Ku Nënë Tereza, ku hipokritët e pushtetit!

Analizë nga Vangjush Saro / Politikanët sajojnë  spektakle në  ditën e Nënë Terezës për të fituar pikë, ndërkohë që vetë përfaqësojnë  ‘Djallin’  me abuzimet, me rrenat dhe pallmat demagogjike. A ka vendi një minimum jetik të përcaktuar zyrtarisht apo vetëm dëngla që do rriten pensione  me qindarka? Nënë Tereza  me zemër të madhe ua kushtoi jetën të sëmurëve e të varfërve. Këta, hipokritët e Shqipërisë, kanë menduar vetëm për veten, për familjet dhe klanin. Ajo iu fal Zotit, këta njohin vetëm paranë, tenderat. Po përleshen për tokat në bregdet, për poste, po gënjejnë sheshit pa  filluar ende zgjedhjet e ardhshme dhe po i zbulojnë njëri-tjetrit fitimet marramendëse dhe horrllëqet

A ka vendi një minimum jetik të përcaktuar zyrtarisht apo vetëm dëngla që do rriten pensionet… me qindarka? Pse diametraliteti i jetës dhe i mirëqenies është bërë kaq kërcënues? Nënë Tereza thoshte: “Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.” Dilni tani nëpër spektakle e shisni dëngla…

 Ka disa kohë që i bëhej jehonë një aktiviteti me artistë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në kuadër të përkujtimit të nënë Terezës, shenjtores shqiptare (që pushtetarët nuk po e lënë të qetë as edhe në varr). Merret me mend se si bëhet përzgjedhja; punë klanesh. Se, meqë ra fjala de, ca janë në punë të tyre e në karrierë e s’po u bie në mend as vendi, as nënë Tereza. Gjithsesi, për artistët më vjen mirë, cilëtdoqofshin; edhe patronazhistë po të qenë. Do të uroja gjithçka të mirë për të gjithë e kudo që ata jetojnë dhe krijojnë. Në këtë urim më shtyn edhe panorama me ato kushte që dihen, kur infrastruktura e Kulturës – kujdesi për librin, filmin, teatrin, artet e bukura – nuk se shënon ndonjë arritje.

Sigal

Problemi janë ata që i sajojnë këto manifestime për të fituar pikë, ndërkohë që vetë përfaqësojnë Djallin – me abuzimet, me rrenat, me pallmat demagogjike. Në këtë vështrim, disa herë shkrimtarët dhe artistët përdoren për nevoja të qeverisjes dhe drejtuesve të politikës. Ashtu si mbledhjet me ndërkombëtarë, samitet, konferencat, etj. – përmes të cilave kryeministri shqiptar, z. Rama dhe pasuesit e tij, mbulojnë gjendjen e rëndë në vend – edhe në rastin e përkujtimeve për nënë Terezën, gënjeshtra ka marrë qiellin.

Tash është bërë udhë që të zhvillohen spektakle sa për t’u shfaqur zotërit e vendit; më mirë, sa për të shitur në publik disa (me gjasë) arritje; që në krahasim me hallet, janë aq pak dhe përndajnë aq shumë trishtim. Shkëlqimet e rreme, vaniteti i shpifur, këto e të tjera nuk mund të fshijnë çfarë ka ngjarë në atë vend në disa dekada, pse jo, edhe më zi së fundi: Korrupsion, varfëri në rritje, halle të mëdha ambientale e, më në fund, edhe mungesë perspektive për qytetarët. Nëse e shohim më nga afër këtë bujë, këto shfaqje të hipokrizisë, mund të kuptojmë edhe më mirë që gjithçka është thjesht propagandë. Ata që rritën rrogat e tyre në maksimum duke shkelur me këmbë pensionistët dhe gjithë qytetarët e pambrojtur, ata që e kanë betonizuar Tiranën për të pastruar para, ata që kanë shitur veten te Djalli, nuk kanë asgjë të përbashkët me atë shenjtore. Asgjë. Ajo thoshte; “Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri.” Bash kjo është ç’mund të thuhet për soj-soj deputetë e zyrtarë a partiakë të lartë.

Ani, hipokritët janë ngritur në këmbë edhe këtë herë, për të përfituar ç’të mundin nga një emër aq i papërlyer, krejt ndryshe nga ata vetë. Për këdo që ende mendon se në atë vend projektohen gjëra ‘madhështore’, që nderohen artistët dhe kujtimi i shenjtores, lipset të themi: S’duhet të mashtrohemi nga llamburitja e dritave dhe e zbukurimeve false. Mjafton çdolloj krahasimi a pranëvënieje me jetën reale të shqiptarëve, me ndyrësitë në rrethinat e kryeqytetit, me mjerimin nëpër fshatra e krahina, për të dalluar qartazi shtirjen dhe pisllëkun. Ajo, vajza, gruaja e përunjur me zemër të madhe ua kushtoi jetën të sëmurëve, të lënduarve, të varfërve. Këta, hipokritët e Shqipërisë, kanë menduar vetëm për veten, për familjet dhe klanin. Ajo iu fal Zotit, këta njohin vetëm paranë, tenderat… Po përleshen për tokat në bregdet. Po përleshen për poste. Po gënjejnë sheshit (pa u filluar ende) për zgjedhjet e ardhshme. Po i zbulojnë njëri-tjetrit fitimet marramendëse dhe horrllëqet. Dhe sikur të mos ishin mjaft këto, thërrasin për fasadë e për propagandë kujtimin e asaj gruaje të mirë e të pangjashme me ta asfare… Le të ulemi në terren. Si ishte kjo puna e mbetjeve që u mbetën shqiptarëve në derë? Si u bë me situatën gjithë kanosje, plagosje e vrasje ditën për diell? Ç’thonë studimet e PISA për nivelin e Arsimit në Shqipëri? A ka vendi një minimum jetik të përcaktuar zyrtarisht apo vetëm dëngla që do rriten pensionet… me qindarka? Pse diametraliteti i jetës dhe i mirëqenies është bërë kaq kërcënues? Nënë Tereza thoshte: “Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.” Dilni tani nëpër spektakle e shisni dëngla…

Edhe një nënvizim të fundit. Nuk është hera e parë që pushtetarët përpiqen të fitojnë përmes emrit të shenjtores. Nuk është hera e parë që ata përdorin apo mëtojnë te kenë në fokus emra të njohur të shoqërisë, të fushave të ndryshme, për t’i cilësuar ato si ‘arritje’ të tyre; kurse e vërteta është që janë shumë larg tyre: në jetën që bëjnë, në interesat që kanë, në cilësitë shpirtërore aq të ndryshme. Ky vodevil ka filluar qëkurse Diktatura po jepte shpirt në Shqipëri, tutje viteve ‘80. Në Tranzicion pastaj, përmendja e saj nga… të pafetë gjithfarë, u bë njëlloj loje. Ta përdorësh emrin e shenjtores për të makiazhuar fytyrën tënde të vrerosur, brendinë tënde prej hipokriti, nuk është as e ndershme, as normale. Anipse, në dukje e në thelb, shenjtorja është e botës, është edhe e vendit të vet. Por si do të thoshte ajo po të ishte gjallë? Mbase këto: “E djeshmja iku. E nesërmja ende nuk ka ardhur. Kemi vetëm të sotmen. Mos ta lemë të ikë.”

Por edhe kjo varet: Kujt i thuhet, a e dëgjon kush, a kuptohet nëse po…