Prof. Arben Cici
(Ambasador) Profesor i MND në UMSh

“Më 14 dhjetor 2023 Shqipëria shënoi 68 vjetorin e anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, shumë më ndryshe se çdo përvjetor tjetër. Shqipëria, ndonëse vend i vogël, shënon kështu historinë e saj diplomatike, për herë të parë në një nivel kaq të lartë pjesëmarrjeje dhe vendim-marrjeje, përkrah fuqive të mëdha, ku kërkohet përgjegjësi e lartë ndaj çështjeve globale e rajonale.”
/Telegraf.al/ Më 14 dhjetor 2023 Shqipëria shënoi 68 vjetorin e anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, shumë më ndryshe se çdo përvjetor tjetër. Më 1 janar të këtij viti, ajo përmbylli zyrtarisht uljen e saj të parë, dy vjeçare, në Sallën e Këshillit të Sigurimit, si anëtare jo e përhershme e organit politik më të rëndësishëm në botë. Përfaqësuesit zyrtarë të saj qendruan përkrah pesë anëtarëve të përhershëm dhe nëntë të zgjedhurve me mandat të përkohshëm, duke diskutuar e vendosur mbi çështjet më të rëndësishme që shqetësuan globin në vitet 22-23.
Shqipëria, ndonëse vend i vogël, shënon kështu historinë e saj diplomatike, për herë të parë në një nivel kaq të lartë pjesëmarrjeje dhe vendim-marrjeje, përkrah fuqive të mëdha, ku kërkohet përgjegjësi e lartë ndaj çështjeve globale e rajonale, vendosmëri, pragmatizëm, edhe modesti, por mbi të gjitha përkushtim ndaj interesave të saj kombëtare afatgjatë.
Përfaqësuesve zyrtarë të Shqipërisë u është dashur shpesh të qëndrojnë, me orë të zgjatura, brenda “Sallës më të rëndësishme në Botë”, përballë jo vetëm trysnisë të vendim-marrjeve të vështira dhe qëndrimeve të guximshme, por edhe “vëzhgimit” imponues të një pikture murale, shumë origjinale, tërheqëse, mistike, enigmatike, historike, të një hapësire gjigande, magnetike e të parezistueshme, e cila të rrëmben, pa e kuptuar, brenda botës që fsheh e pasqyron, njëkohësisht, një harmoni e çrregullsi, periudhash, ngjarjesh, personazhesh, kafshësh mitike.
Madje edhe mesazhi përmbyllës i Ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, mbi sagën e suksesshme 2 vjeçare të Shqipërisë brenda sallës së Këshillit të Sigurimit u shfaq, me këtë pikturë të magjishme murale, në sfond.
Kjo murale flet e shprehet me një gjuhë shumëdimensionale të formave, linjave, ngjyrave, nuancave; ajo godet me ndjesinë e vëllimit, hapësirës, dritës, errësirës, lëvizjes në kohë, brenda sipërfaqes së saj aristike. Fenomenet dhe personazhet reale dhe sureale, natyrore dhe mbinatyrore duket sikur fshehin historinë dhe të vërtetat e sallës, sikur janë rojtaret fanatike e njëkohësisht dëshmitarët e përjetshëm të ngjarjeve, vendimeve, betejave e kompromiseve diplomatike të padëgjuara ose ende të pathëna, fitoreve e humbjeve diplomatike, me pasoja ndaj të ardhmes së botës dhe njerëzimit, paqes dhe luftës.

Por, cila është historia dhe kuptimi i saj?
OKB-ja, e cila zyrtarisht u krijua më 24 tetor 1945, me qëllim forcimin e bashkëpunimit mes kombeve, zhvillimin ekonomik, ruajtjen e sigurisë dhe paqes në botë, u zhvendos zyrtarisht në selinë e saj të përhershme, të Manhatanit më 10 tetor 1952. Kostoja e ndërtimit u vlerësua rreth 65 milionë dollarë. Dekori i brendshëm, sidomos, u plotësua nga dhurimet e vendeve të ndryshme anëtare. Sipas Neë York Times, të datës 28 qershor 1953 “…njëzet e një kombe kanë dhuruar orendi për të dekoruar selinë e OKB-së, me një vlerë rreth 500 mijë dollarë.
“Kjo murale flet e shprehet me një gjuhë shumëdimensionale të formave, linjave, ngjyrave, nuancave; ajo godet me ndjesinë e vëllimit, hapësirës, dritës, errësirës, lëvizjes në kohë, brenda sipërfaqes së saj aristike. Fenomenet dhe personazhet reale dhe sureale, natyrore dhe mbinatyrore duket sikur fshehin historinë dhe të vërtetat e sallës, sikur janë rojtaret fanatike e njëkohësisht dëshmitarët e përjetshëm të ngjarjeve, vendimeve, betejave e kompromiseve diplomatike”
Dekori i “Sallës më të rëndësishme në Botë” është një dhuratë e Mbretërisë së Norvegjisë, në vitin 1952.
Salla ku takohen, më shumë se në çdo vend, tjetër kryetarët e shteteve dhe të qeverive, për vendime lufte dhe paqeje, përmban një sërë veçorish simbolike. Arkitekti i njohur norvegjez, Arnstein Arneberg, e projektoi sallën dhe artistë të shquar norvegjezë ndihmuan në dekorimin e brendshëm të saj. Një rinovim shumë i mundimshëm i sallës përfundoi në 2013, për të përditësuar funksionet e saj por, duke duke ruajtur të pacënuar dizajnin origjinal të saj, të vitit 1952.
Salla e Këshillit të Sigurimit është projektuar për të nxitur dialogun e hapur dhe të drejtpërdrejtë. Tryeza e madhe, ku ulen 15 anëtarët e KS, ka enkas formën e një patkoi, për t’u mundësuar të gjithëve të ulen përballë njëri-tjetrit dhe ta shohin njëri-tjetrin në sy, duke nënkuptuar rëndësinë e barazisë dhe dialogut midis kombeve, pavarësisht madhësisë, në përpjekjet e tyre të përbashkëta për paqen.
Muralja, e përmasave 5m x 8m, është një pikturë vaji e artistit norvegjez Per Lasson Krohg, e vendosur në murin lindor të sallës që në 22 gusht 1952. Ajo dominon sallën me figurën qendrore të një feniksi që ngrihet nga hiri i botës. Sipas vetë piktorit, vepra ilustron përpjekjen e botës për të dalë nga një e kaluar e errët e luftës dhe për të arritur një jetë më të mirë, bazuar në qetësi dhe harmoni.
Nuk ishte hera e parë që Arneberg Arnstein përzgjedh Per Lassen Krohg të realizojë artistikisht projektet e tij madhore publike. Arneberg së bashku me Magnus Poulsen janë gjithashtu projektuesit, në vitin 1930, të godinës së bashkisë së Oslos, e cila në qershor të vitit 2005 u cilësua “Struktura e Shekullit” dhe Krohg është një nga piktorët e muraleve të brendshme të kësaj godine dhe të Universitetit të Oslos gjithashtu.
“Thelbi i idesë është të japësh një përshtypje drite, sigurie dhe gëzimi. Në zemër të Kartës së OKB-së gjejmë të njëjtin vizion – të një bote, që dëshiron të bashkohet për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,” -theksoi Mbretëresha e Norvegjisë, gjatë ceremonive me rastin e 75 vjetorit të themelimit të OKB-së.
Vizatimi mural i Krohg duket se është frymëzuar nga mësuesi i tij Henri Matisse, sidomos në përdorimin e ngjyrave, veçanërisht atë të afreskeve tradicionale të Rilindjes italiane, që i sjell me format moderne të një pikture në vaj. Interpretimi modern i afreskeve të Rilindjes italiane, të cilat ngjasojnë me muralet fetare të kishave, vjen nga besimi i fortë i krishterë i Krogh. Henrik Sorensen, Jean Heiberg, Axel Revold dhe Per Krohg ishin grupi i katër artistëve norvegjezë të modernizmit Matisse, me nofkën “parizianët”, të tre dekadave të para të shekullit të XX-të, të cilët predikonin se arti i tyre ka për qëllim edukimin moral. Ndaj edhe Krohg u përzgjodh, për të krijuar një vepër arti në Sallën e KS që tregon përpjekjet njerëzore për t’u ringritur nga një botë e mbuluar me hi dhe që frymëzon paqen dhe harmoninë e një bote të re.
Vepra artistike e Krohg-ut përbëhet nga tetë elementë kryesorë; një fushë e madhe poshtë dhe shtatë panele të ndara me kornizë. Ky kombinim të krijon përshtypjen e një tregimi, që lexohet si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht,
Në qendër poshtë, mes ngjyrës së baltës dhe të kuqes së zymtë, qëndron dragoi që përpiqet të nxjerrë me dhëmbë shpatën që i është ngulur në trup. Në kodrën e pjerrët dhe urën përmbi dragoin njerëzit ngjiten drejt një fushe me më shumë dritë, për t’u takuar në mes, ku qëndron Feniksi i bardhë me krahët e hapur. Duket sikur Krohg ka vizatuar një ikonë të krishterë, në të cilën ka zvendësuar Jezu Krishtin, i cili sipas besimit të krishterë shpëtoi botën. Feniksi që ngrihet nga hiri simbolizon OKB-në në rolin e saj, për të shpëtuar të ardhmen e botës dhe të njerëzimit.
Përpjekjet e njeriut, për të dalë nga një e kaluar e errët dhe e mundimshme e luftës dhe skllavërisë drejt një jete më të mirë dhe një të ardhmeje të ndriçuar nga shkenca dhe artet, janë pikturuar në të djathtë dhe në të majtë të fushës poshtë, nëpërmjet imazhit të tre burrave të prangosur, të cilët përqafohen nga figurat njerëzore në panelin e mësipërm dhe të një gruaje që ndihmohet të ngjitet me litar sipër, drejt një paneli më të ndritshëm dhe më me dritë.
Linja e mëndafshit blu që kalon midis dy paneleve katrore në ballë, njerëzit e gëzuar të etnive e racave të ndryshme dhe arkitektura urbane ilustrojnë angazhimin e Kombeve të Bashkuara për paqen e ardhshme dhe lirinë individuale. Në të djathtë, një burrë që qëndron duke valëvitur flamurin e Kombeve të Bashkuara mes turmës së gëzuar, simbolizon rolin e OKB-së në krijimin e një bote paqësore pas Luftës së Dytë Botërore.
Pjesa ovale mbi Feniksin, në qendër të pikturës, pasqyron qëllimin kryesor të Këshillit të Sigurimit: rëndësinë jetike për sigurimin dhe ruajtjen e paqes në botë. Forma bajame, enkas si mandorla, karakteristikë e ikonave bizantine, me brenda simbolin e lumturisë familjare, me fëmijët që rrethojnë prindërit e gjunjëzuar solemnisht, të qetë dhe të sigurt shënjtërojnë misionin e rëndësishëm të OKB-së dhe pritshmëritë e botës mbarë nga kjo sallë, Këshilli i Sigurimit, për të “operuar si ruajtës i besuar i rendit ndërkombëtar në epokën e pasluftës”.

Burri, gruaja dhe fëmija të ulur në gjunjë, buqeta e luleve në dorë, pema dhe portokalli, që simbolizojnë qetësinë dhe bamirësinë, nën kujdesin e një fëmije të zhveshur mbi pemë, në pozicionin e një engjëlli të japin idenë e një dhemshurie e harmonizimi paqësor ikonografik, të ngjashëm me afresket e kishave dhe qetësinë shpirtërore brenda tyre. Një koncept të ngjashëm me familjen e lumtur Krohg kishte përdorur, më parë, tek piktura e tij “Paqja” në Muzeun Kombëtar Norvegjez ashtu edhe tek muralet e brendshme të godinës së Bashkisë së Oslos.
Në të dy ekstremet, majtas dhe djathtas, Per Krohg jep dinamikën e një bote që shkon drejt drejtësisë, harmonisë e bashkimit, falë zhvillimit ekonomik, nëpërmjet figurave që tregëtojnë, shkëmbejnë vegla të ndryshme e thasë me grurë në një mjedis urban, nëpërmjet dritës së diellit që hyn nga dritarja e hapur, që është drita e shpresës pas përfundimit të luftës shkatëruese. Kali i bardhë i ngritur në dy këmbët së bashku me njeriun që tregojnë paqen, harmoninë dhe forcën njëkohësisht, me në sfond mjetet e përparimit të shkencës, mikroskopi e teleskopi, ilustrojnë, në muralen e Per Krohg, njohuritë, dijen dhe vëmëndjen në rritje të botës për shëndetin dhe shkencën dhe ringritjen cilësore dhe edukuese si dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë botërore.
E gjithë fusha e sipërme dominohet nga pemë të gjelbra që i ngjajnë palmave dhe selvive. Në të majtë bien në sy dy figura që ndërtojnë një formë arkitekture shumë të ngjashme me Bashkinë e Oslos për të krijuar idenë e zhvillimin industrial të një shoqërie që po ringrihet. Dielli dhe shpresa, si dhe zhvillimi kulturor i një shoqërie në pjesën e sipërme, me figurën e piktorit, përballë një kanavace të bardhë, një grup që kërcen, një figurë që luan një piano dhe dy burra në sfond, duke luajtur instrumente muzikore, përmbyllin mesazhin e një shoqërie që lëviz drejt vlerësimit të arteve figurative, muzikës dhe teatrit.
Barazia, e drejta dhe harmonia, ecja domosdoshmërisht përpara dhe dëshira e palëkundur drejt një bote të paqtë dhe të zhvilluar është motivi kryesor i murales, duke e shprehur atë pothuajse në të gjitha pjesët e saj. Figurat, ndërveprimet e tyre, ndjenjat miqësore që shkëmbejnë, pavarësisht etnisë apo racës, simbolizojnë barazinë, paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, mes njerëzve të kontinentëve të ndryshme, ku, sipas edhe vetë interpretimit të OKB-së, “barazia simbolizohet nga një grup njerëzish që peshojnë grurin për ta ndarë për të gjithë”.
Piktori norvegjez Per Lasson Krohg ka dashur që vepra e tij artistike, dominuese dhe madhështore, të frymëzonte zyrtarët e lartë, të ulur në Sallën e Këshillit të Sigurimit, dhe t’i motivonte ata të punonin së bashku që Kombet e Bashkuara të ktheheshin në aktorin qendror me visionin afatgjatë për një jetë të re, të drejtë dhe të begatë, me vlerën e që ajo mbart. Por, mbi të gjitha, nëpërmjet kontrasteve, ai tërheq vëmëndjen që paqja që do të duhet të ndërtohet të mos merret e mirëqenë, në mënyrë që tragjedia njerëzore e Luftës së Dytë Botërore të mos përsëritet më.
Norvegjia nuk ka, në fakt, një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por ka një prani të përhershme përmes artit, mjeshtërisë dhe vlerave që dallojnë dizajnin e kësaj hapësire unike, sidomos përmes murales, mjeshtërisht të pikturuar nga Per Krohg.
Mesazhi i saj është më shumë se aktual dhe se kushdo që ulet e do të ulet në “Sallën më të rëndësishme të Botës” do të duhet të ndjejë jo vetëm rehatinë dhe madhështinë e të qenurit atje, por sidomos, përgjegjësinë e asaj që thotë e bën, rreth tryezës patkua të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.






















