Me akt normativ, qeveria klasifikon si “Sekret Shtetëror” dokumentet financiare të 1.2 miliardë eurove të donacioneve dhe kredive për banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019…
Gjashtë vite pas tërmetit, qeveria nuk ka dhënë transparencë për fondet e rindërtimit. Me urdhër të kryeministrit Edi Rama, Ministria e Financave po përgatit një akt normativ që klasifikon shpenzimet si “Sekret Shtetëror” për 20 vite, duke i nxjerrë jashtë kontrollit publik dhe hetimeve penale. Vendimi përfshin edhe bilancin financiar të 1.2 miliardë eurove të mbledhura nga kreditë dhe donacionet ndërkombëtare, ndërsa dokumentet rrezikojnë të mos verifikohen brenda afateve ligjore të ndjekjes penale.
Gjatë gjashtë viteve pas tërmetit, qeveria ka bunkerizuar informacionin dhe nuk ka bërë transparencë për shpenzimet e rindërtimit të banesave, si për fondet e akorduara nga buxheti i shtetit, ashtu edhe për kredinë e huaj me vlerë 1.2 miliardë euro. Për të mbajtur të fshehta shpenzimet financiare të procesit të rindërtimit, po kujdeset vetë kryeministri Edi Rama, i cili, me vendim të posaçëm qeverie, ka urdhëruar që këto të dhëna të mos bëhen publike për një periudhë të gjatë kohore. Ministria e Financave është urdhëruar të përgatisë një projekt-akt normativ me fuqinë e ligjit për konfidencialitetin dhe arkivimin e dokumenteve financiare, që lidhen me shpenzimet e rindërtimit në zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Sipas informacionit, me këtë akt normativ të qeverisë, shpenzimet e rindërtimit do të klasifikohen “Sekret Shtetëror” dhe nuk do të bëhen publike për 20 vite, çka do të thotë se nuk do të kenë të drejtë t’i shohin as organet e drejtësisë në raste hetimesh.
Fakti që shpenzimet e procesit të rindërtimit do të trajtohen si dokumente të klasifikuara “Sekret Shtetëror” me akt normativ të qeverisë, dhe që për këtë fshehje është angazhuar vetë kryeministri, krijon dyshime të arsyeshme se mund të jenë kryer vjedhje të mëdha.
Ndryshe, nuk ka asnjë motiv që Edi Rama të urdhërojë miratimin e një akti normativ për fshehjen e të dhënave, kur ligji për dokumentet e klasifikuara “sekrete afatgjata” nuk përfshin tenderët e investimeve civile, madje lejon publikimin e tenderëve për blerje armatimesh të ushtrisë dhe policisë. Por Edi Rama mendon për paprekshmërinë e tij nga drejtësia, duke sekretuar për 20 vite vjedhjen e fondeve të rindërtimit, çka do të thotë se ato nuk do të hapen brenda 10 viteve që përcakton Kodi i Procedurës Penale për hetim dhe ndjekje penale. Skenarin për të bllokuar informacionin e shpenzimeve të rindërtimit, kryeministri Edi Rama e ka menduar dhe nisur më 8 tetor 2025, me Vendimin nr. 569, duke emëruar dy të besuarit e tij, Blendi Gonxhe dhe Mirela Kumbaro, në krye të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit. Ata janë caktuar për hartimin dhe firmosjen e bilancit financiar të shpenzimit të 1.2 miliardë eurove, të mbledhura përmes kredive dhe donacioneve të huaja për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Sipas burimeve të Pamfleti brenda Ministrisë së Financave, Gonxhe dhe Kumbaro kanë firmosur një raport kontabël të gatshëm, të hartuar jashtë zyrave të qeverisë, me të dhëna që paraqesin shpenzimet e rindërtimit sikur janë realizuar 100 për qind në Tiranë, Kamëz, Vorë, Durrës, Krujë, Kurbin, Shijak dhe Lezhë. Ky raport i falsifikuar i shpenzimeve do të klasifikohet “Sekret Shtetëror” dhe nuk do të hapet për 20 vite, përmes aktit normativ me fuqinë e ligjit që po përgatitet nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, për t’u miratuar në qeveri. Për Edi Ramën nuk ka rëndësi sa banesa janë rindërtuar dhe sa familje janë strehuar, por vetëm që të justifikohet dhe të vetëmbrohet me dokumente zyrtare shpenzimi i 1.2 miliardë eurove të mbledhura nga donacionet dhe kreditë ndërkombëtare. Me sekretimin e të dhënave financiare, Edi Rama krijon paprekshmëri nga drejtësia, pasi as Prokuroria e SPAK nuk ka të drejtë të kërkojë raportin financiar të rindërtimit para 10 viteve, sepse pas këtij afati vjedhjet konsiderohen ligjërisht të amnistuara për shkak të parashkrimit penal./Pamfleti




















