Gjyqtarin nuk e vrau vetëm një dorë me armë, e vranë KLGJ dhe KPA!

Humbja e jetës së gjyqtarit Kalaja, nuk është thjesht një ngjarje e rëndë, por edhe një akt ulëritës në drejtësi. Flasin: Av. Arben Llangozi:  Kjo tregoi një “vetting” të shitur si shpëtim, por që në fakt shkaktoi boshllëk, vonesa dhe paralizë institucionale. Shembull i kapjes së sistemit është sjellja e anëtarëve të KPA, që kanë dërguar shkresë zyrtare në KLGJ që vendet në gjykata të mos plotësohen, po të rrinë bosh pwr vetwn e tyre, pra që anëtarët e KPA të punësohen aty pasi të mbarojnë mandatin në KPA. Av.Samir Vishaj: Republika ka mbaruar!  

Ngjarja e ndodhur 2 ditë më parë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka krijuar polemika të mëdha në lidhje me besueshmërinë tek drejtësia dhe pse shqiptarët nuk besojnë tek kjo reformë në drejtësi për të cilën u harxhuan gati 1 miliard euro. Pse njerëzit kanë një lloj mllefi ndaj gjyqtarëve madje dhe shumë institucioneve të tjera si prokuroria, policia ,shëndetsia madje madje dhe një mllef ndaj një pjese të medias dhe opinionistëve të cilët nuk gëzojnë më respektin e qytetarëve .Ja reagimet dhe analizat e bëra mbas ngjarjes në lidhje me këtë fenomen shumë të shëmtuar dhe kriminal ndaj nënpunësve të administratës së shtetit ,intelektualëve dhe njerëzve të cilët japin drejtësi dhe për të cilët shteti ka përgjegjësi ,ashtu sikurse ka përgjegjësi dhe mbarë shoqëria pasi drejtësinë duhet ta shikojnë si vendin ku të ndahet vetëm drejtësia nga padrejtësia, e vërteta nga ginjeshtra dhe krimi nga mirësia .

 Heshtje në drejtësi! Gjykata e Apelit bosh pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja

NOA

Pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, një heshtje ka ‘mbuluar’ Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Gjyqtari 62-vjeçar Astrit Kalaja, që u qëllua për vdekje në krye të detyrës, gjatë një procesi gjyqësor brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, shërbeu për më shumë se tri dekada në sistemin e drejtësisë.

 

Reagon Shoqata e Avokatëve: Drejtësia është në duart e politikës, gjyqtarët janë viktima të korrupsionit

Kryetari i Shoqatës të Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare.

Ndue Pjetra, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.

Pjetra shprehu ngushëllimet ndaj të ndjerit, Kalaja.
Në deklaratën e tij, theksoi se drejtësia në vend ka rënë në duart e politikës dhe sipas tij gjyqtarët janë viktimat e korrupsionit.

“Shprehim ngushëllimet për gjyqtarin, por ndajmë mendim ndryshe për rastin. Institucionet të marrin masat se drejtësia është në duar të politikës dhe gjyqtarët janë viktima të politikanëve dhe korrupsionit “, tha Pjetra.

Vrasja e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit, mediat ndërkombëtare i bëjnë jehonë masakrës që tronditi Tiranën

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku u vra në sallën e gjyqit gjyqtari Astrit Kalaja, ka marrë jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare, duke tronditur opinionin publik përtej kufijve të Shqipërisë.

Nga media si The Guardian, Al Arabiya, Ëashington Post, e deri te dhjetëra media të tjera me ndikim ndërkombëtar, lajmi i krimit të rëndë është raportuar si një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë, madje edhe në kontekst ndërkombëtar.

“Gjyqtari qëllohet për vdekje në sallën e gjyqit në Shqipëri, ndërsa personi i armatosur arrestohet pasi u arratis,” raportojnë disa prej mediave amerikane.

Ndërkohë, media britanike The Guardian shkruan: “Gjyqtari i vrarë në të shtëna me armë në sallën e gjyqit në Shqipëri. Burri hap zjarr në gjykatën e Tiranës, duke vrarë gjyqtarin dhe duke plagosur dy persona të tjerë, dhe është arrestuar pasi është larguar nga vendi i ngjarjes.”

Kjo ngjarje është cilësuar si sulm ndaj drejtësisë dhe institucioneve shtetërore, duke nxitur reagime të forta në vend dhe jashtë tij, si dhe duke rikthyer në vëmendje nevojën për forcimin e sigurisë në gjykata dhe mbrojtjen e përfaqësuesve të sistemit gjyqësor.

 

Le të jemi të qartë,vdekja e gjyqtarit Kalaja është një tragjedi e kryer po nga vet sistemi dhe ajo është edhe pasojë direkte e bllokimit të qëllimshëm të drejtësisë nga individë që kanë kthyer reformën në drejtësi në një trampolinë për interesa personale. Kjo është ajo që ndodh kur drejtësia përdoret si mjet karriere, dhe jo si shërbim për publikun.

 

Nga Av. Arben Llangozi

Gjyqtarin nuk e vrau vetëm një dorë me armë, e vranë KLGJ dhe KPA!

Reforma në drejtësi, e nisur me entuziazëm dhe mbështetje ndërkombëtare, sot është kthyer në një eksperiment të dështuar që ka prodhuar boshllëk institucional, vonesa të pafundme në procese dhe ka vendosur sigurinë e gjyqtarëve dhe qytetarëve në rrezik të drejtpërdrejtë.
Sot, në sallën e gjyqit, në tempullin ku ligji duhej të mbretëronte, gjyqtari Astrit Kalaja u vra me pelerinën e gjyqtarit mbi supe dhe ky akt i përgjakshëm është pasqyrë e një reforme që ka vrarë besimin dhe funksionin e drejtësisë. Ngjarja e rëndë ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën brenda sallës së gjyqit pasi u vra nga një palë në proçes është pasqyrë e asaj që prej vitesh është paralajmëruar; drejtësia shqiptare është shndërruar në një sistem të rrënuar, të çoroditur dhe të kapur nga interesa personale dhe lojëra me pushtetin. Reforma në drejtësi, e nisur me entuziazëm dhe mbështetje ndërkombëtare, sot është kthyer në një eksperiment të dështuar që ka prodhuar boshllëk institucional, vonesa të pafundme në procese dhe ka vendosur sigurinë e gjyqtarëve dhe qytetarëve në rrezik të drejtpërdrejtë. Një “vetting” i shitur si shpëtim, por që në fakt shkaktoi boshllëk, vonesa dhe paralizë institucionale; përgjegjës janë ata që duhej të garantonin pastrimin e sistemit por në vend të kësaj e vranë atë duke mbajtur peng emërimet dhe duke lejuar që vende të lira të qëndrojnë bosh për antarët e KPA. Një ndër shembujt më të qartë të kësaj kapjeje të sistemit është sjellja e anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Këta individë, në vend që të kryejnë rolin kushtetues për të përfunduar procesin e vetingut me paanshmëri dhe ndershmëri, kanë dërguar një shkresë zyrtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), nëpërmjet së cilës kanë kërkuar që vendet vakante në gjykata të mos plotësohen. Arsyeja? Duan që këto vende të ruhen për vete, për t’u punësuar aty pasi të mbarojnë mandatin në KPA, sapo të përfundojnë procesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo është një kërkesë skandaloze, që e nxjerr zbuluar të gjithë absurditetin e reformës në drejtësi. Të bllokosh qëllimisht sistemin, të mbash peng vakancat në gjykatat e Apelit, aty ku proceset janë të zvarritura për vite me radhë dhe ku qytetarët presin drejtësi, vetëm për të siguruar vendin tënd të punës, është një akt i pastër kapjeje të shtetit dhe abuzimi me pushtetin publik. Ndërkohë, gjyqtarët e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm po punojnë në kushte të jashtëzakonshme. Në shumë raste dhe për shumë vite ishin vetëm 4-5 gjyqtarë përballeshin me dhjetëra çështje çdo ditë, duke punuar pa pushim për të mbajtur në këmbë një sistem që është lënë në mëshirë të fatit. Edhe aktualisht kemi më shumë se gjysmat e gjyqtarëve që mungojnë në gjykatën e Apelit. Këta gjyqtarë nuk kanë luksin të dërgojnë letra për të ruajtur karriget. Ata janë në frontin e parë të një lufte institucionale, duke bërë të pamundurën për t’i dhënë qytetarëve një grimë drejtësi në një kohë kaosi. Ndaj, le të jemi të qartë,vdekja e gjyqtarit Kalaja është një tragjedi e kryer po nga vet sistemi dhe ajo është edhe pasojë direkte e bllokimit të qëllimshëm të drejtësisë nga individë që kanë kthyer reformën në drejtësi në një trampolinë për interesa personale. Kjo është ajo që ndodh kur drejtësia përdoret si mjet karriere, dhe jo si shërbim për publikun.

-EKZEKUTIMI i gjyqtarit brenda sallës! Si i kaloi autori ‘barrierat’ e sigurisë të Gjykatës së Apelit dhe zbrazi armën mbi Astrit Kalanë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur , ku brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri nga Elvis Shkambi.
Por si arriti të futej brenda në sallë autori i armatosur, kur në këtë institucion, si në çdo institucion tjetër, kalohet nëpër disa kontrolle fizike dhe me detektor metalik?

Në njoftimin e bërë nga policia thuhet: “Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat, që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës. Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital. Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit. Pas ngjarjes, shtetasi E. Sh. ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori E. Sh., pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë”. Autori është 30-vjeçari Elvis Shkambi, i cili u arrestua menjëherë pas ngjarjes, teksa arma e krimit u sekuestrua. Babë e bir janë të plagosurit, teksa kanë mbetur të plagosur në disa pjesë të trupit.

Av. Vishaj: Sot Republika ka mbaruar! Kjo reformë ishte vrastare

 Avokati Saimir Vishaj foli mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja. Ai u shpreh se kjo nuk është thjesht një ngjarje e rëndë, por një akt ulëritës që tregon kolapsin e reformës në drejtësi dhe mungesën totale të sigurisë në institucionet e shtetit.

Sipas Vishajt, gjyqtari Kalaja u vra jo vetëm fizikisht, por simbolikisht, në emër të një reforme të dështuar që ka krijuar kaos institucional dhe ka vendosur sistemin në shërbim të politikës.

“Sot Republika ka vdekur,” – tha ai, duke akuzuar se armën që vrau gjyqtarin e kanë “shkrepur shumë duar”, nga ekzekutivi te strukturat e drejtësisë që kanë heshtur përballë degradimit të sistemit.

Pjesë nga deklarata:

Këtë nuk mund ta quaj rast të rëndë. Kjo është ulëritëse, sepse një vendim i një gjyqtari që ishte në momentin e shpalljes së vendimit jepet në emër të Republikës, dhe sot Republika ka vdekur. Ajo reformë në drejtësi, që ne e kemi konsideruar dhe kemi ngritur zërin si avokatë më shpejt për vendimmarrjen e saj, tregoi se kjo reformë ishte vrastare. Ky gjyqtar u vra sot në emër të reformës në drejtësi, sepse në emër të reformës në drejtësi u transferua nga Gjykata e Apelit Shkodër në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Ku dihet, me një numër të kufizuar, gjykojnë për gjithë Shqipërinë. Ne, avokatët, ishim kundër hartës gjyqësore dhe kjo hartë sot tregoi dhe njëherë për vonesat që lidhen me vendimmarrjen. Duke parë si popull, çdo moment del kryeministri dhe përgojon gjyqtarët – çfarë mund të presësh nga një individ, kur vetë shteti, gjyqtari me emër, jo në mënyrë institucionale, tregojnë që gjendja është tejet alarmante?

Ky lajm ka bërë bujë në mënyrë ndërkombëtare dhe e pasqyruan qartë ngjarjen. Fundi i kësaj reforme të dhimbshme u mbyll jashtëzakonisht rëndë me vrasjen e një gjyqtari. Krimi nuk pyet, të godet – dhe godet afër Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë apo Komisariatit nr. 1. Imagjino një gjykatë që ka në dorë shumë çështje dhe nuk ka asnjë mbrojtje apo siguri. Sot, në gjykatat shqiptare, prokurori apo edhe institucionet nuk kanë siguri.

Vrasja e Gjyqtarit – Shkaku është Brenda Sistemit

Nga Avokati Myftar Rusta

Ngjarja tragjike e vrasjes së gjyqtarit të Apelit ka tronditur vendin. Është një krim që shkon përtej aktit individual, sepse pas tij fshihet një realitet i hidhur: sistemi i drejtësisë po vret vetveten. Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe trupës gjyqësore, por duhet thënë troç – shkaku nuk është jashtë, por brenda sistemit. Çdo ditë në gjykatat e shkallës së parë zhvillohen drama njerëzore, konflikte, shpresa dhe zhgënjime. Aty qytetari për herë të parë përballet me drejtësinë dhe formon bindjen e tij ndaj shtetit. Nëse në këtë pikë drejtësia dështon, gjithçka që vjen më pas është pasojë. Gjyqtarët e shkallës së parë, shpesh të rinj në sistem, përballen me presione politike, ndikime nga jashtë dhe mungesë përvoje. Ata janë të pambrojtur, pa mbështetje institucionale dhe në shumë raste të ndikuar nga mënyra se si janë emëruar. Kjo gjendje prodhon vendime të pasigurta, të diskutueshme, që nxisin mosbesim dhe konflikt. Një vendim i gabuar në themel është si një gur i shtrembër në ndërtimin e drejtësisë – gjithë ndërtesa më pas shembet.

Por më e rëndë është se në shumë raste, gjykatat e shkallës së parë nuk udhëhiqen më nga ligji, por nga vendimet e qeverisë dhe urdhrat e pushtetit vendor. Kemi parë raste kur kryetarë bashkie apo drejtues politikë kanë ndikuar drejtpërdrejt në çështje gjyqësore, kanë orientuar zyrtarë e kanë urdhëruar veprime që cenojnë hapur pavarësinë e drejtësisë. Në vend që gjyqtarët të mbështeten tek Kushtetuta dhe ligji, shpesh ata detyrohen të lexojnë dhe zbatojnë më shumë VKM-të dhe udhëzimet administrative të qeverisë sesa nenet ligjore. Kështu gjykatat nuk janë më të pavarura, por të varura nën personin e partisë në pushtet. Ja pra shkaku, ja pasoja: vendime të helmuara, që më pas i faturohen Apelit dhe gjyqtarëve që duhet të korrigjojnë atë që është prishur në themel. Kur qytetari del i zhgënjyer nga gjykata e shkallës së parë dhe çështja shkon në Apel, ajo nuk është më vetëm çështje ligjore. Është konflikt, padrejtësi e perceptuar dhe humbje besimi. Apeli përballet jo vetëm me barrën e korrigjimit, por edhe me pasojat e një drejtësie të dëmtuar në themel. Dhe në këtë rrugë, viktima e fundit është vetë gjyqtari. Politizimi i gjykatave, ndërhyrjet nga pushteti vendor e qendror, emërimet me ndikim, mungesa e trajnimit dhe presioni i përditshëm mbi gjyqtarët janë shkaku real që po e gërryen sistemin nga brenda. Prandaj vrasja e një gjyqtari nuk është vetëm krim penal – është dështim institucional. Është pasojë e drejtësisë së lodhur, e gjyqtarëve të pambrojtur dhe e besimit që po venitet dita-ditës. Në vend që të kërkohen fajtorë jashtë, duhet parë brenda: si formohen gjyqtarët, si emërohen, kush i ndikon dhe kush i mbron. Sepse vetëm kur drejtësia në themel të jetë e pastër, e paanshme dhe e mbrojtur nga ndikimet politike, nuk do të kemi më pasoja të tilla tragjike. Vrasja është pasojë. Shkaku është brenda sistemit.