Kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it në Bulqizë, banorët e tre fshatrave hyjnë me forcë në Bashki
Banorët e fshatrave Koçaj, Kokërdhak dhe Kodra e Danit zhvilluan një protestë para ambienteve te Bashkia Bulqizë. Ata kundërshtuan një çështje që ishte parashikuar të diskutohej në mbledhjen e Këshillit Bashkiak gjatë kësaj të premteje.
Bulqizakët hynë me forcë në ambientet e Bashkisë për t’i kërkuar këshilltarëve të Bashkisë të mos miratonin vendimin për heqjen nga fondi pyjor dhe kullosor të sipërfaqes ku do të kalojë gjurma e tubacionit dhe do të ndërtohet HEC-i.
Gjatë takimit me banorët, kryetarja e Bashkisë, Festime Mjeshtri nuk lejoi praninë e mediave dhe, sipas të pranishmëve, aktivizoi administratën për t’i larguar ato nga ambientet e Bashkisë. Banorët thanë se nga ky takim morën një premtim mbështetjeje nga kryebashkiakja, ndërsa paralajmëruan se do ta kundërshtojnë me çdo kusht ndërtimin e HEC-it. Takim i cili me shumë gjasa do të rezultojë një gënjeshtër në dëm të banorëve.
Nuk është hera e parë që banorëve të këtyre zonave u grabiten pronat në emër të investimeve të mëdha. Në vitin 2018, banorët e revoltuar ndaluan me forcë shfrytëzimin e Malit të Bardhë nga një kompani, që synonte ta përdorte atë për prodhimin e peletit.
Kur shteti vepron kundër interesave të banorëve dhe nuk merr parasysh kërkesat e tyre, atëherë nuk mbetet gjë tjetër të futen me forcë në institucione për të kërkuar që tokat e tyre të mos vidhen nga oligarkët që po u marrin edhe kafshatën e fundit të bukës.
Banorët e gjashtë fshatrave në Elbasan ngrihen në protestë: Po na marrin ujin!
Banorët e gjashtë fshatrave në Njësinë Administrative Tregan, në Bashkinë e Elbasanit, u ngritën këtë të premte në protestë për të mbrojtur burimin ujor në fshatin Muçan, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm. Gjatë protestës së zhvilluar pranë njësisë administrative, ata deklaruan se në këtë burim po kryhen punime nga persona që, sipas tyre, kanë pushtet dhe zotërojnë biznese. Banorët pretendojnë se shtrirja e tubacioneve rrezikon furnizimin me ujë të pijshëm për familjet, veçanërisht gjatë stinës së verës. Sipas protestuesve, uji është jetik dhe, për sa kohë ata paguajnë rregullisht faturat, askush nuk ka të drejtë t’ua marrë atë. Aktualisht, punimet për marrjen e ujit në fshatin Muçan janë pezulluar, ndërsa banorët shprehen të vendosur për ta mbrojtur burimin e ujit me çdo mënyrë. Të luftosh sot për ujin e pijshëm është tragjike, por me institucionet shqiptare nuk çuditemi. Tani që larguan shumicën e shqiptarëve nga vendi, këtyre pak që kanë ngelu po u marrin edhe ujin.
Banorët e Roskovecit: “GENER2” po grabit tokat për të ndërtuar fotovoltaik
Prej dy javësh protestojnë që kërkesa e tyre të merret parasysh, por shprehen të zhgënjyer me institucionet ligjzbatuese, që nuk po marrin asnjë masë të vendosin drejtësi sipas tyre. Banorët pretendojnë se, kompania “Gener 2”, nuk disponon dokumentacionin e nevojshëm. “Ka dhjetë ditë që ka filluar ndërtimi, ne sot kërkuam të takoheshim me përfaqësues të kompanisë Gener 2, të na tregonte dokumentacionin e lejes për zhvillimin e parkut fotovoltaik në Roskovec. Ne dyshojmë tek leja, arsyeja është se leja nga AKM ka skaduar, përballemi me shumë të panjohura.
Kam një thirrje për policinë e shtetit, IKMT-së, të vijnë të bëjnë verifikimet e duhura këtu. IKMT dhe policia arrestojnë qytetarët për një çati, e marrin e çojnë direkt në furgon”, tha një banor i zonës. Protestuesit i bëjnë thirrje policisë, dhe IKMT-së, të ndërhyjnë për të ndaluar zhvillimin e parkut fotovoltaik.






















