SPECIALE/ Viti 2025 nga Kampionati Kombëtar Dimëror i Fëmijëve e deri te Kupa “Klavio Meça”. Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku: Arritjet e vitit 2025, do jenë bazë në synimet për vitin 2026

Nga Agron KAJA

Ndoshta nuk do ishte e lehtë për ti thënë të gjitha në përshkrimin e një viti sportiv në notin shqiptar, i cili vitin 2025 e nisi me Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve deri në moshën 14 vjeç më 12 dhe 13 prill, dhe e mbylli më 20 dhjetor me Kupën Perspektiva e Notit “Klavio Meça”. Në këto veprimtari kombëtare kanë marrë pjesë mbi 300 notarë meshkuj e femra të të gjitha moshave (Fëmijë, të Rinj dhe të Rritur), njëherësh janë përmirësuar kohë në gara të ndryshme. Por më evidentja është thyerja e rekordeve kombëtare, ku mund të arrihet shifra me mbi 90 të tillë. Për arritjet e vitit 2025, flet Presidenti i Notit Shqiptar, Agim Çiraku, i cili për gazetën “Telegraf” tregoi gjithçka që kjo federatë ka kaluar gjatë këti viti sportive.

NOA

Vitin sportiv 2025, FSHN-ja e mbylli me 7 veprimtari të organizuara prej saj, ju si President si i përshkruania ato?

FSHN-ja ka qënë e përkushtuar në të gjitha ato evente që ka organizuar gjatë vitit 2025, dhe falë bashkëpunimit me klubet e skuadrat. Sot them se kemi mbyllur një vit me pjesëmarrje të lartë dhe shumë rekorde në të gjitha veprimtaritë, brenda synimeve tona vjetore.

Në të gjitha garat, Fëmijët, të Rinj e të Rriturit, u thyenë rekorde kombëtare, çfarë shpreh ky tregues?

Thyerja e rekordeve kombëtare, apo edhe përmirësimi i kohëve nga shumë notarë, mendoj se tregon përgjegjshmërinë stërvitore të trajnerëve dhe të vetë notarëve. Të gjithë së bashku kanë formuar atë “orkestrën” e rekordeve kombëtare.

Gjatë vitit 2025, në këto arritje spikatën individë dhe ekipe, ju i veçoni si pjesa më vitale aktuale e notit?

Gjatë vitit 2025 në aktivitetet kombëtare spikatën AN “Te Stela”, Teuta, Vllaznia e disa individë. Është e pamundur sot të përmëndim emrat e notarëve e notareve që u dalluan gjatë vitit 2025, por nga FSHN-ja ka falenderim për paraqitjen denjitoze në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Gjatë vitit 2025 Tirana u tërhoq nga disa gara, e uli kjo nivelin e cilësinë e garimit?

Nën drejtimin e trajnerit Arjan Fetishi, në disa vite rresht Tirana ishte protagoniste  në çdo veprimtari kombëtare, rivale me AN “Te Stela”. Por fatkeqësisht, mungesa e infrastrukturës e largoi nga disa veprimtari. Shpresoj vitin tjetër të rregullohet gjëndja.

Në cilat veprimtari të saj FSHN-ja ka patur mbështetje edhe nga strukturat shtetërore të sportit?

FSHN ka mundur të realizojë objektivat dhe kalendarin sportiv për vitin 2025, falë edhe mbështetjes, kryesisht të MSA-së, por edhe të Federatës Botërore të Notit dhe e asaj Europiane të Notit. Qeveria shqiptare është treguar solidare në projektet tona.

Me infratsrukturën aktuale ku garohet në notin shqiptar, mendoni se notarët meritojnë kushte më të mira?

Padyshim që infrastruktura në sportin e Notit ka shumë nevojë për t’u përmirësuar, sepse çdo impiant ku garohet është privat. Ne si federatë kemi projekte përmirësimi, dhe për këto shpresojmë të kemi mbështetjen e Qeverisë e të KOKSH-it.

Shumë notarë shqiptarë kanë marrë pjesë dhe kanë garuar në veprimtari ndërkombëtare, cilën veçoni prej tyre?

Çdo aktivitet ndërkombëtar është i rëndësishëm, dhe pjesëmarrja e notarëve tanë ka qënë e një rëndësie të veçantë. Të gjithë i kanë përmirësuar kohët e tyre dhe kanë thyer rekorde kombëtare, Ata kanë qënë të gjithë dinjitozë, meshkuj e femrat.

Rikthehem tek një premtim i përvitshëm për ndërtimin e pishinave, diçka më shumë për këto gjatë vitit 2025?

Për sportin e notit në Shqipëri do ishte një arritje shumë e madhe ndërtimi i këtyre pishinave. Kjo do bënte të mundur rikthimin e shkëlqimit të dikurshëm të Notit shqiptar, si të notarëve të traditës. Jemi ende në shpresën e realizimit të premtimit.

Si President i FSHN-së, cili është mesazhi juaj për notarët e trajnerët e tyre për vitin 2026?

Për vitin 2026, synimet dhe objektivat e FSHN-së janë të qarta dhe konkrete: Mbi arritjet e viti 2025 të ndërtojmë synimet e reja për vitin 2026. Të gjithë notarët e trajnerët të mos ndalin përgatitjet e tyre, dhe me këtë motiv të nisin nga puna.

Çdo aktivitet ndërkombëtar është i rëndësishëm, dhe pjesëmarrja e notarëve tanë ka qënë e një rëndësie të veçantë. Të gjithë i kanë përmirësuar kohët e tyre dhe kanë thyer rekorde kombëtare, Ata kanë qënë të gjithë dinjitozë, meshkuj e femrat

 

 

7 Evente kombëtare

Gjatë vitit 2025, Federata Shqiptare e Notit zhvilloi 7 veprimtari kombëtare për të gjitha moshat, në pishinat dimërore 25 m, dhe në ato verore 50 m.

7 Pjesëmarrje ndërkombëtare

Gjatë vitit 2025, notarët shqiptarë morrën pjesë në 7 veprimtari ndërkombëtare për të gjitha moshat, të cilat u thyen rekorde kombëtare e kohë të përmirësuara

Pjesëmarrje në veprimtaritë Kombëtare

#Kampionati Kombëtar i Fëmijëve

Pishinë 25m, Tiranë 12-13 Prill

#Kampionati Kombetar Rinj & Rritur

Pishinë 25m, Tiranë 26-27 Prill

#Kupa Shqipërisë 2025

Pishinë 50 m, Tiranë 10-11 Korrik

#Kampionati Kombëtar Femijë,

Rinj&Rritur, 50m, Durrës 30-31 Gusht

#Maratona Mbarëkombëtare në det,

Sarandë 7 Shtator 2025

#Kupa Pavarësia, Fëmijë, të Rinj, e të rritur

Pishinë 25 m, Tiranë 22-23 Nëntor

#Kupa “Klavio Meça”, Tiranë 20 Dhjetor

 

Vllaznia ka garuar gjatë vitit 2025 me kampionë e rekordmenë 

Në garat e vitit 2025, Vllaznia ka marrë pjesë me notarët e saj në të gjitha veprimtaritë e vitit 2025, që janë organizuar nga FSHN-ja. Nga Shkodra kur po bëhej gati për të marrë pjesë në një veprimtari noti në Maqedoninë e Veriut, trajneri Kol Shiroka tregoi për gazetën “Telegraf” se, gjatë vitit 2025 është punuar në të gjitha drejtimet. “Pjesëmarrjet tona nuk kanë qënë modeste, por cilësore në rezultatet e arritura, ku në kampionatet në pishinat 25 m dhe 50 m arritëm edhe 20 notarë garues. Ata u paraqitën mirë me rezultate të larta, njëherësh edhe me rekorde kombëtare”, kështu e përshkruan trajneri Shiroka rrugëtim e Vllaznisë së notit për vitin 2025, ku tregon edhe të veçanta. “Të gjithë notarët e Vllaznisë u paraqitën mirë, por do veçoja Joel Golemin që thyeu rekordin kombëtar në 400 m Stil i Lirë, rekord që mbahej nga notari Greis Koxhaku i Tiranës. Por edhe Alesandro Hyso, Viki Tafrruku e Vitore Hyso treguan vlera në rezultatet e tyre gjatë garave të vitit 2025. Madje Viki u shpall notarja më e mirë Femër në Kupën “Klavio Meça. Tashmë besoj; e ardhmja do flasë me më shumë rezultate e rekorde edhe nga të tjerë notarë shkodranë”, kështu u shpreh trajneri i notit të Vllaznisë, Kol Shiroka.

TRAJNERI/ Mjeshtri i Madh Sadik Mema tregon arritjet në garimet e sezonit që u mbyll.

Viti 2025 ishte i suksesshëm për notarët e AN “Te Stela”

Trajneri i AN “Te Stela”, Mjeshtri i Madh Sadik Mema, e quan të suksesshëm vitin 2025. Në këndvështrimin e tij teknik, ai deklaron për gazetën “Telegraf” se i kanë fituar të gjitha trofetë, duke përjashtuar titullin për të Rritur në Kampionatin Kombëtar në pishinën 50 m, të cilën e fitoi Tirana. “ Mendoj se për notarët e AN Te Stela, 2025-a ishte viti i suksesshëm. Kemi fituar thuajse të gjitha akvitetet, veç Kampionatit Kombëtar për të Rritur në pishinën 50m, ku edhe pse fituam 4 Kupa: Për fëmijët Meshkuj e Femra, për të Rinj Meshkuj dhe të Rritura Femra, nuk arritëm vetëm Kupën për të Rritur Meshkuj. Në të gjitha garat e këtij viti, notarët e AN “Te Stela” kanë thyer më shumë se 40 rekorde Kombëtare në të gjitha grupmoshat, dhe kjo mendoj se tregon punën e mirë që është bërë e bëhet në Akademinë tonë. Çelsi i suksesit për ne është organizimi i mirë dhe pasioni që kemi për të bërë më të mirën”, kështu e analizon trajneri Sadik Mema rrugëtimin vjetor nga notarët e akademisë. Por njëherësh, Mjeshtri i Madh tregon se këta notarë kanë marrë pjesë në veprimtari e Mitingje Ndërkombëtare. “Nga notarët e AN “Te Stela” ka patur përfaqësues në të gjitha aktivitet ndërkombëtare të vitit 2025, si Arla Dermishi, Luna Djarmati, Klint Hoxha, Avi Luga, Daniel Danja etj. Ndërkohë që si ekip, në dy Mitingjet Ndërkombëtare të zhvilluar në Maqedoninë e Veriut ku morrën pjesë mbi 40 ekipe nga Ballkani e më gjërë, notarët tanë i fituan të dyja këto aktivitete, të cilët vendosen mbi bazën e medaljeve të fituara”. Ndërkohë që për vitin 2026. Mjeshtri i Madh Sadik Mema theksoi se do punohet për një përfaqësim më cilësor dhe me rekorde kombëtare të reja. “Për vitin 2026, gjithmonë do presim rekorde të reja, sepse kemi notarë që premtojnë, por edhe staf teknik profesional që e udhëheq punën. Sepse AN “Te Stela” ka shkollën e Notit më të mirë në Shqipëri, me individë drejtues profesionistë. Fillimi i muajit janar do të nisë :betejën” e vitit sportiv 2026”, kështu e analizon Sadik Mema, Mjeshtër i Madh, gjithë rrugëtimin e AN “Te Stela” për vitin sportiv 2025.

Notarët më të mirë, viti 2025

FEMRA

Arla Dërmishi AN Te Stela

Luna Djarmati AN Te Stela

MESHKUJ

Ediliano Huna Teuta

Gresi Koxhaku            Tirana

EKIPET KONKURRUESE NË VITIN 2025

Te Stela, Tirana, Partizani, Vllaznia, Teuta, Vlora Not, Butrinti, Skampis, Pogradeci, Flamurtari, Skuadra nga Kosova.

Trajneri Arjan Fetishaj: Dritëhijet e Tiranës në vitin 2025  

Për vitin 2025, Tirana kishte objektiv një pjesëmarrje më të gjërë në të gjitha veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare. Trajneri Arjan Fetishaj tregon se rrugëtimi i tyre në gara ka qënë i suksesshëm, por që ky rrugëtim u ndërpre në mesin e vitit. “Tirana kishte objektiv një pjesëmarrje me të gjërë në të gjitha veprimtaritë, dhe pritshmëritë i kishim të larta. Objektivat u realizuan nga një pjesë e këtij grupi, Meshkuj e Femra. Në aspektin e organizimit, Tirana ka qënë model në pjesëmarrjet e vitit 2025, në përfaqësim dhe në rezultatet që ka arritur. Do veçoja edhe etikën e çdo notari tonë në aktivitetet ku morrëm pjesë. Gjatë vitit 2025 nga notarët tanë u thyenë disa rekorde kombëtar, por u thyen tabutë në përgatitjen e notarëve tanë në këto kushte që ne kemi. Infratsruktura jonë është për të dëshiruar, por notarët tanë treguan se ishin konkurrues e dinjitozë. Kjo ishte arsye e largimit në mesin e garave të vitit, çka na pamundësoi pjesëmarrjen tonë në disa veprimtari. Për vitin 2026, objektivi ynë primar është infrastruktura, më pas do synojmë një pjesëmarrje sa më të shumtë në numër dhe rezultate më të larta, të shoqëruara këto edhe me rekorde të tjera kombëtare”.

Pjesëmarrje në veprimtaritë Ndërkombëtare

#Comen Cup, Beograd 20-22 Qershor 2025

#Kamp. Europian U23, 26-28 Qershor 2025

#Kamp. Europian-Rinj, Sllovaki 1-6 Korrik 2025

#Festivali Europian të Rinj, Shkup

Në datat 20-26 Korrik 2025

#Kampionati Botëror, Singapor

Në datat 26 Korrik-3 Gusht 2025

#Kampionati Botëror të Rinj

Otopeni-Rumani, 19-24 gusht 2025

#Kampionati Europian 25 m, Poloni

Në datat 2-7 Dhjetor 2025