U stakua linja e gabuar, elektricistin e zë korrenti dhe ndërron jetë

15
Sigal

Një elektricist ka ndërruar jetë në Mërtish të Lushnjes. Siç raporton gazetarja Anila Sefa dyshohet se atë e kanë zënë korrenti gjatë punës për lidhjen e linjës.

Viktima është Xh. Shtembari, rreth 28 vjeç. Dyshimet janë që ngjarja ka ndodhur si pasojë e gabimit të një punonjësi.

Shtembari duhej të punonte për lidhjen e linjës së re elektrike Gradisht-Mërtish. Por siç ka mësuar gazetarja Sefa nga nënstacioni i Gradishtës kanë ngatërruar dhe kanë stakuar linjën e gabuar.

Viktima ka hipur mbi shtyllë pasi ka marrë informacionin se është bërë fikja. Në atë moment ka ndodhur edhe tragjedia.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia. Autoritetet po punojnë për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes dhe aktualisht po hetojnë punonjësin që ka ngritur levën gabimisht.

Për këtë arsye ata që ishin në punë janë shoqëruar të gjithë në komisariat.

Sipas burimeve të gazetares, 28-vjeçari la pas një fëmijë 2 vjeç.