Ing. Bahri Hazizi,(Gjika), një nga drejtuesit e aftë të Azotikut të Fierit
-Në 85 vjetorin e lindjes-
Të njohim kontributin e shquar të inxhinierëve e kuadrove drejtues, mjeshtra e specialistë në shërbim të ekonomisë së vendit të lënë në harresë.
Demir Korita
-Gjatë jetës së shkurtër 30 vjeçare, Azotiku i Fierit “Gogo Nushi” u drejtua me profesionalizëm të lartë nga intelektual dhe inxhinier kalibri. Në hallkën e këtij zinxhiri të artë kanë drejtuar inxhinierët Petrika Ballauri, Qirjako Mihali, Bahri Hazizi, Thanas Mërkuri, Andon Dëma, etj, si dhe kryeinxhinierët, Safa Kumbaro (Laureat i Çmimit të Republikës klasi i parë), Theodhori Papajorgji, Thanas Mërkuri, Albert Hajnaj, Lavdosh Veizi, Jorgo Themeli, Jani Sila, dhe mjaft ing e specialist, teknik e mjeshtra, që ishin krenaria e Azotikut dhe do të kujtohen gjatë.
Duhej t’u kujtojmë brezave se Azotiku ishte ndërmarrje e rëndësisë së veçantë, ku punohej në kushte të një rrezikshmërije të lartë dhe dispononte tonelata nitrati të amonit, të oksigjenit dhe azotit të lëngshëm, të depozituara në sfera të sigurta, por që kishin në dorë “bombën atomike”. Ndaj punohej me heroizëm, dhe përjegjësi, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë.
Në këtë gjerdan të artë veçojmë inxhinier, Bahri Hazizin, një nga kuadrot, drejtuesit dhe organizatorët e talentuar të Uzinave kimike të Azotikut të Fierit dhe në detyra e funksione të tjera, atë të sekretarit të komitetit të partisë të rrethit Fier, në Ministrinë e Energjitikës si drejtor drejtorie, dhe drejtues i Uzinës së NISH Kimike, një karrierë, që i fitoi me aftësi e zotësi të rrallë.

Qysh i ri, Bahriu njihej për shkathtësinë dhe inteligjencën e lindur, si një njeri i veçantë, i thjeshtë, rrezatues e përçues i dashurisë me shokët e vartësit. Bahriu është ndër të rrallët, që sukseset e tij i arrinte jo me autoritetin e detyrës që kishte, por me aftësitë e tij të rralla komunikuese, depërtuese, të shpirtit e të sakrificës, dashurisë dhe thjeshtësisë, që ishte çelësi i suksesit si kuadër e drejtues, ku arriti vetëm suksese.
-Bahriu u lind, më 16 qershor 1939, në fshatin Bolenë, të Kurveleshit, rrëzë malit të Çipinit me rrënjë e degë patriotike,qysh nga të parët , prindërit dhe gjithë fisi, të cilët luftuan përkrah burrave më të shquar të fshatit dhe krahinës së Kurveleshit për liri, pavarësi e çlirim kombëtar. Me zanafillë në histori ka qënë dhe shprehur simbioza e shpirtit vullnet-hekur, ç’ka përbën krenarinë e atij vëndi. Në periudhën e tanzimatit u shquan Leskodukajt me çetën e tyre legjendare, dhe më pas në historinë e fshatit futet Isuf Bushi i Parë i njohur si luftëtar ku busti i tij edhe sot gjendet në mes të Janinës, dhe Isuf Bushin e dytë si ish diplomat i Rumanisë në Janinë. Gjatë luftës së dytë botrore nga Bolena ranë dëshmorë 54 djem e vajza, si dhe disa trima si Asim Aliko, Pelivan Leskaj rënë në betejën e Drashovicës dhe partizania Sose Hysaj rënë në luftën për çlirimin e Tiranës.
Populli i ka përjetësuar në vargje:
Bolena me pushkë e penë,
qëndron si mal në këmbë!
Pas çlirimit Bolena nxori mjaft ushtarak të lartë si: Mehmet Jaho (Luftar Bolena” , Asim Aliko “Hero i Popullit”,Maliq Tartari kolonel, autor i disa librave, publiçistin dhe shkrimtarin Servet Tartarin, poetin dhe ushtarakun Hysni Imeraj, kuadri i lartë Reshat Leskaj, etj. Nga Bolena dualën rreth 41 sportistë që kanë lënë emër në historinë e sportit shqiptar. Midis tyre trainer i shquar i kombëtares Bejkush Birçe, portieri i “Partizanit” dhe kombëtares Perlat Musta, futbollisti i kombëtares Alban Bushi, aktori i teatrit “Bylys” dhe i kinematografisë Astrit Petref Hasani “Mjeshtër i Madh”, kampijonia në peshëngritje Romela Bega, etj.
Prej këtij fshati me tradita patriotike e atdhetare i ka rrënjtë njëri prej bijvë të Bolenës, ing Bahri Hazizi; për të cilin do flasim më poshtë.
U rrit në familjen e njohur të Xhebro Gjikës në Tërbaç të Vlorës, një prej figurave më popullore të krahinës së Labërisë, patriot e luftëtar i shquar i dy luftrave botrore . Shkollën fillore dhe 7 vjeçare i kreu në fshatin, Tërbaç, fshat i penës dhe i pushkës, patriotëve dhe luftëtarëve, që nga Miro Tërbaçi, Halim Xhelo, Hysni Kapo, Xhebro Gjika, Vehbi Hoxha, etj, figura të cilat ishin udhërrfyes të atdhetarizmit, e luftës për liri e çlirim kombëtar. I takon brezit të ri të pas çlirimit të cilëve iu ra barra e rëndë, por fisnike për rindërtimin e vendit dhe vënien në efiçencë vendburimeve të naftës dhe gazit të shkatërruar nga lufta.
Në vitin 1947, filloi studimet në shkollën e mesme të teknikumit të naftës në Qytetin Stalin (sot Kuçovë), dega përpunim nafte. Dallohet si nxënës i zellshëm. Në vitin 1957, përfundon teknikumin me rezultate të larta, ku titullohet si teknik i mesëm dhe emërohet në rafinerinë e naftës të Cërrikut. Pati fatin të punoj si asistent pranë dy personaliteteve të shkencës, inxhinierëve, Mirush Putos e Safa Kumbaros, në studimin dhe prodhimin në laborator të vajrave lubrifikuese për automjetet, si dhe vajgurin tip TS1 për avionët, që më pas u kalua në një impiant të prodhimit në sasi më të mëdha, duke i shërbyer me sukses aviacionit luftarak dhe transportit automobilistik.
Në maj të vitit 1965, dërgohet për specializim në Lanxhou të Kinës për uzinën e re të Azotikut, që ishte në hapat e para të montimit, në Drizë të Fierit. Në atë grup bënin pjesë 39 inxhinierë e teknik që ishin kryesisht nga sektori i naftës dhe nga ndërmarrje të ndryshme ekonomike të Fierit. Pas 6 muaj specializim në Kinë, Bahriu dërgohet edhe për 6 muaj të tjera për specializim, pranë firmës kimike “Montegatini” në Itali.

-Në korrik të vitit 1966, kthehet në Shqipëri, ku angazhohet në përgatitjen e kursantëve të rinj, që do të vinin në shfrytëzim uzinën e re të Azotikut.
-Falë aftësive të fituara gjatë specializimit dhe përvojës në uzinën e Cërrikut, Bahriu shfaqet si një specialist e mjeshtër, ku punoi në përgatitjen e kartës teknollogjike të repartit të krekingu të naftës, një repart mjaft i vështirë, dhe intensifikon punën për rritjen e aftësive teorike e praktike të teknollogëve të rinj.
Kalimi në lëshimin e repartit të krekingut dhe i gjithë Azotikut, ishte një proçes sa i njohur, por edhe i vështirë, pasi edhe niveli i teknollogëve ishte i pamjaftueshëm. Në këto kushte, Bahriu së bashku me shokët e tij bëhen promotor, që të punojnë në kushte të vështira të së panjohurës, por edhe të motit e dimrit të egër të dhjetor-janarit 1966-1967, duke realizuar me sukses lëshimin e të parit repart të krekingut të naftës. Puna, shembulli dhe sakrificat e tij ishin të pashëmbullta, duke rrezatuar tek punonjësit dhe specialistët e rinj.
Pas lëshimit me sukses të Azotikut dhe prodhimit të plehut të parë të nitratit azotik më 23 shkurt 1967, Bahriun e ngarkojnë me detyrën e shefit të sigurimit teknik të uzinës, një detyrë, që për një uzinë të re dhe pa përvojë, kërkonte një njeri të aftë, por edhe të zot, për të hedhur hapat e para e të forta në këtë sektor. Jo vetëm kërkues, por teknicien i zoti, edhe mjaft njerëzor e popullor. Shakatë dhe humoret e Bahriut kujtohen edhe sot në grupet shoqërore të azotikasve. Arriti që brenda një periudhe të shkurtër të organizojë punën me të gjitha kërkesat e rregullores e të sigurimit teknik për çdo repart. Të pajisë çdo punonjës me kundragaz personal dhe të kontrollojë dijet e fituara për të përballuar rrezikun nga helmimet dhe proçeseve të tjera të punës. Zbatimi i rregullave të sigurimit teknik me rreptësinë më të madhe u bë normë dhe edukatë për të gjithë personelin inxhiniero-teknik të Uzinës.
Në vitin 1973, Bahriu përfundoi fakultetin e inxhinierisë kimike, filial i universitetit shtetëror, me qëndër në Fier, ku diplomohet inxhinier. Bahriu dhe disa shokë të tij si, Spiro Sofroni, Anastas Boçova, Harilla Kulari, Kristo Pleqi, Aleks Lako, Albert Hajnaj, Nexhip Agaraj, Lavdosh Ahmetaj, Koli Xhaxho, Kujtim Alite, Ibrahim Krasniqi,Elvira Kotini, Heroina Hekurani, Tatjana Mali, Afërdita Tase, Elma Mullai – kujton profesori i njohur i fizikës, Enver Skëndaj,-“ ishin student të zellshëm dhe mjaft të përgatitur”, vlera të cilat i shfaqën në karrierën e më pasme të tyre. Më pas, Bahriun e shohim të ngarkohet me detyrën e kryetarit të degës teknike të Uzinës, një detyrë me mjaft përgjegjësi. Do të punoj përkrah inxhinierëve të talentuar si, Thanas Mërkuri që ishte në detyrën e kryeinxhinierit, Vangjush Orgockës, Theodhori Papajorgjit, Kosta Gjoka, Jani Çatit, Berti Lalos, Nako Leskaj, Lavdosh Veizit, Kristo Pleqit, Niqifor Belerit, etj.
Periudha 1967-1980, ishte mjaft e ngarkuar, ku duheshin zgjedhur probleme teknologjike e teknike mjaft serioze, që lindnin gjatë proçesit të prodhimit, siç qe:- Dëmtimi i serbantinave ftohëse të kolonës së sintezës së amonjakut, dëmtimi dhe skuqja e reaktorit katalitik të repartit të acidit nitrik, dëmtimi i kaldajës të repartit të krekingut, e mjaft defekteve të tjera, që përbënte rrezik për ndalimin e prodhimit për muaj të tërë. Për zgjidhjen në kohë të tyre ishte byroja teknike dhe ajo teknologjike, dhe institucioni i kryeinxhinierit, këshilli shkencor që studiuan, projektuan prodhimin dhe montimin e tyre nga ofiçina dhe remonti i Uzinës me një cilësi të lartë dhe kohë të shkurtër. Ishte aftësia dhe përkushtimi i Bahriut me bashkëpuntorët e tij, ing Vangjush Orgocka, Kosta Gjoka, Pandeli Kuruni, dhe mjeshtrat Muhamet Klosi , Faslli Breshani ,Vladimir Shehu, Nazmi Dyrmishi, Ali Liçaj, Panajot Gazeli, Kujtim Osmani, Nevrus Mejdani etj, që arritën suksesin në një kohë rekord.

Një drejtim tjetër ishte angazhimi dhe projektimi i mjaft detaleve e pajisjeve teknollogjike në ofiçinën e uzinës. Objekt tjetër i degës teknike dhe byrosë teknologjike, me kryetar i byrosë, ing Vangjush Orgocka dhe gjithë personelin ishte; studimi, projektimi dhe prodhimeve të linjave të reja si një nga kërkesat imediate të kohës. Kështu, për një periudhë 6-7 vjeçare, u studjuan, projektuan, u ndërtuan dhe u vunë në prodhim, impianti i prodhimit të narkozës së parë shqiptare, impianti i nitratit të natriumit, i acidit nitric 65 dhe 68 %, i biuretit për kafshët, i vajrave lubrifikante etj, ku kontribut pati edhe inxhinier Bahri Hazizi.
Në pranverën e vitit 1975, emërohet drejtor i Azotikut, në këtë kohë edhe i Uzinës së Uresë, duke zëvëndësuar, Qirjako Mihalin, i cili u ngarkua në detyrën e Ministrit të Financave dhe kandidat i Byrosë Politike. Doemos, detyra e drejtorit ishte një përgjegjësi mjaft e vështirë. Aso kohe, qeveria dhe udhëheqja e partisë, sytë dhe veshët i kishte tek mbarvajtja e prodhimit të plehrave kimike, pasi ishin ‘mjaft të rëndësishme dhe të domozdoshme për rritjen e rendimenteve për drithërat dhe kulturat bujqësore. Duhet thënë se me përdorimin e nitratit azotik 35% azot, rendimenti i prodhimit të grurit, u rrit 5 herë më shumë, ai i misrit 6-7 herë, po aq i sojës, i foragjerëve, etj. Bahriu u përkushtua me të gjitha aftësit e tij tekniko-organizative, së bashku me gjithë personelin ing.teknik dhe atyre të uzinës së Uresë, Maku Kilica e Andon Dëma duke vënë në punë me sukses, veprën tjetër mjaft të rëndësishme e industrisë kimike. Atë kohë, në krahë të djathtë të Bahriut, si kryeinxhinier ishte, Thanas Mërkuri, një çift mjaft i përkushtuar, duke futur metodologjitë e reja në organizimin e drejtimin e uzinave, Azotik-Ure.Të dyja uzinat së bashku jepnin një prodhim vjetor prej 220 mijë tonë plehra kimike.
Si drejtues, mbështeti fuqishëm gjithë veprimtarinë kulturore-artistike e sportive që zhvillohej në azotik, (ansamblit, estrdës dhe ekipit të futbolli) ku fituan çmime në festivalet e kampjonate të organizuara në shkallë ndërmarrje të vëndit, dhe dualën aktor e këngëtarë të talentuar e të njohur nga publiku shqiptar .
Ishte koha kur Uzina “Gogo Nushi” kishte plotësuar e tejkaluar të gjithë treguesit ekonomiko-financiar, dhe në vitin 1977, shteti shqiptar i kohës përgjithësoj në shkallë vendi përvojën e Azotikut, duke e quajtur “Uzinë Shkollë” dhe Uzinë me një disiplinë dhjetëfish të ushtrisë. Ish Presidiumi i Kuvëndit Popullor, i dha titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”. Sigurisht, në këtë gjerdan të artë, një meritë kishin të gjithë drejtuesit e Azotikut, personeli inxhiniero-teknik, gjithë specialistët dhe punëtorët e kualifikuar. Në këtë hallkë të ndritur kishte meritën e tij edhe ing, Bahri Hazizi-Gjika.

Për aftësi tekniko-organizative dhe si njeri i thjesht, masovik, energjik dhe me vizion të qartë, në pranverën e vitit 1978, Bahriun e emërojnë në detyrën e sekretarit të komitetit të partisë të rrethit të Fierit, një rreth me potencial të madh ekonomik. Pikërisht, i japin detyrën e sekretarit, që mbulonte problemet ekonomike. Edhe në këtë detyrë, Bahriu shkëlqen, pasi ai dallohej nga inteligjenca, operativiteti, dinamizmi dhe integriteti i lartë që kishte fituar në marrdhënie me njerëzit.
Si sportdashës pati një rol kryesor në mbështetjen e ekipit të futbollit të ”Apolonise”ku ekipi kaloi për herë të parë në historinë e futbollit në kategorinë e parë, vlerësime të dhëna në kujtimet nga ish traineri Kozma Mone. Pas dy vjet të qëndrimit në atë detyrë, ngarkohet me një tjetër detyrë, në atë të drejtorit të drejtorisë kimi-metalurgji, në Ministrinë e Industrisë Kimi-Metalurgji.
Në vitin 1985, Bahriun e shohim të dërgohet si drejtor i NISH kimikes, Tiranë, pasi atje mungonte së tepërmi disiplina në punë dhe disiplina teknike. Aty, Bahriu për një periudhë kohe të shkurtër, bëri të mundur që të vendos një rregull e disiplinë brenda gjithë parametrave të kodit të punës dhe kartës teknologjike. Përvoja nuk i mungonte.
Pas viteve 90-të, me ndërrimin e sistemit socialist dhe kalimin në sistemin demokratiko-borgjez, rreth 90% e ndërmarrjeve u shkatërruan plotësisht, duke u shitur për skrap nga segmente të mbështetur nga pushtetet e kohës. Këtë fat patën tre uzinat e plehrave kimike të Fierit- teci i Fierit, -Superfosfati i Laçit, -Soda Kaustike Vlorë ,- NISH kimikja Tiranë, ku Bahriu kishte dhënë kontribut si kuadër drejtues edhe si patriot.
Me reformat drastike që ndërmori qeveria “Meksi” me ligjin famkeq 24/1 të korrikut 1992, edhe Bahriu pati fatin e qindra e mijëra kuadrove duke i hedhur në rrugë, dhe marrë rrugët e emigrimit. Ai u dëshpërua shumë për gjithshka që pa me sytë e tij, por gjeti kurajë e forcë për të përballuar këtë batërdi, që iu bë ekonomisë shqiptare, ku qindra, mijëra punonjës, kuadro, inxhinier, teknik kishin derdhur djersën dhe gjakun për ngritjen e kombinateve dhe uzinave, për një mirëqënie më të mirë të popullit.
Si kuadër i zoti dhe i aftë, Bahriu kërkohet nga disa firma private për të venë në efiçentë bizneset e tyre, siç qe ajo e katërmase pranë Rafinerisë së naftës në Fier, ajo e përpunimit të vajrave lubrifikante dhe e pluhurave larës në Kuçovë, etj.
Për kontributin e dhënë, është vlerësuar me medalje e tituj nderi nga ish Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Tashmë, ai është në pension dhe gëzon shëndet të plotë. Mban lidhje të forta me shokët e vjetër dhe kolegët. Atë e gjen në mes të tyre, duke kujtuar të kaluarën e artë dhe i dëshpëruar për shkatërrimet e bëra industrisë dhe ekonomisë së vëndit, ku u hodhën në rrugë me qindra e mijëra punëtor, specialist e inxhinier të zotë. “Ne e bëmë Shqipërinë kujton Bahriu, por e shkatërruan ata që muarën pushtetin pas viteve 90-të” . Ju , i dashur Bahri, jo vetëm ishit një kuadër i zoti, por mbi të gjitha ishit një njeri e shokë i rrallë, i dashur , i thjeshtë, masovik, i komunikushëm, me një humor të hollë e të këndshëm , që edhe sotë ju ka lezet . Ishit ndër të rrallët, që sukseset i arritët jo me autoritetin e detyrës , por me aftësitë e tuaja organizuese dhe shëmbullit personal, të shpirtit të sakrifices dhe thjeshtësisë,që përbënte çelsin e suksesit si kuadër drejtues në të gjitha hallkat e zinxhirit të ekonomisë.Në këtë ditë të gëzuar të jetës suaj, ndoshta dhe pa lejen tuaj dhe për një publik më të gjerë po japim në mënyre të përmbledhur “udhëtimin” tuaj në këto 85 vjet, dhe në emër të të gjithë azotikasve ju urojmë të keni shëndet, jetë të gjatë dhe gëzime në familje,sepse ju meritoni më shumë. Në këtë ditë të gëzuar të jetës suaj, ndoshta dhe pa lejen tuaj dhe për një publik më të gjerë po japim në mënyre të përmbledhur “udhëtimin” tuaj në këto 85 vjet, dhe në emër të të gjithë azotikasve ju urojmë të keni shëndet, jetë të gjatë dhe gëzime në familje,sepse ju meritoni më shumë.




















