Në homazhe marrin pjesë Presidenti Begaj, kryeministri Rama dhe kryetari PD, Sali Berisha
Gazeta Telegraf
Dje, me flamujt gjysmështizë në të gjithë vendin, me dhimbje lot në sy, familjarët, kolegët e publiku artdashës i dhanë këtë të martë lamtumirën e fundit Mjeshtrit të Madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnostit. Homazhet në nder të kujtimit e veprave të tij u mbajtën në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku bashkëudhëtarja e tij e jetës, aktorja Roza Anagnosti e fëmijët e tyre morën ngushëllime nga të njohur e të panjohur. Aktorë, regjisorë, kolegë të afërt, figura të njohura të artit dhe politikës, por edhe qytetarë të thjeshtë, i dhanë lamtumirën mjeshtrit të madh, i cili ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Homazhet filluan në orën 10:00 dhe vazhduan deri në orën 13:00. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e homazheve të lamtumirës së fundit ndaj regjisorit dhe personalitetit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Kreu i Shtetit vendosi kurorën me lule në arkëmortin e Dhimitër Anagnostit, si dhe i shprehu ngushëllime bashkëshortes së tij, artistes Roza Anagnosti, dhe familjarëve. Begaj e cilësoi ndarjen nga jeta të regjisorit Anagnosti si shuarjen e një ylli nga plejada e artistëve të mëdhenj shqiptarë, ndërsa u shpreh se arti i tij do të vazhdojë të magjepsë shqiptarët. Në respekt të ditës së zisë kombëtare për ndarjen nga jeta të artistit Dhimitër Anagnosti, Institucioni i Presidentit të Republikës uli këtë të martë flamurin kombëtar në gjysmë shtizë.
Kryeministri Edi Rama, gjatë homazheve në nder të regjisorit Dhimitër Anagnosti, la edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve:

“Jam i bindur që ke menduar shpesh për këtë ditë kur do të ndahesh përgjithnjë nga zhurma e qytetit e do të prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do të jetë mbi ty.
Me mall Edi”
Ndërsa kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha: Anagnosti ishte një kolos i gjenisë krijuese artistike që u angazhua për përmbysjen e diktaturës dhe do të mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit.

Marjana Kondi-aktore
. Profesor Anagnosti, kolosi i artit shqiptar. Kam qenë me fat që kam qenë mikja e tij. Gjithkush duhet të dijë një gjë që në këtë botë kur të shkosh duhet të shkosh me dinjitet. Mbaj mend korrektesën e tij, humorin e bukur që kishte. Sot duhet të vija 10 minuta përpara ashtu siç donte në set. Jam me fat, kam mësuar shumë nga ai. Ishte i mrekullueshëm. Ai do të prehet në botën e vërtetë me dinjitet.
Marjeta Ljarja-aktore:
Filmat e tij do të jenë të paharruar. Me Rikardin ka qenë mik i veçantë. Ka bërë gjëra të bukura. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Nuk do të harrohet.
Aktori dhe regjisori Gëzim Kame:
Ishte redaktues i jashtëzakonshëm i veprave, dhe mbante veprën. Puna e tij si regjisor me aktorin në film ishte e jashtëzakonshme. Kishte motiv të vetëm që syri i aktorit të flasë në çdo gjë në ekran dhe kësaj gjëje nuk iu nda deri në fund. Karakteret në filmat e Anagnostit janë legjendare për ekranin shqiptar. Artisti shumë i madh. Do të mbahet mend si një nga kineastët më të mëdhenj. Kishte inteligjencë dhe kulturë të jashtëzakonshme. Duhet të mendoheshe kur të flisje me të. Nuk ishte “diktator i së bukurës”, ai që është kërkues. Është këmbëngulës për të gjetur të bukurën, të mirën, të mençurën e të drejtën.”
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja :
Sot është shpallur edhe ditë zie. Ndahet fizikisht një baba i kinemasë, një korife i regjisë dhe artit, por është ndarje që lë pas thesar e trashëgimi për të gjithë brezat. Vepra e tij do të mbahet mend gjithmonë. Jemi këtu pranë yllit të tij, Roza Anagnosti, familjes së tij për t’i shprehur këtë përulje dhe mirënjohje të thellë e të lartë.
Luftar Paja “Artist i Popullit”

-Dhimitër Anagnosti ishte një regjisor i madh, por dhe një njeri i ditur. Filmat e tij shquhen për lëvizje, dimensione njerëzore, për formatin specifik dhe plot finesë. Ai studionte shumë dhe ishte në korent të regjisurës botërore ndaj veprat e tij janë gjithmonë koherente dhe plot dinamizëm. Ai i përket një brezi që nxori talente të mëdhenj kur një ndër ta mbetet dhe Dhimitri. Filmat e tij të çdo kohe ndiqen me kureshtje edhe nga rinia e sotme. Ikja e tij është një humbje e madhe për artin shqiptar!

Anagnosti do të kujtohet nga shqiptarët si babai i “Lulëkuqe mbi mure” apo “Përrallë nga e kaluara”, krijuesi i personazheve si Sulo apo kujdestari, Gjinos dhe Marigosë. Sipas amanetit të tij, Dhimitër Anagnosti do të prehet në Vuno të Himarës, vendlindjen që e mbajti gjithmonë pranë zemrës dhe të cilën e përmendi me dashuri përgjatë gjithë jetës. Në shenjë nderimi për figurën e tij, Qeveria ka shpallur datën 2 Shtator Ditë Zie Kombëtare. Flamujt në të gjithë vendin janë ulur në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore po zhvillojnë homazhe për të përkujtuar jetën dhe veprën e një prej personaliteteve më të mëdha të artit shqiptar.





















