetit i dha TIA-s dy vite shtesë nga koncesioni duke çuar afatin e ri në 2027 për përfundimin e kontratës, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit, i cili edhe sot është jo funksional. Shtyrja e kontratës koncesionare me dy vjet, në një kohë që Kukësi nuk u vu në punë, i mundësoi TIA-s fitime rekord edhe në 2017-n. Nëse do të hyjë në lojë edhe Aeroporti i Vlorës i cili po lakohet shumë së fundmi TIA mund të marrë 2.5 vjet të tjera shtesë, nëse nis operimi në vitin 2020, 2 vite shtesë nëse nis në 2021 kështu me radhë, duke zbritur 0.5 vjet vit pas viti për t’u zeruar nëse aeroporti i dytë në vend hyn në funksion në vitin 2025. ( Monitor.al)