Një vit pa ty, mik i paharruar

Më 30 maj 2025, në moshën 71 vjeçare, u nda nga jeta miku im, historiani, studiuesi dhe publicisti i mirënjohur i Malësisë së Madhe, Ndue Bacaj, duke lënë të pikëlluar familjen, fisin, miq e shokë të shumtë.

Ai lindi në fshatin Jubicë, në afërsi të Koplikut, më 1 prill 1954. Sëmundja u tregua e pamëshirshme dhe e ndau nga kjo jetë para kohe. Për të luftuar sëmundjen u vizitua dhe mori ilaçe nga specialistët më të mirë nga Shkodra, Tirana, Athina dhe në një spital të New Yorku- t në Amerikë, ku kaloi ditët e fundit të jetës. Ai la në dëshpërim gruan e vet, Lizen, djalin Lonci, vajzat: Laureta dhe Malvina, nusen e djalit bashkë me nipër, mbesa, miq e shokë. Kujtoj se shqetësimi i tij kryesor, duke anashkaluar sëmundjen që po e mundonte dhe po i shkurtonte jetën, ishte nipi i vogël, Enzi, i cili jetonte me të, pasi prindërit kishin emigruar në SHBA prej vitesh. Ai, përveçse, kujdesej për të që shkollohej sa më mire, donte ta shihte të bashkuar me prindërit. Dhe kjo u arrit falë të ndjerit Ndue.

NOA

Ky shkrim u kushtohet, në radhë të parë, familjarëve si ngushllim dhe të gjithë atyre që e deshën dhe i deshi. I ndjeri Ndue, pasi mbaroi shkollën fillore dhe 7 vjeçare në fshatin, ku lindi, shkollën e mesme për agronom, në degën frutikulturë, e mabaroi në Shkoder. Po në këtë fushë mbaroi edhe shkollën e lartë në universitetin bujqësor të Kamzës, Tiranë. Ka punuar në Dedaj të Shkrelit si agronom dhe në Bashkinë e Koplikut në detyra të ndryshme, duke treguar cilësi të lavdërueshme si familiar shembullor, qytetar dhe atdhetar me zemër të madhe, i ndershëm e besnik, me vullnet të pamposhtur, njeri korrekt, fetar, demokrat 24 karatësh, i dashuruar me të vërtetën, me një disiplinë të hekurt dhe dëshirën e madhe për t’u shërbyer njerëzve. Urrente dhe nuk u pajtua kurrë me gënjeshtrën, padrejtësinë, servilizmin, hipokrizinë dhe tradhëtinë. Ai nuk bënte kompromis me parimet. Ishte nga raca e atyre që nuk duan favore të pamerituara, por donte të jetonte me ndershmëri e dinjitet. Edhe pse profesioni i tij ishte agronomia, ai qe i  apasionuar pas historisë, të cilën e studioi me vullnet, e publikoi dhe na la 9 libra, të cilat i shkroi nga viti 2018 deri në vitin 2025. Një prodhimtari e begatë, në një periudhë të shkurtër 8 vjeçare. Ai shkroi për historinë e lavdishme të Malësisë së Madhe, trimëritë e heronjve, duke shkuar edhe përtej kufinjve që kemi sot. Luftra që filluan nga viti 1911 e deri në vitin 1948 si kundërshti e mospajtim me regjimin komunist. I ndjeri Ndue Bacaj shkroi për heronj e figura të spikatura si At Gjergj Fishta, shkroi për kishat dhe fenë. Ai ishte besimtar i devotshëm. Veprimtaria e tij shtrihet gjërë e gjatë në vite e zona. Ai ka marrë pjesë në shumë podiume nga Malësia e Madhe, në Shkoder, Tiranë, në Mal të zi dhe deri në SHBA. Kujtoj se për çdo ngjarje të rëndësishme shkruante në fb, duke na kujtuar ditën dhe vitin, kur kishte ndodhur ajo ngjarje me rëndësi për fatet e kombit. Gjithë jetën punoi me përkushtim e dashuri. Një fjalë e urtë na këshillon se “po nuk e shkruam vetë historinë, atëherë do ta shkruajnë armiqtë tanë”. Dhe dihet se si do ta shkruanin ata. Ndue Bacaj kishte mendimin se shumë gjëra duheshin korrigjuar, pasi kishin pavërtetësi të theksuara dhe se historia, në përgjithësi duhej rishkruar. Miku i tij, Gjokë Ndoka, shton se historiani Ndue Bacaj do të mbetet në kujtesën e njerëzve për veprat që ka lënë, të cilat i bëjnë nder Malësisë së Madhe dhe më gjërë. Ato libra duhet t’i ketë secili në bibliotekën e vet, sepse u shërbejnë brezave për të mësuar historinë dhe, në anën tjetër, e bëjnë autorin e tyre të pavdekshëm. Gjoka shton se i ndjeri ishte mjeshtër në shartimet e pemëve frutore dhe se shumë familje do ta kujtojnë për shërbimet e tij në ndihmë të komunitetit. Ndersa miku tjetër i tij, Luigj Kolnika, më ka ndihmuar me disa të dhëna që nuk i kisha. I falnderoj të dy për kontributin. Ai kishte në plan edhe shumë shkrime e vepra të tjera, por qëllimet dhe dëshirat e tij u prenë në mes. Për punën e tij të lavdërueshme dhe cilësitë e admirueshme si njeri, këshilli bashkiak i Malësisë së Madhe, i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe, kur ishte gjallë, në një ceremoni të mbajtur më 2 gusht 2023. Një titull që e meritonte plotësisht. Me plot gojën mund të themi se kujtimet, vlerësimet dhe respekti që meritonte nuk shkoi pa u vlerësuar. Ishte dhe mbeti një zë i fuqishëm në fushën e historisë. Fjala e tij do të dëgjohet përsëri si jehonë që vjen nga videot e rregjistruara në aktivetet e shumta, ku mori pjesë. Një fjalë e urtë hebraike thotë se ”të vdekurit e vërtetë janë ata që harrohen.” Në këtë përvjetor të parë, ngushllimet më të sinqerta u takojnë familjarëve, miqëve dhe shokëve. Respekt dhe mirënjohje për veprat që la pas! Qoftë i paharruar kujtimi i tij!

 

Marash Gilaj