Suplementi Pena Shqiptare/ Bledi Ylli: E kërkova veten në rrugë të shkelura

E kërkova veten në rrugë të shkelura

por nuk e gjeta!

NOA

Në udhëkryqin e parë ku dikur kisha humbur

nuk e gjeta…

Më pas shkova ta kërkoj tek shtëpia ime e vjetër, aty ku ndër gërmadha mund të gjeje gjithçka, përveç meje. Pash të vdekur e të gjallë së bashku të më përshëndesnin. Të njohur e të panjohur i pashë të gjithë. Por jo: veten time nuk e gjeta. Shkova më pas tek shkolla ime e harruar. Aty ku mësova për herë të parë të shkruaj emrin tim. I pashë të gjithë miqtë e mi të vjetër, por unë nuk isha. Thashë i sigurtë do të jem aty përballë shkollës, tek kafeneja që dikur ishte pastiçeri. Aty ku përditë shijoja pasta pesë lekëshe me siguri do të isha aty….Por jo, nuk isha. E u hodha nëpër male e fusha duke bredhur gjithë vendet ku kisha shkuar, madje shkova dhe në disa vende, që nuk kisha shkelur kurrë, por që ekzistonin në fantazinë time si dëshirë e zjarrtë e asaj kohe. Nuk e gjeta përsëri.

-A keni ndonjë cigare zotëri? Dëgjoj një zë. Një palë këpucë të grisura, pantallona të holla për atë dimër të ftohtë, një pulovër e punuar me dorë, por mjaft e rrjepur nga koha dhe brenda tyre një trup i hollë i një plaku të vuajtur. I dhashë të gjithë paketën madje dhe çakmakun. E gjeta veten time, që nuk ndjente ftohtë ulur tek stolat e lulishtes. Por ja, s’kaluan as dy minuta dhe e ndjeja të ftohtin, që kishte depërtuar gjer në kocka. U ngrita dhe vazhdova të ec. Jam gjallë, thashë me vete. Po më parë a isha? Thua kështu të jetë vdekja?