Maratona e Notit/ Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Në Sarandë “takohemi” me Idriz Muçon

MARATONA/ Bregdeti i Jonit në Sarandë do të presë të dielën notarë e notare, dhe veteranë të sportit të ujit. I respekton Presidenti i FSHN-së dhe Bashkia Sarandë

Agron KAJA

NOA

Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, nuk ka munguar asnjëherë në Maratonën e Notit që mban emrin e notarit të madh “Idriz Muço”. Dje për gazetën “Telegraf” ai konfirmoi se do të jetë i pranishëm në Maratonën e Sarandës, për organizimin e së cilës ai shpreh konsiderata dhe vlerësimin për këtë garë. Para nisjes për në Sarandë, zoti Çiraku u shpreh se shkon në një veprimtari, në cilën vit pas viti ka mikpritje dhe organizim shumë të mirë. “Është shumë bukur kur gërshetohen brezat në një garë, dhe kjo ndodh shpesh në Maratonën “Idriz Muço”. Në të gjitha organizimet e kaluara, ka qënë një mikpritje shumë mbresëlënëse, ku kanë qënë të pranishëm edhe drejtues të sporteve në bashkinë e qytetit të Sarandës. Në Sarandë kam qënë shpesh, por kur vij në Kupën “Idriz Muço” kam një ndjesi të veçantë, sepse kur jam aty më duket sikur “takohemi” me Idriz Muçon e Madh. Jo vetëm se kjo është një veprimtari që i kushtohet një emri të madh të notit shqiptar, por edhe pse aty kanë angazhim shumë serioz edhe nga Bashkia e Sarandës me mbështetje në gjithçka”, kështu u shpreh dje Agim Çiraku në cilësinë e Presidentit të FSHN-së, para pjesëmarrjes së tij në Maratonën e Sarandës që mban emrin e ish-notarit Legjendë “Idriz Muço”. Ndërkohë që në këtë falenderim të tij ai nuk harron edhe Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri, për angazhimin dhe organizimin e kësaj veprimtarie. “Çdo vit, Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit i jep bukurinë kësaj veprimtarie, duke e kthyer atë në një garë plot emocion. Saranda është një shëmbull më vete me këtë veprimtari, dhe unë jo vetëm si president i federatës së sporteve të ujit në Shqipëri, por edhe si një ish-notar, do doja që kjo traditë si në Sarandë dhe në Pogradec, apo edhe në Shëngjin, të zgjerohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, kryesisht në ato bregdetare. Noti është sport i bukur dhe maratonat i japin hijeshi e kënaqësi, duke e mbajtur ende të “gjallë” historinë e këtij sporti të bukur”, kështu e përshkruan Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku, maratonën e notit në Sarandë që mban emrin “Kupa Idriz Muço”.

Maratona në Sarandë është zhvilluar periodikisht, ndërsa me emrin “Idriz Muço” është sezoni i katërt. Kjo traditë mendohet të zgjerohet edhe në qytete të tjera liqenore dhe bregdetare. Maratonat i japin hijeshi këtij sporti të bukur, dhe këtë do ta ofrojë Saranda ditën e dielë në ora 10:00, si një mbyllje të verës në bregun e Jonit

Idrizi i Madh në një paragraf historik

Idriz Muço, notar kampion dhe rekordmen kombëtar, por edhe trajneri i Butrintit (besnik i stilit të lirë), këtë të dielë në qytetin e Sarandës do të mbledhë shumë bashkohës, të cilët do të të garojnë në Maratonën me emrin e tij. Si notar, Idriz Muço ka thyer 50 rekorde kombëtare në karrierën e tij në Notin Shqiptar (1968-1977). Por në këtë karrierë ai la mbresa në vitin 1972 pasi kaloi me not lumin Jance në Kinë, së bashku me delegacionin e notarëve shqiptarë. Notarët shqiptarë ishin të huajt e parë që e kaluan këtë lumë, ndërsa Idrizi la gjurmë të arta edhe si trajner. Për këtë karrierë ai është vlerësuar “Qytetar Nderi” i Sarandës, “Nderi i Qarkut të Vlorës”, “Nderi i Notit Shqiptarë” nga FSHN-ja.

FITUESIT E MARATONËS

“IDRIZ MUÇO”, VITI 2024

Mosha deri 12 vjeç-1 km

FEMRA

1.Kristiana Papagjika Butrinti

2.Uejsa Kalaja Te Stela

3.Amelja Kalaja          Te Stela

MESHKUJ

1.Drini Karanxha        Te Stela

2.Erfan Qurku             Butrinti

3.Nik Shelna   Te Stela

Mosha mbi 13 vjeç-2 km

FEMRA

1.Vivian XhemollariTe Stela

2.Viki Tafruku            Vllaznia

3.Arla Dermishi          Te Stela

MESHKUJ

1.Devi Shtaro Teuta

2.Bjon Qëndro Butrinti

3.Jason Babi    Butrinti

Veteranët në 800 m

FEMRAT-1 km

1.Eni Karriqi   Tirana

2.Albana Çelanji         Elbasani

MESHKUJT-2 km

1.Andi Kongoli           Elbasani

2.Alush Çukari            Saranda

3.Edmond Mema        Tirana

4.Lefter Nika   Saranda

4 Vëllezërit “Muço”

Katër vëllezërit “Muço” mbeten notarë dhe njerëz kampionë e rekordmenë. Idrizi, Ademi, Skënderi dhe Shpëtimi, kanë treguar madhështinë e tyre sportive dhe qytetare. Sot ata do jenë “kryenotarët” e historisë së notit shqiptar

Në vitin e kaluar, mikpritje, garë, fitues dhe spektakël

Qyteti i Sarandës, të dielën do zgjohet ndryshe nga ditët e tjera të këtij shtatori. Ky zgjim vjen nga bregu i detit, aty ku është përgatitur gjithçka për zhvillimin e Maratonës “Idriz Muço”. Qytetarë të shumtë sarandiotë, pushues vendas dhe të huaj, sot do ta shpërngulën ritmikën e tyre të përditëshme atje ku FSHN-ja, Bashkia e Sarandës dhe Shoqata e Veteranëve Shqiptarë të Notit kanë bërë gati kronometrat, vijëzimet në rërë dhe shoqëruesit me mjetet e tyre në det. Këto përgatitje do t’i japin ngjyrat sikur të ishte një veprimtari e përmasave të mëdha, dhe Saranda këtë e meriton.Në shtatorin e kaluar, të gjithë ata që garuan u ndjenë të rivalizuar si me valët e detit, ashtu edhe me njëri-tjetrin. Gjithçka e bukur dhe me emocion, e cila vazhdoi edhe pas garës, ku morrën pjesë nga moshat e vogla e deri tek veteranë të këtij sporti të bukur, e mes tyre kishte Mjeshtra Sporti, Mjeshtra të Merituar dhe Mjeshtra të Mëdhenj. Kështu pritet të nisë kjo Maratonë me emrin “Idriz Muço”, ku do ketë fitues, shpërblime dhe spektakël.

Mjeshtri i Madh, Sadik Mema: Në Sarandë, takohen deti me historinë

Deri ditën e dielë, Saranda nuk do ta ndjejë gumëzhitjen në bregun e detit, sepse edhe këtë vit Saranda do gumëzhijë në bregun dhe valet e Detit Jon. Maratonistët e kësaj gare të përvitshme me emrin e të Madhit “Idriz Muço”, do të sjellë aty notarë dhe notare sarandiotë dhe nga qytete të tjera të Shqipërisë, midis tyre ishin edhe mjeshtra dhe veteranë të këtij sporti. Të gjithë do jenë dekori i bukurisë dhe hijeshisë në këtë maratonë, për të cilën Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit, Mjeshtri i Madh, Sadik Mema tregon për gazetën “Telegraf” gjithçka nga zhvillimi i kësaj veprimtarie. “Saranda është shumë mikpritëse, jo vetëm kur bëhet fjalë për notin, që në këtë qytet ka patur kampionë e mjeshtra të mëdhenj. Edhe këtë herë presim pjesëmarrje të veçantë mes garuesve, qytetarëve e pushuesve të shumtë, si para, gjatë dhe pas maratonës”Garuesit do jenë kryesisht nga Saranda mikpritëse, por edhe nga Tirana, Shkodra, Vlora, Durrësi e qytete të tjera, ndërsa priten edhe nga jashtë Shqipërisë”, kështu e nisi dje bisedën Mjeshtri i Madh, Sadik Mema në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri, i cili më pas tregoi edhe për programin e kësaj maratone. “Në shtatorin e vitit 2024, iu afruan numrit 100 në garë, ku ishin më shumë se 50 fëmijë dhe 44 veteranë. Gara shkoi shumë mirë, deti ishte i qetë si një pishinë në natyrë, por edhe moti sikur i dha ndriçimin gjithçkaje. Si në çdo veprimtari që organizohet nga FSHN-ja, apo edhe në ato me nisiativën e SHKVN në Shqipëri, në mbyllje të kësaj gare jepen edhe Kupa për fituesit, çertifikata Mirënjohje për çdo garues. Në sport, çdo fitues shpërblehet edhe me mirënjohje, dhe kështu do jetë edhe këtë here me Kupa dhe Medalje. Por e veçanta do jetë se është menduar që për çdo garues, pavarësisht se ku do renditet në garë, do t’u jepen Çertifikata Mirënjohje. Kjo traditë e mirë në Sarandë vazhdon, për të thënë se historia e notit shqiptar është e “gjallë”. Dhe kjo maratonë në fundin e saj do mbajë me “kokën pas” për shtatorin e vitit të ardhshëm”, kështu e përciell Sadik Mema (Mjeshtër i Madh) Prag-Maratonën e Notit “Idriz Muço” që do zhvillohet këtë fundjavë në qytetin e Sarandës. Maratona në Sarandë është zhvilluar periodikisht, ndërsa me emrin “Idriz Muço” ishte sezoni i katërt.

Kategoritë dhe distancat e garimit

Në datën 10 shtator 2024, u zhvillua maratona e notit “Idriz Muço” në Sarandë, ku pjesëmarrja ishte e lartë, duke iu afruan numrit 80 të garuesve. Ata garuan në Kategorinë e moshës deri 12 vjeç për 1 km (M+F), në Kategorinë mbi 13 vjeç për 2 km (M+F), në Kategorinë të Rritur, Meshkujt notuan 2 km dhe Femrat 1 km. Edhe këtë vit do jetë i njëjti program garimi.

Do garojë 83 vjeçari Sulejman Poda, Mjeshtër i Madh

Në Maratonën “Idriz Muço”, që do të zhvillohet ditën e dielë në Sarandë, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij edhe Mjeshtri i Madh Sulejman Poda, një veteran i sporteve të ujit. Sula ka dekada që nuk i ndahet notit, si individualisht, ashtu edhe si një ish-trajner e drejtues. Kjo është diçka e zakonshme për të, sepse në të gjitha këto gara që janë organizuar në Sarandë, në Pogradec apo edhe në Shëngjin, Sul Poda ka qënë mes garuesve dhe fituesve të kategorisë së moshët të tij. Në Sarandë ai do jetë garuesi më i moshuar, por jo i tillë në det.

Andi Kongoli, garuesi fitues në kategorinë e Veteranëve

Në vitin 2024, Maratonën “Idriz Muço” në Sarandë për veteranë e fitoi elbasanasi Andi Kongoli, njëherësh edhe trajner i ekipeve të notit Skampis. Në disa edicione rradhazi, Kongoli garon në kategorinë Veteranë dhe ka qënë protagonist në çdo Maratonë noti, edhe në Pogradec e Shëngjin. Kujtojmë se në 14 gusht të vitit 2014, Andi Kongoli ka notuar përmes kanalit të Korfuzit për 3 orë, 17 minuta, 37 sekonda e 82 të qindat, në një largësi 9 milje, nga porti i Kasiopisë-Korfuz, në portin e Sarandës. Ky shtator ndoshta do ketë rivalë të tjerë për Kongolin.