Nuk patën asgjë të veçantë pushimet e atij viti. Me përjashtim të mënyrës sesi u zgjidh një konflikt që desh lindi nga një histori e vogël dashurie. Unë isha në atë qytezë malore me gruan time, motrën e saj Rezartën me të shoqin Albanin dhe një çift tjetër: Sara, shoqe e ngushtë e Rezit dhe Lekua, burri i saj inxhinier, që kishte studiuar dikur në Budapest, ku dhe ishte njohur, dashuruar e më pas, martuar me të. Pra, Sara qe hungareze dhe kjo e shtonte veç pamjes së saj tërheqëse, akoma më shumë kureshtjen për të. Sara kishte studiuar në Konservator për piano dhe qe caktuar pedagoge në Lice. Ata çdo vit venin në plazh, dhe kësaj here, ngaqë nuk kishin gjetur dot fletë kampi për Durrës, kishin vendosur të vinin këtu me ne. Dhe mesa dukej ishin të kënaqur. Thonin se ju pëlqente klima, qetësia, ajri i pastër dhe i tërë peizazhi i mrekullueshëm i atij vendi plot pisha të larta e ujëvara. Kuptohej që ishin të lumtur. Falë kushteve të mira dhe rehatisë, pra duke qenë të lirë nga çdo detyrim familjar; se këtu as do të bëje pazar, as do fshije e do laje, dhe as do gatuaje, burrave dhe grave sikur u shtohej dashuria për njëri – tjetrin akoma më shumë. Kudo i shihje dy e nga dy, të përqafuar dhe duke iu përkëdhelur sho – shoqit, shëtisnin, luanin me letra apo diskutonin gjatë rreth filmave që kishin parë a librave që kishin lexuar. Mbrëmjet vinin të freskëta edhe pse qe mesi i verës. Gratë hidhnin ndonjë triko krahëve dhe sëbashku me burrat e tyre, pasi zbrisnin ca shkallë guri plot kthesa, venin te klubi, ku gjersa hapej mensa për të ngrënë darkën, pinin ndonjë kafe a tregonin barcaleta nga të cilat qeshnin sa u dilnin lot nga sytë. Kampi kishte një mjeke, që duhej të ishte nja njëzetepesë vjeçe. Pikërisht me këtë vajzë, e cila me hiret e saj tërhiqte vëmendjen e të gjithve, grupi ynë u miqësua. Ajo ishte jo vetëm tërheqëse, me një fytyrë të bukur e të freskët, por edhe seç kishte diçka në sjelljen e saj që të bënte për vete. Delikate dhe gazmore, duke qenë se s`kishte njeri që ta qortonte a ta mërziste për çikërrima, ajo paraqitej tamam ashtu siç ishte. Kjo mund të ishte dhe arsyeja që e bënte atë të mirëpritur kudo. Thënë në shqip, prania e saj sillte gëzim dhe na i bënte ditët e pushimit edhe më të gëzuara. Në pamje të parë askush nuk mund të dyshonte për një lidhje të saj me inxhinier Lekon, sikur të mos qe vetë gruaja e tij Sara, ajo që i tregoi kunatës time Rezartës, dhe kjo të motrës, e cila nuk vonoi të ma thoshte mua, se kur Sara qe kthyer në dhomë për të parë pse po vonohej i shoqi, e kishte gjetur atë duke biseduar me doktoreshën në intimitete. Nuk ishte ndjerë për këtë, duke mos dashur të besojë se ai mund ta tradhtonte me një tjetër. Hajde – kishte thënë – kështu e kanë të gjithë burrat. Ua ka një çikë qejfi që të këmbejnë dy fjalë kokë më kokë, me një grua tjetër, e sidomos kur ajo është e bukur, siç ishte doktoresha. Të kish qenë me kaq, nuk kishte përse të mërzitej Sara. Por, pas dy ditësh, ajo duke qenë tani më dyshuese, e kishte ndjekur pas të shoqin dhe e kishte parë duke u puthur me atë vajzë, atje në fshehtësinë e atyre pishave. Ishte kollur, dhe kaq! Ja, deri këtu e kishim mësuar të gjithë këtë histori, por me njëri – tjetrin nuk e zinim në gojë. Prisnim të shpërthente furtuna. Na erdhi shumë keq që ngjau kështu dhe na u prish humori. Vazhdonim të mblidheshim përsëri. Bënim të paditurin. Por qemë disi të kontraktuar dhe artificialë në bisedat që bënim. Dhe ndërsa prisnim atë moment kur do të bëheshim dëshmitarë të një skandali, ndodhi diçka e paparashikuar fare. Sara erdhi dhe u bë më e gëzuar. Më e qeshur, më e përzemërt me të gjithë e veçanërisht me të shoqin. Tani ne shikonim se ajo po i kushtonte kujdes të madh veshjes, krehjes, tualetit të saj. Bënte banjo në mëngjes e në mbrëmje. Tregohej shumë e vëmendshme në ushqimin që hante Lekua. Në mensë e shihte në dritën e syrit, duke ju lutur që ta mbaronte të gjithë pjatën. I blinte frutat më të shtrenjta. E përqafonte. I përkëdhelej. I kujtonte atij ngjarje nga koha kur qenë të dashuruar. I thosh se dhe flokët po i krihte si atëherë, kur ai e kishte njohur te dera e Konservatorit në Budapest. Një darkë, teksa qemë ulur rreth tavolinës në klub, Sara me dorën e hedhur miqësisht në supin e doktoreshës, me të cilën nuk tregoi asnjë shenjë armiqësie, përmendi diçka që i kishte thënë Lekua, kur ajo kishte vendosur të martohej dhe të vinte në Shqipëri: kurrë nuk do ta tradhtonte Sarën, e cila po sakrifikonte familjen, miqtë, shoqet dhe vendin e saj ku u lind dhe u rrit, për hir të dashurisë për të. Dhe kurrë – tha – Lakua nuk më ka zhgënjyer. Gjithmonë më ka dashur shumë. Dhe ka qenë kjo dashuri e madhe që nuk më ka lënë të çmendem nga malli për prindërit e mi e për vendin tim, se kështu erdhën punët… Ne vazhdonim të luanim rolin sikur nuk dinim gjë për sa kishte ngjarë te pishat mes Lekos dhe doktoreshës, e cila patjetër që qe vënë në pozitë mjaft të keqe. Fillimisht ajo u step. Të shkëputej nga ne i vinte zor. Dukej e hutuar dhe Lekua nga ana e tij, nuk guxonte ta shihte në sy. Por si kaluan nja dy a tri ditë dhe ajo, ndryshe nga sa priste, u ndesh me qëndrimin tepër dashamirës të Sarës, u gjallërua dhe u bë si më parë. Sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Ime shoqe me të motrën, Rezin, seç llomotisnin mes tyre. S`kishte dyshim që shanin Sarën. Kur ime shoqe e hapi këtë bisedë me mua, kur po shkonim në dhomë për të fjetur, unë nuk dija ç`të thoshja për qëndrimin e Sarës, pasi më dukej se po ta mbroja, pra po të pohoja se ajo bënte shumë mirë që sillej ashtu në këtë rast, më dukej se do të tingëllonte jo mirë e do merrej si përligjje e një teprimi nga ana e një burri të martuar e më vinte sikur ajo mund ta merrte edhe si aluzion për ndonjë rast analog, të cilin unë mund t`ja lejoje vetes ndonjëherë. Pra, nuk jepja ndonjë mendim të prerë, por me vete thoshja: Ja një grua e qytetëruar, me sa takt e zgjuarsi di të sillet, edhe në çaste kur sedra e saj është lënduar aq shumë, kur te ne gruaja do të bëhej bishë. Ja pra sesi ajo di të mbrojë me dinjitet dashurinë e saj dhe ta ruajë deri në fund familjen. Sido që të ish, për Sarën hungareze, të gjithëve na u shtua respekti. Nuk folëm kurrë për të, por qemë të bindur se patëm njohur një grua me shumë vlera e cila edhe kur shihte se burri i saj, gabonte, duke iu vardisur ndonjë tjetre, e kërkonte shkakun te vetja.






















