Në një nga Universitetet më të mira në Amerikë ku studiojnë 24 studentë shqiptarë, qëllova që isha në mbrëmjen që organizonin për Festën e Flamurit.
Ishte shumë bukur të shikoje të rinj shqiptarë që festonin plot gëzim një ngjarje me rëndësi historike të të parëve të tyre.
Megjithatë kur i pyeta nëse do të ktheheshin në Shqipëri pas studimeve për të kontribuar për vendin, asnjëri nuk shprehu dëshirën për t’u kthyer.
Nga 24 vetë asnjëri. Sigurisht që nuk ke përse të qortosh apo zëmërohesh me një vendim të tillë. Fakti që vendi i tyre i origjinës nuk ofron asgjë duhet të na bëjë të reflektojmë se çfarë po ndodh me të ardhmen e Shqipërisë?
Për kuriozitet pashë se çfarë bëhej me studentët e tjerë që studiojnë në Amerikë.
“Rreth 59% e studentëve ndërkombëtarë në SHBA kthehen në vendet e tyre të origjinës, sipas një studimi të vitit 2024 nga Economic Innovation Group.
41% e të diplomuarve ndërkombëtarë nga programet bachelor, master ose doktoraturë në SHBA qëndrojnë në vend për një kohë më të gjatë, me përqindje që ndryshon ndjeshëm sipas nivelit të diplomës”.





















