20-vjetori i themelimit të gazetës “Telegraf”/ Frank Shkreli: Një trashëgimi gazetareske bazuar në vlera dhe integritet dhe etikë gazetareske

Frank Shkreli, ish Drejtori i VOA-s: Telegraf një trashëgimi gazetareske bazuar në vlera dhe integritet dhe etikë gazetareske. Për dy dekada ka shërbyer si një dëshmitare, por edhe rojtare e së Vërtetës me përgjegjësi qytetare dhe ndërgjegje kombëtare, ku si bashkëpuntor i saj i ngushtë për 15-vjet tani e kamë vlerësuar Gazetën Telegraf si një promovuese vetvetiu që nderon lirinë e fjalës dhe parimet demokratike perëndimore. Një publik i mirë-informuar është një garanci e lirisë dhe demokracisë, vazhdon të jetë busulla e Botuesit, Drejtorit dhe stafit të Gazetës “Telegraf”. Telegraf ka shërbyer dhe shërben si një platformë për të pasqyruar edhe pikëpamjet e lexuesve të saj, siç janë të përndjekurit e ish-regjimit, të cilët shpesh më kanë thenë se po të mos ekzistonte Gazeta Telegraf, zërat e tyre nuk do të dëgjoheshin .

“Liria jonë, varet nga liria e shtypit”, Tomas Xheferson

Sigal

“20-vjet më parë, Gazeta Telegraf filloi një rrugëtim, një mision jo aq të thjeshtë, ndoshta për disa edhe tepër ambicioz. Me premtimin për lexuesit shqiptarë, se krahasuar me gazetat e asaj kohe në Shqipëri — “Me ne dita nis ndryshe”, brenda një kohe të shkurtër, ajo ia doli të bëhej njëra prej gazetave më me influencë në Shqipëri, por jo vetëm.

Fillimi, si shumë gjëra të tjera të rëndësishme në jetë, nuk ishte i kollajtë as me këtë rast që të botohej një gazetë e re në hapësirën mediatike shqiptare të 20-viteve më parë. Pronari Agim Çiraku dhe Drejtori Gazetës së re Telegraf nuk premtuan ndonjë mrekulli në fushën e gazetarisë së tranzicionit të stërgjatur shqiptar. Por, megjithë sfidat fillestare ata ofruan besimin e fortë të tyre se një publik i mirëinformuar nga një shtyp i lirë dhe i pavarur, është gur-themeli i një shoqërie të lirë. Me besimin e tyre se gazetaria nuk është thjesht një profesion, por duhet të jetë edhe një shërbim publik në mbrojtje të së Vërtetës. Ndonjëherë, edhe në shërbim të publikut si një akt kundërshtimi e mosbindjeje civile ndaj autoritetit, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive bazë të njeriut, pa dallim dhe në interes kombëtar, në veçanti.

Për dy dekada, Gazeta Telegraf ka shërbyer si një dëshmitare, por edhe rojtare e së Vërtetës. Si shoqëruese e përditshme për dy dekada pranë lexuesve shqiptarë në Shqipëri dhe më gjërë, duke pasqyruar hallet dhe sfidat e jetës së përditshme. Sepse në një demokraci sado të brishtë, e Vërteta duhet të thuhet – për të “mirat dhe për të këqiat” , për sukseset dhe për dështimet, sidomos të politikës, por edhe të shoqërisë në përgjithësi – duke e bërë këtë pa frikë, pa favore dhe pa kompromise!

Me gjithë ndryshimet e mëdha në hapësirën mediatike të këtyre 20-viteve në botë, pa përjashtuar Shqipërinë, ndryshime që shpesh kanë prodhuar një “zhurmë” mediatike që ka transformuar, ndoshta, përgjithmonë për mirë ose për keq mënyrën se si dhe në cilin burim lajmesh lexuesi shqiptar kërkon të Vërtetën. Gazeta Telegraf i ka ndejtë besnike të Vërtetës dhe premtimit origjinal se “Me ne dita nis ndryshe”! Duke ndërtuar, kështu -për dy dekada një trashëgimi mediatike vlerash, etikë gazetareske dhe integriteti në mbrojtje të së Vërtetës. Të një gazetarie ndryshe, me integritet, përgjegjësi etike dhe kombëtare, me besimin se faktet janë të rëndësishme, jo vetëm në mbrojtje të së Vërtetës, por edhe të interesave kombëtare afatgjata dhe afatshkurtëra të shqiptarëve.

Shpesh, duke u përballur me trysnitë dhe me ndikimet politike dhe ekonomike të ditës, jo pa pasoja politike dhe ekonomike në Shqipërinë e post-komunizmit, Gazeta Telegraf gjatë kësaj periudhe të ekzistencës së saj 20-vjeçare, përballë lloj-lloj frikësimesh e ndonjëherë kërcënimesh, ajo në faqen e parë të gazetës, me kurajo dhe pa kompromis ka ekspozuar, rregullisht, korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë, biznesit dhe administratës politike në një kohë kur burime të tjera mediatike në Shqipëri gazeta dhe portale preferonin të heshtnin përballë korrupsionit të lartë, krimeve dhe keq-qeverisjes, qoftë nga njëra, qoftë nga tjetra palë e politikës shqiptare gjatë dy dekadave të shkuara.

Si një gazetë kombëtare e pavarur dhe opozitare Gazeta Telegraf, ndryshe nga gazetat e tjera — për dy dekada tani — ka ngritur debatin publik dhe politik në një nivel të tillë, duke u dhënë një tribunë dhe hapësirë të lirë zërave me pikëpamje të ndryshme, por me përgjegjësi qytetare dhe ndërgjegje kombëtare, pikëpamjeve të tyre mbi zhvillimet e kaluara dhe aktuale politike në Shqipëri , përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave, si bashkpuntor i saj i ngushtë për 15-vjet tani. Diçka që unë dhe shumë të tjerë e kanë vlerësuar Gazetën Telegraf si një promovuese dhe një media gjithëpërfshirëse, vetvetiu nderon lirinë e fjalës dhe parimet demokratike perëndimore, me besimin e thellë të Botuesit dhe Drejtorit, se qoftë edhe në Shqipëri, një publik i mirë-informuar është një garanci e lirisë dhe demokracisë, sidomos, në një vend ish-komunist diktatorial, si është Shqipëria. Ky besim ose më mirë të themi qëndrim parimor, se një publik i mirë-informuar është një garanci e lirisë dhe demokracisë, vazhdon të jetë busulla e Botuesit, Drejtorit dhe stafit të Gazetës Telegraf që vazhdon të zbatohet, fuqimisht, siç pasqyrohet në çdo numër të Gazetës.

Me këtë besim të fortë në lirinë e shtypit si një forcë e pazevëndësueshme për zhvillimin e lirisë dhe demokracisë së vërtetë, Gazeta Telegraf për dy dekada ka bërë shumë më tepër sesa raportimin e lajmeve ajo ka luajtur me sukses edhe rolin e dyfishtë të shtypit të lirë: rolin edukues të një gazete të lirë duke informuar me saktësi, duke u angazhuar, guximtarisht, në gazetari investigative dhe duke i shërbyer interesit publik me integritet dhe saktësi.

Në këtë frymë, Thomas Jefferson, autori i lirive dhe demokracisë amerikane, na kujton se “Liria jonë varet nga liria e shtypit dhe kjo nuk mund të kufizohet pa u humbur” e tëra. Gazeta Telegraf e ka përcjellë këtë të vërtetë për çdo çështje tek lexuesit e saj duke mbështetur transparencën, duke ngritur zërat e komunitetit dhe duke i mbajtur institucionet përgjegjëse kur duhej dhe kur është e nevojshme. Por gazeta Telegraf ka bërë edhe më shumë se kaq, në krahasim me burime të tjera lajmesh në hapësirën mediatike shqiptare: Telegraf ka shërbyer dhe shërben si një platformë ideshë dhe opinionesh ndër më të ndryshmet, duke inkurajuar kështu shfaqjen e opinioneve kritike, por duke pasqyruar edhe zërat dhe pikëpamjet e lexuesve të saj, siç janë të përndjekurit e ish-regjimit, të cilët shpesh më kanë thenë se po të mos ekzistonte Gazeta Telegraf, zërat e tyre nuk do të dëgjoheshin pa një platformë të tillë si Telegraf.

Uroj dhe bëj thirrje modeste, që ndërsa shikojmë përpara, le të ritheksojmë së bashku një të vërtetë që ju ka udhëhequr që nga fillimi se: “Kur shtypi është i lirë, askush nuk është kurrë në errësirë.” Falë misionit dhe përkushtimit tuaj të palëkundur, populli shqiptar është i informuar më mirë, më i përbashkuar dhe më i përgatitur për të ardhmen që e pret në një liri e demokraci të vërtetë, një realitet dhe një objektiv kombëtar drejt të cilit Gazeta Telegraf s’ka pushuar kurrë së punuari me përkushtim, për dy dekada. Për këtë të gjithë ju drejtues, botues dhe staf gjatë viteve, por edhe lexues dhe kontribues, krenohemi për punën tuaj të madhe prej 20-vitesh në interes të përforcimit të lirisë dhe demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Urimet më të përzemërta në këtë përvjetor të jashtëzakonshëm. Uroj që njëzet vitet e ardhshme në cilin do format lajmesh qoftë, Gazeta Telegraf, të sjelli shërbim, njohuri dhe ndikim edhe më të madh në jetën politike, mediatike dhe shoqërore të Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar.

Në këtë 20-vjetor, urimet e mia më të përzemërta Drejtuesve të Gazetës së njohur tanimë Telegraf – Botuesi familja Çiraku dhe Drejtorit Engjëll Musai, të cilët për dy dekada kanë treguar një përgjegjësi të lartë civile, mediatike dhe patriotike në mbrojtje të së Vërtetës historike dhe saktësisë së lajmit, gjithmonë në shërbim të interesit publik dhe kombëtar. Drejtuesit e gazetës Telegraf, në këtë 20-vjetor të saj, duhet të jenë krenarë për besimin dhe për përgjegjësinë e tyre siç ka shkruar shkrimtari dhe gazetari i njohur amerikan Ëalter Lippman,se  “Një shtyp i lirë nuk është privilegj, por është një nevojë organike për një shoqëri të lirë”, e demokratike. Ose siç është shprehur dikur gazetari ndër më të njohurit amerikanë e botërorë, Ëalter Cronkite sa i përket lirisë së shtypit dhe zhvillimit të demokracisë, se: “Liria e shtypit nuk është vetëm e rëndësishme për demokracinë, ajo është vetë demokracia”, ka thënë ai. Ky qëndrim i Botuesit dhe i Drejtorit të Gazetës Telegraf, se pa një   shtyp të lirë nuk ka as demokraci të vërtetë duhet të jetë një parim jo vetëm i një gazete siç është Telegraf në 20-vjetorin e themelimit, por edhe një shembull për t’u ndjekur në mbarë hapësirën gazetareske shqiptare. Është thënë shpeshherë dhe nga shumë veta se Demokracia nuk mund të mbijetojë pa Lirinë e shtypit dhe pa Lirinë e të shprehurit. Janë të shumtë artikujt e mi të botuar në Telegraf e që kanë trajtuar këtë të vërtetë historike: se pa liri shtypi nuk ka as demokraci. Paralajmërimi im vite më parë se Demokracia ‘Nuk Pret’, vazhdon për arsyen se demokracia në Shqipëri po vonohet, pikërisht, se “Pa shtyp të lirë nuk ka demokraci”!

Nëse më lejohet një koment personal në këtë 20-vjetor të gazetës Telegraf unë e ndjejë veten të privilegjuar dhe shumë mirënjohës ndaj gazetës Telegraf dhe stafit të saj. Bashkpunimi im prej 15-vitesh me Gazetën Telegraf është bërë tanimë një pikë e rëndësishme identifikimi në jetën dhe karrierën time. Një përvojë e dobishme dhe e paharrueshme për mua! Gazeta Telegraf gjatë këtyre 2-dekadave, si rrallë ndonjë burim tjetër lajmesh dhe informacioni, ka mbajtur hapur faqet e saja për shkrimet e mia modeste. Për këtë u jam përjetësisht dhe përzemërsisht mirënjohës, përgjithmonë.  Prandaj, nga unë si lexues i rregullt dhe bashkpuntor i ngushtë prej vitesh, urimet e mia më të përzemërta në këtë 20-vjetor të “Gazetës Telegraf”.