Prof.Dr. Bardhosh Gaçe: Politikanët që e dëmtojnë më shumë gjuhën shqipe

Flet Prof. dr. Bardhosh Gaçe:

  • Ata që më së shumti nuk paraqesin interes dhe e dëmtojnë gjuhën shqipe janë politikanët
  • Në parlament kur flet një politikan, gjuha shqipe duket si gjuhë e huaj pasi flitet me fjalë të huazuara
  • E them me dhimbje por, sot ka dhe shumë mësues që nuk e njohin drejtshkrimin e gjuhës sonë të bukur
  • Prirjet për të arritur deri në pikën për të përmbysur normën, ta quajtur si trashëgimi e komunizmit në Shqipëri, është një nxitim, që e kupton normën gjuhësore si koncept politik
  • Kongresi i Drejtshkrimit është edhe monumenti i gjuhës shqipe pas mbijetesës së saj prej pushtuesve

-Institucionet akademike, universitare e ato arsimore, mendoj se kanë bërë fare pak për zgjidhjen e një varg problemesh që ka sot gjuha shqipe

Sigal

-Gjuha shqipe që ne kemi sot është një nga trashëgimitë më të rëndësishme që ka pasur dhe ka populli shqiptar në historinë e tij

Nderimi më i madh për gjuhën i takon kohës së Rilindjes Kombëtare, njerëzve të ditur të saj, mendimtarëve, poetëve dhe shkrimtarëve

– Ne kemi pasur dhe kemi gjuhëtarë të nivelit evropian, si: Eqerem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Mahir Domi etj.Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Rami Memushaj, Et’hem Likaj, Gjovalin Shkurtaj, Shezai Rrokaj, Agron Duro, Rexhep Smajli, Rexhep Qose, Qemal Murati…

 Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

 Ka një bashkëjetesë që zë kohët më të rëndësishme në historinë tonë, mbijetesa e territoreve dhe kombit ka një histori të përbashkët mbijetese dhe me gjuhën shqipe. Historia e mbijetesës së gjuhës shqipe, e cila në thelb lidhet me elementin fondamental të identitetit në një diapazon të gjerë kultural, të trashëgimisë dhe shumë fusha të tjera, që lidhen me të, është thuajse bashkëjetuese e historisë, që për fatin tonë të mirë, studiuesit e historisë së gjuhës shqipe kanë krijuar një tablo të plotë, që përveç nevojës dhe arsyetimit për rrugëtimin që ajo ka bërë, ka lidhje të qartë dhe me peshën që ajo mbart në vetvete. Historia e gjërave, ngjarjeve dhe pasurive të natyrës lokale, kombëtare apo dhe familjare i bën ato më referuese dhe përmes bashkëpërkimeve krijon komunikim dhe informacion më të nevojshëm.

Gjuha shqipe, natyrisht nuk mund të kuptohet pa historinë e saj, e sotmja e saj nuk kuptohet pa të kaluarën e saj, prandaj këndvështrimi historik dhe ngjarjet e brendshme të saj, përmes të cilave ajo ka kodifikuar veten rast pas rasti, na japin të drejtë çdo herë të mos e harrojmë rrugëtimin e saj, për ta shenjtëruar ndërkohë në ditët e sotme. Veprimtaritë që lidhen me gjuhën shqipe të çdo niveli dhe në çdo vend që mund të organizohen, janë gjithmonë të dobishme, të rëndësishme dhe të lavdërueshme, pasi ato mbartin një mesazh të rëndësishëm qenësor kombëtar.

Profesor, ka shumë debate shkencore për pasurimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Cfarë sjellin në të vërtetë këto debate?

Debatet shkencore për pasurimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe në këndvështrime të ndryshme dhe tematikës që mbart, krijon një komunikim përtëritës për gjërat fondamentale kombëtare të gjuhës dhe të kulturës së gjuhës shqipe. E kërkon vetë koha një debat të gjerë shkencor për një çështje të tillë, si një thirrje kulturore për pastërtinë dhe kulturën e gjuhës shqipe në kushtet e sotme.

Gjuha shqipe që ne kemi sot është një nga trashëgimitë më të rëndësishme që ka pasur dhe ka populli shqiptar në historinë e tij. Nga format dhe mundësitë më të thjeshta dhe deri tek ato më të ndërlikuarat, që lidhen me letërsinë artistike dhe studimet shkencore, për të cilat kërkohet një gjuhë e hollë, e zhdërvjelltë dhe e gjerësishme në formë dhe në përmbajtje, gjuha shqipe ka shoqëruar rrugëtimin e kombit shqiptar, njëri nga më të vjetrit në Ballkan dhe në Evropë, jo vetëm nga pikëpamja e identitetit, por edhe të gjuhës që ai ka pasur dhe ka. Ajo ka arritur të përcjellë mesazhe të rëndësishme, por edhe të komunikojë me dijet e nivelit të lartë shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar, duke e identifikuar atë si shpirti dhe palca e identitetit tonë kombëtar.

Krahas dokumenteve të rëndësishme historike, që lidhen me një evidentim të tillë, si Meshari i Buzukut, Formula e Pagëzimit e Pal Engjëllit, më pas Kongresi i Elbasanit e Manastirit, Kongresi i Drejtshkrimit etj, këtë rrugëtim të rëndësishëm e reflektojnë kontribute shkencore dhe studimore të tjera si: “Rregulla të drejtshkrimit shqip” (1967), “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” (1976), “Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës” (1973), “Çështje të normës letrare” (Prishtinë, 1980), “Rregulla të pikësimit në gjuhën letrare” (1980), botimi i revistës “Gjuha jonë”, botim i veprave normative “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme shqipe” (1979), po ashtu dhe organizmi i konferencave për problemet e gjuhës dhe kulturës së gjuhës, siç është përmbledhja në një botim të tillë si: “Probleme aktuale të kulturës së gjuhës shqipe” (1983) etj, që përbëjnë korpusin e rëndësishëm të një kujdesi dhe rëndësie të shtuar nga studiuesit dhe njohësit e thellë të gjuhës shqipe.

Në këtë kujtesë dhe monumentalitet, në këtë rrugëtim dhe problematikë jo të lehtë për arsye të shumta, që nga pushtimet, por edhe rrethana të tjera, ne nuk mund të harrojmë personazhe, figura dhe martirë të gjuhës shqipe, ku natyrisht nderimi më i madh i takon kohës së Rilindjes Kombëtare, njerëzve të ditur të saj, mendimtarëve, poetëve dhe shkrimtarëve, të cilët kuptuar mjaft mirë rëndësinë e gjërave gjatë kësaj kohe të refleksionit politik të shqiptarëve për Pavarësi, ku gjuha ishte njëra nga çështjet e rëndësishme dhe argumentet e krijimit të shtetit shqiptar, por edhe të valencës së rëndësishme të kombit shqiptar.

Naim Frashëri, Sami Frashëri, e në rrjedhën e kontributeve dhe vlerave kombëtare që referojnë historinë e gjuhës shqipe dhe të shkollës shqipe ka një radhë të madhe njerëzish të dijes dhe martirë të saj, që nga Veqilharxhi, De Rada, Papa Kristo Negovani, Kristoforidhi, Petro Nini Luarasi, At Stath Melani, Aleksandër Xhuvani, Konica, familja Qiriazi, Dora D’Istria, Fishta, Ndre Mjeda, Çabej, Demiraj, Idriz Ajeti, një plejadë studiuesish dhe gjuhëtarësh të pas viteve ’45, të cilët afruan në studimet për gjuhën shqipe kontribute shkencore bashkëkohore për leksikologjinë, historinë e gjuhës shqipe, për fonetikën, gramatikën historike, për morfologjinë, dialektologjinë, huazimet, substratin evropian të saj dhe mjaft çështje të tjera, duke na dhënë një dëshmi historike-shkencore, por edhe një lloj parathënie të zhvillimit të saj.

Në këtë kujtesë dhe nderim, që lidhet me gjuhën shqipe natyrisht janë edhe poetët, shkrimtarët, prozatorët, publicistët, studiuesit e këtyre fushave, ku krahas emrave të rilindësve nuk mund të anashkalohen: Çajupi, Asdreni, Migjeni, Kuteli, Poradeci, Xhevahir Spahiu, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Jakov Xoxa, Ali Asllani, Martin Camaj, Ernest Koliqi, Esat Mekuli, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Eqerem Basha, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, por edhe figura emblematike të letërsisë arbëreshe që fillojnë nga De Rada e deri krijues, studiues, të ditëve të sotme. E gjithë kjo trashëgimi njerëzore dhe kontribuese e ka shenjtëruar gjuhën shqipe, jo vetëm për shqiptarin e sotëm, por edhe atë të së ardhmes, ku natyrisht ai do të përballet me sfidën e globalizmit dhe shtrëngesa mbi identitetet e popujve të vegjël do të jetë e madhe.

Paraprakisht, intelektualët dhe brezi studentor, një numër i konsiderueshëm i njerëzve që kanë kontakt të përditshëm me njerëzit, duhet të prevalojë ndërgjegjja, se gjuha është elementi themelor i kulturës kombëtare, e vërtetuar historikisht dhe aktualisht në Shqipëri nga qendrat e mëdha qytetase dhe ato urbane, duke ndërtuar gjithashtu dhe një unitet të natyrës kombëtare dhe identifikuese dhe si transmetues i kulturës kombëtare dhe kulturës së gjuhës, njëri nga mjetet e formimit kulturor të njeriut.

-Kur flitet për gjuhën mendja të shkon tek Kongresi i drejtëshkrimit. Si do ta vlerësoni këtë Kongres historik?

Në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë me të cilën u përball dhe sfidoi vetveten gjuha shqipe, norma gjuhësore dhe kultura e saj, janë produktet dhe shpërblimi më i rëndësishëm që ne kemi sot, ku natyrisht kodi më i rëndësishëm dhe më jetik është drejtshkrimi i saj. Kongresi i Drejtshkrimit është edhe monumenti i gjuhës shqipe pas mbijetesës së saj prej pushtuesve, kulturave të tyre dhe tendencës për ta eliminuar atë, të cilët kanë përdorë mjete, rrethana, armiqësi, ngritje shkollash dhe literaturë fetare apo të natyrës tjetër, për ta eliminuar kulturalisht dhe me dhunë gjuhën shqipe.

Ndryshe gjithë mekanizmave të tjerë social-politik gjuha, veçmas norma e saj nuk përfshihen në përmbysjet e strukturave të reja, siç është ekonomia apo ligjet e tjera të zhvillimit, gjuha nuk mund dhe nuk përmbyset. Ajo përçon dhe zhvillohet sipas ligjeve të saja të ngadalta, por të verifikueshme sipas kritereve të paradigmës gramatikore dhe leksikore, natyrisht duke iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë, pasi gjuha në vetvete është dukuri shoqërore.

Në zhvillimet e sotme të shoqërisë shqiptare diskutime e debate të tilla, për identitetin kombëtar, ku gjuha është një nga fondamentet e saj, përbën jo vetëm një vlerësim, por edhe një shqetësim qytetar dhe intelektual për ta ruajtur dhe pasuruar më tej këtë visar të rrallë.

Me rënien e sistemit totalitar, gjatë zhvillimeve të këtij tranzicioni të gjatë, në kuadër dhe të globalizmit, janë ndodhur nën presion të thellë jo vetëm gjuha shqipe, por edhe tradita e zakone të mrekullueshme, si Polifonia shqiptare, monumentet natyrore dhe historike. Mendoni ku kanë shkuar qindra objekte të lashta e të reja të muzeumeve e qendrave arkeologjike.

Gjuha shqipe, si në shumë visare të tjera shoqërore, në Shqipëri u përfshi në një sfidë të re, të vështirë dhe aspak të justifikuar për shkakun e natyrës së saj, pas raportit dhe marrëdhënieve të reja që u vendosën në vend, me përmbysjen e sistemit politik në një partiak në atë shumë partiak. Në vitet ’90 e më pas, Shqipëria trashëgonte dhe trashëgon një kulturë kombëtare shumë-fushëshe të rëndësishme, si një shenjë identitare, por edhe të kulturës kombëtare të saj; ajo trashëgon një kontribut studimor-shkencor të fushave historike, filologjike, folklorike, të specialiteteve të shumta, por edhe një letërsi të gjerësishme, e njohur dhe e trajtuar në dijet shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat janë ngritur mbi fuqinë, aftësinë dhe identitetin gjuhësor të shqipes së normuar.

Studiuesi i njohur i gjuhës shqipe, akademiku Gjovalin Shkurtaj në një punim shkencor lidhur me këtë pasuri të çmuar që është krijuar, shkruan, se “…pas njësimit përfundimtar të gjuhës letrare, janë krijuar vepra letrare shumë të arrira e që kanë gjeografi të shtrirë në të gjithë Shqipërinë e në të gjitha trevat shqiptare jashtë saj, madje dhe në diasporë.”, duke identifikuar individualitete shkrimtarësh dhe poetësh si: I. Kadare, J. Xoxa, D. Agolli, F. Arapi, A. Shehu, por edhe autorë nga veriu si: N. Gjetja, N. Papleka, A. Podrimja, A. Shkreli, R. Qosja, D. Mehmeti, A. Vinca, por edhe autorë të tjerë si: V. Ujko, Xhuzepe del Gaudio, po ashtu dhe vepra të përbotshme nga letërsia e huaj në shqip, siç është “Eneida” e Virgjilit nën përkthimin e Henrik Lacajt, duke e dëshmuar gjuhën shqipe të normuar, një mundësi prurjeje të rëndësishme në të gjithë kapacitetin e tyre të veprave të letërsisë së huaj nga gjuhët e tjera.

-Por sot ka shumë tendenca për ta revizionuar Kongresin e Drejtshkrimit. Mendimi juaj?

Tendenca për ta revizionuar Kongresin e Drejtshkrimit, i cili mbart në vetvete dakordësinë më të rëndësishme shkencore, kulturore dhe të njerëzve të dijes së thellë të gjuhës shqipe në të gjithë gjeografinë e saj, ku natyrisht një rëndësi të madhe merr dakordësia e studiuesve dhe akademikëve të Kosovës në këtë rast, duke i dhënë normës së shqipes një fuqi dhe perimetër të rëndësishëm veprues. Norma për një gjuhë është një arritje e madhe, ajo krijon një unitet të fortë dhe përditësor, përmes shkollës, shtypit, literaturës dhe komunikimeve të tjera.

  • Të rrekurit pas elementëve që nuk përbëjnë thelbin, prirjet për të arritur deri në pikën për të përmbysur normën, të quajtur si trashëgimi e komunizmit dhe socializmit në Shqipëri, përveçse ishte një nxitim, i cili e kuptonte normën gjuhësore si koncept politik, synon ndërkohë të përmbys një dakordësi shkencore dhe një frymë unitare që norma mbart në vetvete. Por, ata që më së shumti nuk paraqesin interes dhe e dëmtojnë gjuhën shqipe janë politikanët. Në parlament kur flet një politikan gjuha shqipe duket si gjuhë e huaj pasi flitet me fjalë të huazuara.

Ne flasim e kuvendojmë shpesh për gjendjen e gjuhës shqipe në viset tona, për Kongresin e Manastirit, Konsultën e Prishtinës, Kongresin e Drejtshkrimit etj, por institucionet akademike, universitare e ato arsimore, mendoj se kanë bërë fare pak për zgjidhjen e një varg problemesh që kërkojnë udhë të reja për gjuhësinë shqiptare. Dhe pse kanë kaluar mbi 30 vjet të një shoqërie pluraliste në vend, studiuesit e gjuhës shqipe, por edhe njerëzit e thjeshtë kuptojnë rrezikun permanent që po e kërcënon gjuhën standarde dhe gjuhën shqipe në përgjithësi, duke kuptuar një front të gjerësishëm me të cilin ajo po përballet. Tashmë, që vetë kontaktet e shqiptarëve, me emigracionin e tyre biblik dhe integrimin evropian, apo kontaktet e gjuhëtarëve shqiptarë me botën linguistike janë bërë përpjekje për ta përfshirë gjuhësinë tonë në gjuhësinë moderne.

Nga ana tjetër, gjuha shqipe shërben edhe për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Kur them kështu kam parasysh shpërndarjen e shqiptarëve në disa shtete, duke përfshirë edhe arbëreshët e Italisë, arvanitasit e Greqisë, ata të Kroacisë dhe vatrat e tjera në Evropë. Këtë unitet nuk mund ta vendosë elementi dialektor, apo ndarjet krahinore. Për fatin tonë të mirë, ne kemi edhe gjuhëtarë të nivelit evropian, si: Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Rami Memushaj, Et’hem Likaj, Gjovalin Shkurtaj, Shezai Rrokaj, Agron Duro, Rexhep Smajli, Rexhep Qose, Qemal Murati, të cilët vazhdojnë traditën e gjuhëtarëve korifenj si: Eqerem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Mahir Domi etj.