Prof. Dr. Zamira Çavo: Memorja shqiptare, ajo që na mungon. Refleksion mbi librin e Prof. Dr. Tatjana Ymer Dishnica

Ndodh që të bie në dorë një libër, që edhe pse nuk është në fushën tënde t’i nuk e heq dot nga dora. Arsyeja? Sepse aty gjen historinë që e kemi humbur.

Nuk e di si erdhëm deri në këtë fazë të shoqërisë sonë që të themi: Historia fillon me ne. Në administrata prej vitesh historia e shtetit është minimizuar në disa dokumente të pavlera. Sepse kushdo që ka ardhur  në atë pozicion, ka” fshirë “ nga memorja institucionale atë çka ka gjetur. Nuk iu duket domosdoshmëri vazhdimësia institucionale.  Sa vështirë është të gjesh e të gërmosh nëpër dosje të hedhura në bodrume ( në rastin më të mirë) ose të zhdukura me pretekstin banal se nuk na duhen. Por Administrata, Shteti flet me dokumente dhe nëse këto dokumente “harrohen”, herë qëllimisht e herë nga injoranca e atyre që u bie në orë, atëherë Memorja e shtetit humbet.

Sigal

Ja pse Libri i Prof. Dr. Tatjana Dishnicës më futi në mendime. Ajo shkruan: Një shekull kërkime dhe institucionet bujqësore!

Mendoni pak çfarë pasioni, çfarë pune e shkëlqyer që është bërë në gjetjen e dokumenteve, fotografive apo argumentimin e politikave bujqësore. Dhe kjo jo për një periudhë dhjetëvjeçare, por një shekullore!

Profesoresha nuk ka gjetur vetëm të dhëna. Por, fakti që ajo e ka dashur bujqësinë që në fillimet e karrierës së saj, e më tej si drejtuese e instituteve bujqësore të kërkim-zhvillimit, e deri tek të qenurit Profesore në Universitetin Bujësor, e ka bërë të dashurohet me dhimbje ndaj problematikave që ka kaluar e po kalon bujqësia shqiptare.

Në këtë libër gjen gjithçka që i duhet një studiuesi, një politikani dhe një ligjvënësi për një sektor sikundër është bujqësia.

Tatjana ka folur jo thjesht me emrat e atyre që kanë kontribuar ndër vite për bujqësinë, por ka analizuar me një profesionalizëm të spikatur politikat bujqësore të hartuara e të zbatuara ndër vite. Ka vënë gishtin në plagët e tyre, ka nxjerrë konkluzione dhe ka dhënë rekomandime.

Po vallë a bien në veshin e atyre që duhet ta njohin këtë histori? Vallë a do ta lexojnë deputetët ligjvënës që hartojnë politika për bujqësinë? Po punonjësit e Ministrisë përkatëse? Apo çfarë u  duhet?! Mjafton të dinë që kanë ca fonde dhe i shpërndajnë sipas… kritereve personale!

Unë nuk e kam patur asnjëherë në vëmendje problemin e bujqësisë megjithëse kur isha fëmijë isha mësuar që kur udhëtoja me prindërit të dëgjoja fjalë të tilla si :Po mban koha për bujqësinë! Pra rëndësinë e dija, sot kam kuptuar dhe jam e bindur se një vend pa bujqësi të zhvilluar është i vdekur.

Libri “Memorja shqiptare” në kërkimin dhe institucionet bujqësore është në mendimin tim një busull orientuese për të ardhmen. Mos të përsëriten gabimet e të shkuarës dhe të propozohen mënyrat moderne të zhvillimit.