Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka dërguar një letër misionit monitorues të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës.
Kjo kërkesë e Veliajt për monitoruesit e Këshillit të Europës vjen pasi këta të fundit e kanë njoftuar zyrtarisht kryebashkiakun për ardhjen e tyre për këtë mision monitorimi.
“Qëllimi i këtij takimi është të sigurojë transparencë, komunikim të drejtpërdrejtë dhe informim të saktë mbi situatën time ligjore, statusin tim institucional si Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe respektimin e të drejtave të mia si i ndaluar. Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenet 6 dhe 8 që garantojnë të drejtën për komunikim dhe përfaqësim, ju lutem të miratoni këtë kërkesë dhe të siguroni kushtet për zhvillimin e takimit gjatë periudhës së vizitës së përmendur”, thekson Veliaj në kërkesën drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve.
Këtë kërkesë Veliaj e ka dërguar edhe në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku dosja e tij ndodhet në seancë paraprake, nëse do të kalojë për gjykim apo jo.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt të këtij viti në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash. Më 23 shtator të këtij viti, Këshilli Bashkiak e shkarkoi me arsyetimin e mungesës në punë, vendim që u konfirmua nga Këshilli i Ministrave më 25 shtator.
Por Veliaj kërkoi shfuqizimin e këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese. Më 3 nëntor, togat e zeza vendosën në favor të Erion Veliajt duke shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij dhe duke e rikthyer në detyrës. Sipas gjykatës, Veliaj nuk ka kryer shkelje të rëndë, pasi mungesa e tij në detyrë lidhet me arrestimin dhe jo me neglizhencë apo abuzim.
Urdhri i tij i parë pas këtij vendimi erdhi më 11 nëntor, për dekorimin e Tiranës për festat e fundvitit. Urdhër i cili ka nisur të zbatohet.



















