100 fshatrat e klientelës së Rilindjes Urbane dhe propaganda e Kryeministrit Rama

937
Sigal

Nga Miltiadh M. Muçi

Pas katër dekadash të dështimit të fshatit, të ish kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore të socializmit, qeveria e “Rilindjes Urbane” po propagandon zhvillimin e 100 fshatrave turistikë nëpërmjet agro-turizmit, si të ardhmen e rritjes së ekonomisë në fshat dhe gjithë Shqipërinë. Reforma agrare e ligjit 7501 dhe largimet masive të banorëve shkaktuan braktisjen dhe zbrazjen e fshatit shqiptar. Ato sollën vetëm pasurimin e një pakice, krijimin e firmave të ndërtimit fillimisht si ato piramidalet, të cilat u fuqizuan edhe më shumë me ngritjen e pallateve shumëkatëshe pa fund, në rrethet më të mëdha e në bregdet, që u blenë sidomos nga shqiptarët emigrantë, me shpresën se do të ktheheshin shumë shpejtë në Shqipëri, ndërsa vazhdojnë t’i mbajnë të pabanuara. Krizën e fshatit e shtoi më shumë largimi nga kultivimi i kulturave bujqësore tradicionale, të cilat u zëvendësuan nga prodhimet e importuara, ndërsa mbjellja e farës së keqe të kanabis sativës, e shpërndarë në të gjithë territorin e vendit shkaktuan varfërinë shpirtërore të fshatarëve. Jeta e fshatit mbeti midis banorëve të moshave të mëdha, për të mbajtur hapur dyert e një pjese të banesave, që shumë prej tyre janë kthyer në rrënoja. Kryeministri i “Rilindjes Urbane” nisi të propagandoi krijimin e kooperativave bujqësore të tipit kapitalist, që do t’i jepte mundësinë asaj pjese të banorëve të fshatit, të rrisnin prodhimin bujqësor dhe blegtoral. Garant për këtë organizim të ri do të bëhej ndarja e tapive, pas 25 vite të reformës agrare të ligjit 7501, të ideuar nga Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano dhe tashmë Edi Rama, te votuar nga deputetët e partive kryesore, të PD-së e PS-së. Por edhe kjo nisëm dështoi, i detyruar të shtynte afatin e hipotekimit të pronës së vjedhur të shpronësuarve, në vitin 1945.. Dhe propaganda vazhdon me nismën e re, të zhvillimit të agro-turizmit të shpallur fillimisht në takimin me fshatarët e Malësisë së Madhe në Qarkun e Shkodrës dhe më pas me të Tepelenës në Qarkun e Gjirokastrës, si mënyrën më të mundshme dhe të vetme të zhvillimit të ekonomisë së fshatit. Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projekteve të reja në Tepelenë, qytet sikurse tha: ai “deri para pak vitesh askush nuk ndalonte për të qëndruar, pasi ishte vetëm errësirë…. Ku bëhej fjalë të vinin suedeze në atë gropë që ishte Tepelena? Kemi përpara një minierë të pashfrytëzuar për të bërë para, minierën e bukurisë së këtyre zonave.. Nëse shfrytëzojmë agro-turizmin, po ju them që kjo zonë do të jetë plot jo vetëm në sezon, por edhe jashtë sezonit”. Nuk kaloi shumë nga ky takim dhe u shpallën 100 fshatrat turistikë, të gjithë mbi kritere klinteliste, duke plotësuar kërkesat e personave të caktuar, përfaqësues të PS-së ose mbështetës të shpallur të saj. Me pretekstin, se “kemi përpara një minierë të pashfrytëzuar për të bërë para, minierën e bukurisë së këtyre zonave”, sipas Kryeministrit Rama, “ Do të kenë mbështetje financiare nga shteti ata që do të bëjnë investime, pra fare qartë ai shprehu se 100 fshatrat janë përcaktuar në mënyrën më selektive. Kjo përforcohet edhe nga programi i shpallur, se “qasja e integruar për zhvillimin rural do të targetojë objektiva të matshëm për zhvillimin e hapësirës rurale, nëpërmjet fokusit të qendërzuar të investimeve publike, të donatorëve e investimeve private, në hapësirën e mirë përcaktuar të 100 fshatrave, me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-social, të agro-turizmit e turizmit rural, të natyrës e mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore, kur turizmi kulturor dhe historik janë parësor kudo në Botë, dhe në vendin tonë listohen rreth 2300 fshatra me potencial turistik, por shumë pak të aksesueshëm nga pikëpamja e infrastrukturës. Kurrsesi nuk mundem të marr përsipër të pasqyroj në shkrim, cilat janë pjesa e klientelës së “Rilindjes Urbane dhe Kryeministrit Rama, të përzgjedhur në listën e 100 fshatrave turistikë, por më ka bërë përshtypje si mund të përjashtohen nga lista fshatrat e tjerë të Bregut si Palasa, Piluri, Qeparoi, e të tjerë, të lakmuar sa Vunoi e Dhërmiu, në mos më shumë.. Në vitet e diktaturës u fol se Llogaraja do të lidhej me Bregdetin e Palasës nëpërmjet teleferikut. Por do të marr si shembull fshatrat e Tepelenës: Peshtanin, Nivicën dhe Kalivaçin, krahasuar me ballkonin e luginës së Drinosit e Vjosës, Leklin, i pasur me historinë 2400 vjeçare, me objekte të trashëgimisë si kalanë, disa kisha, ura të shpallura monumente kulturore, zona te mbrojtura të një shpelle, Ujit të Ftohte dhe pjesës së Luginës së Vjosës, i cili pa hezitim duhej ishte njëri prej tyre. Ndërsa Peshtani nuk ka asnjë objekt të këtyre vlerave, Nivica shumë më pak se Lekli dhe Kalivaçi akoma dhe më pak.

Atëherë si mund të shpjegohet ky selektim?

Pikërisht sepse Peshtani është fshati i lindjes së Mero Bazes, i cili pas vitit 2007, edhe pse ka qenë i njohur si i pozicionuar kundër së majtës, u bë mjaft kritik ndaj qeverisë së kryeministrit Berisha, dhe tashmë me shkrimet e përditshme të botuara në gazetën “Dita”, është pozicionuar pranë të majtës. Auron Tare, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, ish-Deputet i Qarkut të Tiranës, figurë e njohur publike po bën të gjitha përpjekjet të zhvillojë Nivicën nga e ka origjinën. “Agjencia Kombëtare e Bregdetit po përpiqet të lidhë fshatin malor të Nivicës me bregdetin më të afërt, që ndodhet menjëherë mbrapa malit. Ideja është që edhe fshatrat malorë të futen në sistemin e turizmit, njësoj si ato buzë detit… Po bëjmë një projekt pilot për të ndërlidhur komunitetet në fshatra me bregdetin, në mënyrë që edhe aty të ketë turizëm”, thotë Auroni drejtuesi i këtij projekti. Si gjithçka tjetër në Ballkan, dhe kjo zonë është e pasur me histori, vazhdon ai, “Përveç natyrës, arsye pse turistët vijnë këtu është historia. Këtu kanë kaluar ushtritë romake, ato të Normandisë e më pas, ushtritë otomane, të Luftës I dhe II Botërore. Po ashtu, natyra është e paprekur. Këtu shikon njerëz që mjelin delet e dhitë si 4.000 vjet më parë”, thotë zoti Tare. Çfarë argumenti qesharak, sikur vetëm në Nivicë milen dhitë në këtë mënyrë dhe vetëm Nivica paska historinë e këtyre luftërave, ndryshe nga e fshatrave të tjerë të jugut të vendit, sidomos të luginës së Vjosë e Drinosit. Ndërsa përfaqësues i Kalivaçit mbetet Taulant Rama nga Krasi, arkeolog dhe Anëtar i Asamblesë së PS-së, midis tetë përfaqësuesve të tjerë të Qarkut të Gjirokastrës. Lekli veçse 6 km nga qendra e qytetit të Tepelenës dhe 0 km nga autostrada Tepelenë-Gjirokastër, ndryshe nga Peshtani, Nivica, Kalivaçi, por dhe fshatra të tjerë rreth tij është lënë në haresë për gjithçka, që do të jenë objekte të shkrimeve në vazhdim, derisa pushtetarët të kujtohen dhe ai të zhvillohet, sikurse ka qenë nga lashtësia në vitet ’40. të shekullit XX, të Luftës italo-greke dhe luftërave të tjera më pas.