Merita Gruda: Prof. Xhuveli sjell për lexuesit skenat dhe prapaskenat e 60 viteve histori shqiptare

Te “Skena dhe prapaskena” gjejmë mbi 60 vjet të historisë sonë, gjithçka e parë me syrin e  mprehtë prej vëzhguesi dhe studiuesi të profesor Xhuvelit.  Janë 60 vjet të ruajtura bukur në kujtesë falë  edhe dokumenteve dhe  ditarëve personale. Ndeshim aty figurat më të njohura të politikës shqiptare që kanë pasur në dorë fatet e këtij vendi që nga drejtuesit komunistë të para viteve ’90 e deri te të tjerët që erdhën pas tyre.     

Vlerësuar me çmime e dekorata nga institucione e organizata kombëtare e ndërkombëtare, autor e bashkautor kryesor i disa studimeve, i mbi 80 artikuj shkencorë, nga të cilët, mbi 30 artikuj të botuar në revistat ndërkombëtare, referues dhe lektor brenda dhe jashtë vendit, profesor Xhuveli prezantohet së fundmi me një libër mjaft interesant, krejt të ndryshëm nga botimet e mëparshme, por kjo nuk përbën çudi tashmë, pas botimit të krijimeve të viteve të rinisë  me poezi, përkthime dhe tregime të jetuara “Fletë nga ditari i një agronomi”.

Te “Skena dhe prapaskena” gjejmë mbi 60 vjet të historisë sonë, gjithçka e parë me syrin e  mprehtë prej vëzhguesi dhe studiuesi të profesor Xhuvelit.  Janë 60 vjet të ruajtura bukur në kujtesë falë  edhe dokumenteve dhe  ditarëve personale. Ndeshim aty figurat më të njohura të politikës shqiptare që kanë pasur në dorë fatet e këtij vendi që nga drejtuesit komunistë të para viteve ’90 e deri te të tjerët që erdhën pas tyre.

Sigal

Krerët e politikës shqiptare  vijnë realë, pa zbukurime. Në fillim ata na shfaqean të parë me sytë e të riut,  që nuk i njeh, ka dëgjuar për ta por nuk i ka parë më herët, por sidoqoftë beson te pushteti dhe autoriteti i tyre. Me kalimin e viteve, me pjekurinë dhe kontaktin e afërt me ta, aureola e tyre zbehet pak nga pak. Idhujt zbresin në tokë dhe bëhen krejt njerëzorë me huqet, veset, egon e sëmurë, me manitë e frikërat, me aftësinë dhe paaftësinë e tyre në lojën për pushtet.

Siç e thotë edhe vetë , profesor Xhuveli, ai nuk merr përsipër të bëjë analizën dhe vlerësimin e plotë të protagonistëve të librit, por përmes përjetimeve personale na përcjell detaje që flasin vetë duke na nxjerrë në pah anë të karakterit të tyre.

Te figura e  E. Hoxhës, p.sh. autori ndalet te përshtypjet që hedhin hijet  e para mbi të siç është ashpërsia me të cilën u drejtohet shoqëruesve që vonuan mikrofonin në takimin e improvizuar me banorë të fshatrave të Beratit; vetëkënaqësia me të cilën dëgjon fjalimin e vet të regjistruar në magnetofon e mbi të gjitha standardet në të cilat jetonte familja e tij kur Shqipëria ishte e mbytur nga mungesat dhe radhët e gjata. Në asnjë çast, profesor Xhuveli nuk pretendon ta ketë dënuar sjelljen e E.H. në atë kohë. Reagimet vijnë të sinqerta ( ai si gjithë të tjerët  Unë bashkova duartrokitjet dhe brohorimat e mia me sallën, pa ditur shumë gjëra, por duke besuar se udhëheqësi mendonte vetëm për të mirën e popullit dhe të Shqipërisë). Ato shfaqen fillimisht në formën e një habie të lehtë, më pas pak pakënaqësi (gjithnjë e pashprehur), për të shkuar te revolta e brendshme (rasti i kthimit nga Franca dhe pritja që i bëhet në pistën e aeroportit vajzës së Enver Hoxhës).

Nga viti 1991 deri në vitin 2009, në Shqipëri janë ndërruar katërmbëdhjetë qeveri dhe në secilën prej tyre profesor Xhuveli ka qenë pjesë e kabineteve qeveritare. Tashmë lojërat politike janë të qarta dhe ai i përcakton jo më kot me shprehjen përdorur nga njerëzimi në fillimet e veta për këmbimet në natyrë : “më jep një sëpatë, të të jap një dele”.

Po kështu për figurën e M. Shehut të cilin e etiketon si: poliglot, Në këndvështrimin tim,  Mehmet Shehu ka qenë udhëheqësi më i aftë, më dinamik dhe më i kompletuar, krahasuar me të gjithë udhëheqësit e tjerë të Shqipërisë komuniste. E njihte mirë Shqipërinë, jetën e njerëzve të thjeshtë, vështirësitë dhe sakrificat e tyre, sidomos fshatin dhe bujqësinë. Ishte dinamik, tip stralli, njeri që nxiste debatin, i papërtuar, por jo pak herë i rrëmbyer e gjaknxehtë, sjellje për të cilat pendohej shpejt.”, veçoj detaje që mbështesin përcaktimin e bërë më lart: njohja e teknikës bujqësore, nuk i pëlqenin justifikimet, por rezultatet, vartësit druheshin prej tij si djalli nga temjani etj. Interesante mbetet këshilla e tij për të lidhur gjatë mësimdhënies, teorinë me praktikën; apo vendosmëria për të futur gjuhën shqipe në shkollat e larta, pasi kuadrot që dilnin prej tyre nuk e zotëronin mirë.

Përmes shumë momenteve e detajeve del karakteri i pasigurtë i R. Alisë, pavendosmëria e tij “as po, as jo”, por edhe afësia e tij për të nxjerrë jashtë loje figurat e matufepsura e pa vizion të krerëve të tjerë komunistë të kohës. Po ashtu shfaqen para lexuesit edhe drejtues të pas viteve ‘90 si F. Nano për të cilin shprehet se kishte një nivel kulturor, profesional dhe intelektual dukshëm më të lartë se gjithë të tjerët në PS, por dënon arrogancën, mendjemadhësinë me të cilën drejton, aq më tepër braktisjen e vendit gjatë grushtit të shtetit të shtatorit 1998, si dhe deliret dhe mungesën e korrektesës.

Nuk mungojnë figurat e politikanëve të rinj që për herë të parë që firmosën  në bordero e bënë në rolin e KM apo zv KM, apo ato figura që hynë fuqishëm në skenën politike shqiptare si ajo e S. Berishës për të cilin thotë se “është një njeri i lexuar, intelektual i formuar, me një karizëm të shprehur në shkallë të lartë, punëtor i palodhur, pasionant dhe me një kujtesë fenomenale. Respektues i kodit të familjes. Herë-herë i jepte përparësi drejtimit personal mbi atë institucional. Tip autoritar, pragmatist, sedërli, emocional, i stuhishëm, me shfaqje nxitimi dhe jo gjithnjë racional. Njeri korrekt dhe respektues i marrëveshjeve.

Duke e njohur më nga afër politikën  e pas viteve ’90 dhe përfaqësuesit e saj, profesor Xhuveli do të ndihet i zhgënjyer nga përfaqësimi  në të i njerëzve që përbënin klasën politike.

“…për një kohështrirje më të gjatë, kam konstatuar me keqardhje se klasa politike në Shqipëri, po i largohet gjithnjë e më shumë idealizmit, përkushtimit dhe vlerave të larta morale me të cilat iu futëm ndërtimit të shoqërisë së re në fillim të viteve ’90. Janë shtuar shumë ligësitë, shpifjet, intrigat, kurthet, hipokrizia, dyfytyrësia, korrupsioni, përbaltjet dhe vulgariteti. Sjelljet fisnike dhe të ndershme, tashmë duket sikur janë “modë e shkuar”, duken të pabesueshme dhe shumëkush përpiqet edhe t’i vërë në lojë.”

Nga viti 1991 deri në vitin 2009, në Shqipëri janë ndërruar katërmbëdhjetë qeveri dhe në secilën prej tyre profesor Xhuveli ka qenë pjesë e kabineteve qeveritare. Tashmë lojërat politike janë të qarta dhe ai i përcakton jo më kot me shprehjen përdorur nga njerëzimi në fillimet e veta për këmbimet në natyrë : “më jep një sëpatë, të të jap një dele”. Këto pazare jepen në libër herë me ironi ( kur P.Majko i propozon postin e ministrit të Mbrojtjes “Mos vallë e dine këta që kam qenë i dalluar, madje i dekoruar si oficer zborist?”), e herë me indinjatë ( te Pazar ministrash, kur I. Meta “në listën e ministrave prej 22 vetash që do t’i propozohej Presidentit të Republikës për dekretim, në minutën e fundit, bëri dy ndryshime të tjera. Ngaqë nuk kishte kohë për ta rishtypur listën, në fletën e firmosur dhe të vulosur, pikërisht aty në paradhomë, në këmbë, vendosi shkresën mbi tavolinën e sekretares, u hoqi vizë me stilolaps dy prej ministrave të propozuar në listë dhe po me stilolaps, me atë shkrimin e tij si mos më keq, shënoi emrat e dy ministrave të rinj që u ra “bingoja”, sigurisht si rezultat i kombinacioneve politike dhe bërrylave brenda PS. Për mua, si një nëpunës me përvojë të gjatë në punët e shtetit, kjo ishte skandaloze. Rastisa të isha aty dhe ta shikoja me sytë e mi atë çorbë qeveritare.”

Libri ndjek një rend kronologjik, pa përjashtuar edhe retrospektiven gjë që e ndihmon autorin të parashtrojë arsyet pse ka ndodhur ngjarja për të cilën po flet dhe shmangin monotoninë e rrëfimit. Përjetimet dhe ngjarjet që rrëfehen janë në funksion të prezantimit në mënyrën  më të  mirë të mundshme të personazheve të politikës shqiptare. Detajet e zgjedhura me kujdes tipizojnë qartë secilin prej tyre. Bie në sy forca përshkruese e autorit.  Fragmente të tëra fare mirë ngjajnë si hyrja e një romani. Mjafton të ndalemi te pjesa “I tepërti. Një fund i palavdishëm”

Në librin e tij, profesori flet për njerëz të njohur e të panjohur, dinjitozë apo dredharakë, funksionarë të lartë apo jo, që i  ka ndeshur rastësisht apo i ka pasur bashkudhëtarë: nga fshatarët e thjeshtë , punonjës të administratës shtetërore, pedagogë, studentë, përfaqësues të sindikatave, zyrtarë të lartë, drejtues të partive politike apo të shtetit, gazetarë, diplomatë, personalitete të jetës politike botërore, shenjtoren Nënë Tereza, presidentin Xh. Bush etj.

Sheshi kishte dy monumente. Dy burra. Njëri, qëndronte aty prej kohësh, në mes të sheshit, i hipur mbi kalë, me shpatë në dorë, me shikim drejt veriperëndimit; tjetri, trupmadh, me shikimin nga lindja, kishte ardhur aty para 3-4 vjetësh dhe qëndronte në këmbë mbi një piedestal, në anën perëndimore të sheshit. Dukej sikur rivalizonin me njëri-tjetrin.

Ishte një grua e bukur, por fytyrës së saj i mungonte shprehja e mirësisë. Zëri i saj i hollë, shikimi zhbirues poshtë gjyzlykëve, flokët e krehur me kujdes, mungesa e spontanitetit dhe një buzëqeshje e lehtë si e stampuar te buzët, të ngjallnin shqetësim dhe pasiguri. – thotë për N. Hoxhën.
Veç skrivanisë së madhe të punës, me dy karrige-kolltuk përballë, zyra ishte e pajisur me një set kolltukësh të rëndë prej lëkure, një tavolinë me 8-9 karrige për takime dhe mbledhje të vogla dhe me një bibliotekë sa një faqe muri, e punuar me rimeso arre, e mbushur plot me vepra të Enver Hoxhës, Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, të cilat Rita as që i kishte shfletuar ndonjëherë. Në mesin e bibliotekës, e maskuar nga raftet e librave, me zor mund të dallohej doreza e një dere që të nxirrte në tualetin e zyrës. M’u krijua përshtypja se zyra e Ramiz Alisë ishte e mobiluar më thjesht se ajo e Rita Markos, ku binin në sy mobilje dhe tapete luksoze.  

Shoqëruar me një gjuhë të zgjedhur, të pasur,  me shprehje  frazeologjike e figuracion, shoqëruar këto edhe me  humor e ironi të hollë, shpesh të bëjnë të vësh buzën në gaz, duke i bërë më të prekshme përjetimet e autorit.

”në vend të vija vetulla, po nxirrja sytë” “Ju shoqe hajde më qani burrin, se mua më ka zënë halli e do të shkoj në një dasmë”. Bisedonim sa për Kryeministrin, duke i zmadhuar akoma më shumë “bëmat” e tij, sa duke ngacmuar Nikollën. “Si e ke kokën tani që ta fërkoi Kryeministri. Me siguri, do të jesh bërë më i zgjuar dhe më i zoti nga ç’je!” – dhe ecnim duke qeshur drejt mensës. Ose “Po ç’ke o Lufter? E ke arën me dy qe, pse kërkon ta bësh me tre?

Për aftësinë dhe profesionalizmin e profesor Xhuvelit flet qartë CV-ja  e cila na bën të kuptojmë ndër të tjera se  vlerësimet , titujt dhe botimet në fushën kërkimore – shkencore nuk arrihen pa këmbëngulje e përkushtim. Gjatë librit, profesori shpesh i anashkalon ato me modesti duke i përmendur kalimthi jo si qëllim në  vetvete, por në funksion të situatës për t’i lënë vend personazhit për të cilin po flet.

Vërtetë në libër personazhet kryesore janë krerët e shtetit shqiptar ndër vite, por  përmes përjetimeve personale, profesor Xhuveli nuk mund të linte pa shprehur mirënjohjen për ata njerëz të thjeshtë, të njohur ose jo,  që e ndihmuan dhe e përkrahën gjatë gjithë  veprimtarisë së tij.   Ndërmjet ngjarjeve dhe situatave na shfaqet qartë edhe rrëfyesi, ana njerëzore e tij,  jo vetëm ajo profesionale.

Që në krye shohim një djalë të ri me dëshirën për të bërë punë të mira. Rezultatet e para e bëjnë të dalë nga anonimati dhe të bjerë në sy të autoriteteve, por kjo nuk e largon nga njerëzit e thjeshtë të cilët e çmojnë dhe e duan.( traktoristët më blenë edhe një biçikletë, të cilën mund ta përdorja kur rrugët ishin të thata dhe pa baltë). Autori kujton me dashuri fshatarët e Kutallisë që edhe pse ishin të varfër dinin të gëzonin, të prisnin e të përcillnin bujarisht, të  vlerësonin e të nderonin  punën ( njerëzit thonin se këto brezare i ka bërë agronom L.Xhuveli).

Mënyra se si i trajton njerëzit ndikon në rezultatet e punës dhe në konsideratën që kanë ata për ty. Veçoj reagimin kur merr detyrën si ministër, në takimin e parë me vartësit thekson: “Më intereson rezultati i punës suaj, jo qëndrimi juaj politik.” Po ashtu, aftësia organizative duket mjaft mirë edhe në menaxhimin e situatës së komplikuar në ILB, kur merr detyrën si rektor të cilën e mban për 15 vjet. Ligjet dhe rregullat duhen interpretuar dhe kur nuk janë  mirë duhen ndryshuar. Për këtë duhet dashamirësi dhe aftësi vendimmarrëse  siç ndodh në rastin e Sulejman Habibit i cili mund të humbiste të drejtën për të vazhduar studimet pasi:

– Rregullorja e brendshme e shkollës nuk e lejon një gjë të tillë, – tha inspektori.

  • Kush e ka miratuar rregulloren? – e pyeta
  • Rektori, – u përgjigj ai
  • Atëherë, meqenëse është firmosur nga unë, unë edhe mund ta ndryshoj. Ik përgatit një urdhër që Sulejmani të pranohet në shkollë, – urdhërova, – pa rregulloren e ndryshojmë më vonë.

Këtë gjë Sulejmani nuk do ta harronte dhe do të telefononte një ditë pas 40 viteve për të falënderuar.

– Asgjë e veçantë nuk ka ndodhur. Por në atë kohë, sa mora në dorë urdhrin e firmosur nga ju, unë ju falënderova me gjysmë zëri dhe vrapova për në fakultet. Isha djalë i ri. Pas shumë vitesh, kur dola në punë si agronom dhe krijova edhe familje, fillova të kuptoj tamam vlerën e urdhrit tuaj, i cili më ndryshoi jetën. Kur unë, si shumë të tjerë, u bëra me celular, ju ishit në detyra të larta dhe përgjithësisht ju telefononin për të kërkuar diçka. Nuk ju telefonova, se ju nuk kishit nevojë për një servil më shumë, – tha me të qeshur. – Tani që jeni pa pushtet, besoj se falënderimi im është i sinqertë dhe ka vlerë të plotë, edhe pse është me shumë vonesë.

Ky nuk është i vetmi rast. Gjatë grushtit të shtetit të shtatorit 1998, profesori tregon gatishmërinë e drejtorit të përgjithshëm të pyjeve, Kol Malaj, për ta ndihmuar. “- Ku je, se do të vij të të marr dhe të të shpie në një vend të sigurt? – më pyeti ai.” Edhe më domethënëse  është sjellja e njërit prej ustallarëvë “. Më mbeti në kujtesë njëri nga ustallarët, i cili me këmbëngulje, dy-tri herë më tha të mos flija në shtëpi se ishte me rrezik, por të shkoja në shtëpinë e tij, se ishin hapur fjalë që do të bastiseshin shtëpitë e ministrave dhe se ministrat do t’i merrnin peng apo do t’i linçonin.”

Në librin e tij, profesori flet për njerëz të njohur e të panjohur, dinjitozë apo dredharakë, funksionarë të lartë apo jo, që i  ka ndeshur rastësisht apo i ka pasur bashkudhëtarë: nga fshatarët e thjeshtë , punonjës të administratës shtetërore, pedagogë, studentë, përfaqësues të sindikatave, zyrtarë të lartë, drejtues të partive politike apo të shtetit, gazetarë, diplomatë, personalitete të jetës politike botërore, shenjtoren Nënë Tereza, presidentin Xh. Bush etj.  Në këtë larmi njerëzish vend shumë të veçantë, zë shoqja e tij e jetës, Mejtua,  të cilën e përmend me shumë dashuri e delikatesë. Kjo duket në kujdesin që ka për të  ( e njofton se është mirë pas sulmit mbi kryeministri). Është diçka krejt normale, por autori e thekson këtë.  Për hir të saj dhe fëmijëve refuzon ofertën që i bëhet nga FAO,

” Po Mejtua, bashkëshortja ime që punonte mësuese në Tiranë, me se do merrej në Sanaa të Jemenit? A do ta përballonte dot të ndenjurit pa punë? Me kë do të shoqëroheshin në atë vend ekstremisht fanatik ku gratë mbulonin fytyrën? “

ka merak se si t’ia rrëfejë ngjarjen e Urës Vajgurore,

“T’u tregoja në shtëpi për ato ngjarje të tmerrshme që ndodhën atë ditë apo jo?” Druhesha se mos fëmijët dhe Mejtua traumatizoheshin akoma më shumë, ngaqë edhe në Tiranë, nuk kishte asnjë mbrëmje që të mos kërcisnin kallashnikovët.”

Çmon mbështetjen dhe përkujdesjen e saj se siç thotë vetë:  “Shpatullat i kisha të ngrohta se bashkëshortja ime, Mejtua, po përballonte për bukuri pjesën e saj të sakrificave dhe përveç punës së saj si mësuese, kujdesej për shtëpinë, fëmijët dhe për mysafirët e shpeshtë që na vinin nga rrethet.” Apo ”… nuk ia di për nder kurrkujt në këtë dynja, nëse unë jam ministër, kam qenë ministër apo kam qenë dikush tërë kohën. Ia di për nder vetëm punës sime, vullnetit tim, familjes sime që më mbështet.”

Janë mbi 60 vite të historisë së jetës së njeriut që u përshkua në këto ngjarje të politikës shqiptare duke lënë gjurmën e vet aty, fillimisht si idealist, më tej dyshues, gjykues dhe në fund pjesëmarrës aktiv duke ia dalë që të mbetet gjithnjë dinjitoz.