Okupacioni Nazifashist dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ)
- – Lufta e Gjormit, më 31 dhjetor 1942, ku u shpartalluan forcat fashiste e mercenarëve të Halil Alisë e Selim Kaloshit.
- – Si u pushkatuan më 5 janar 1943 bashkëpunëtori i fashistëve prefekti i Vlorës, Lele Koçi dhe ish–Komisari i Jashtëzakonshëm për Jugun e Shqipërisë, Qazim Koculi.
- – Më 21 shkurt 1943, ora 11 e natës, nën drejtimin e shokëve Hysni Kapo e Mehmet Shehu, Çeta Plakë e Vlorës dhe Çeta Plakë e Mallakastrës sulmuan e shkatërruan minierën e Selenicës, objekt me rëndësi strategjike për fashistët.
Xhevat Zenjelaj
Zhvillimet dhe koniukturat në arenën ndërkombëtare, lufta e fuqive të mëdha për tregje dhe zona influence, hedhja në dorë e pushtetit nga ideologji agresive, luftënxitëse dhe raciste, si: fashizmi (Itali), nazizmi (Gjermani) dhe militarizmi (Japoni), qenë disa nga faktorët kryesorë të jashtëm që sollën pushtimin fashist të vendit tonë. Për rastin e Shqipërisë do theksuar si faktor i jashtëm edhe lakmia shoviniste e fqinjëve. Ndër faktorët e brendshëm, vendimtare mbetet politika që ndoqi Zogu me qeverisjen e tij, e cila-përveçse antipopullore, rezultoi edhe antikombëtare – duke e katandisur vendin koloni italiane etj. Rrjedhojë pashmangshmërisht e zezë ishte 7 prilli 1939. Mbreti mori floririn dhe iku e vate, por me pushtimin nuk u pajtua populli. Edhe karbunarasit kur morën vesh se falanga armike erdhi përsëri në derë, këtë radhë me këmishë fashiste, u nisën të shpëtojnë Vlorën me armët që iu ndodhën. Në Qafën e Koçiut, kasnecët zogistë e disfatistë bënë propagandën e tyre dhe i kthyen. Por nuk zgjati shumë. Pasojat e pushtimit u ndienë shpejt. Populli i Vlorës i kishte të freskëta plagët e vuajtjet, por edhe lavdinë e Epopesë që shkroi vetë në 1920-ën. Pas formimit të PKSH–së më 8 nëntor 1941, fillimisht në Karbunar erdhën shokët: Hysni Kapo, Namik Xhafaj, Berdo Asllani, Arif Hasko, dr. Ibrahim Dervishi, Babaçe Faiku, Fejzo Gjomemo etj. Ata bënë takime me grupe e veprimtarë të ndryshëm, për të qartësuar e ngulitur idenë se është populli ynë, janë djemtë e vajzat e këtij fshati dhe gjithë Shqipërisë që, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare, do ta çlirojnë vendin nga murtaja fashiste. Është nder për fshatin që ka pasur djem të tillë, si: Veledin Canaj, Koçi Ramadani, Hasan Manaj etj, të cilët në Vlorë e gjetkë, iu bashkuan më herët rezistencës antifashiste në ilegalitet, ose Mukë Mersinaj që doli malit si efektiv i Çetës Plakë që më 4 dhjetor 1942. Në janar 1942, u dërgua në Karbunar komunisti i orëve të para, biri i këtij fshati, Namik Xhafaj. Ai kishte kryer shkollën tregtare të Vlorës në vitet ’30, pra ishte me formimin dhe njëkohësisht orientimin e duhur politik, antifashizmin. I ngarkuar nga Qarkori si përgjegjës për problemet ushtarake për gjithë Vlorën e më gjerë, Namiku kuvendoi me burra autoritarë në lagje e fshat, si: Dervish Hodaj, Gjysh Kapaj, Gani Haxhiraj, Qatip Cenaj, Adem Skëndaj, Adem Kucaj etj., bëri të qartë situatën dhe parashtroi masat për të formuar grupe agjitative të fshatit të cilat në çdo lagje dhe shtëpi do të sqaronin e mobilizonin njerëzit, me qëllim që të forcohej besimi dhe përgjegjësia e gjithkujt për fatet e Atdheut. Po në Karbunar u caktuan edhe të parat baza të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në shkallë zone; pas tyre u caktuan të tilla edhe nëpër fshatrat e tjera të komunës Treblovë. Tek ne shtëpitë bazë lufte ishin:
Adem Kucaj,
Adem Skëndaj,
Ali Hysaj,
Bexho Xhafaj,
Dervish Hodaj,
Fiqiri Xhafaj.
Gani Haxhiraj,
Gjysh Kapaj,
Irfan Xhafaj,
Ramiz Xhafaj,
Sabri Veizaj,
Skënder Bazaj,
Sherif Cenaj,
Teki Bilaj.

“Ushtarët e popullit”,
Në qershor 1942, në Karbunar vijnë shokët: Berdo Asllani, Arif Hasko dhe një i tretë. Te mbledhja në shtëpinë e Pasho Lamçes morën pjesë përfaqësues nga lagje dhe familje të ndryshme të fshatit dhe u bë organizimi i njësitit të parë, fillimisht prej 23 vetash, që u quajtën “Ushtarët e popullit”, përgjegjës u caktua Adem Skëndaj. Ilegalët qëndruan 3–4 ditë në fshat. Strehimi i tyre u bë në shtëpinë e Gjysh Kapajt. Aty u zhvillua një tjetër mbledhje e gjerë – takimi me të deleguarit e Partisë Komuniste – dhe u ftuan e morën pjesë përfaqësues nga çdo lagje, familje e fis. U shtruan direktiva, u rrahën probleme, dhe u shpjeguan paqartësi lidhur me organizimin e Luftës, pjesëmarrjen e popullit, sidomos të rinjve e të rejave. Të deleguarit vunë në dukje domosdoshmërinë e luftës pa kompromis ndaj pushtuesit, po ashtu u theksua besimi tek forca dhe mobilizimi energjive të mbarë popullit. U këshilluan e udhëzuan të pranishmit për rrezikun që njerëzit mund të gënjeheshin prej influencës dhe propagandës së bashkëpunëtorëve të armikut që, si pa të keq, hidhnin helmin “s’ka ardhur koha për luftë”, “Italia fuqi e madhe”, “Pse, çunakët do ta bëjnë luftën?” etj. Pas Konferencës së Pezës (16 shtator 1942), u formua edhe në fshatin tonë Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar. Më 15 tetor 1942, te shtëpia e Fiqiri Xhafajt (e blerë më vonë nga vëllezërit Mersinaj) u bë mbledhja ku u zgjodhën këshilltarët e parë:
- Telo Manaj–kryetar,
- Gani Haxhiraj – sekretar,
- Bexho Xhafaj – anëtar
- Dervish Hodaj – anëtar
- Gjysh Kapaj – anëtar.

Është me vend të theksohet se zgjedhja e Dervish Hodajt dhe Gjysh Kapajt në forumin e parë të pushtetit të ri sillte, përveç vlerave atdhetare edhe përvojën e tyre në drejtimin e punëve të fshatit. Qartësimi i popullit, puna, masat organizuese, si dhe pozicioni strategjik e bënë Karbunarin një nga mbështetësit më të vendosur për LANÇ–in; këtu vinin e riorganizoheshin grupe, çeta e deri batalione partizane. Shumë shpejt burra e djem të fshatit u armatosën me armë zjarri, por nevoja dhe kërkesat ishin më të mëdha. U ngarkua Dervish Mehmeti (Hodaj) me të tjerë që shkuan fshatrave të Mallakastrës së Sipërme dhe blenë një sasi pushkësh e municionesh. Bashkëfshatarët tanë: Adem Skëndaj, Adem Kucaj, Qatip Cenaj, Serrik Kapaj, Pasho Lamaj, Server Xhafaj, Sabri Veizaj, Velo Lutaj, Rexhep Bazaj, Shaqo Hodaj etj., qenë të armatosur për aksionet e para ku morën pjesë. Më 9 mars 1942, Sherif Cenaj, Server Xhafaj, Ahmet Hodaj etj. vajtën në Vlorë e morën pjesë në Demostratën e Bukës, ku Namik Xhafaj ishte një nga organizatorët dhe drejtuesit e saj. Në bazë të një letre dërguar nga Arif Haskua (përgjegjësi i Partisë për krahinën e Treblovës) u nisën për në Luftën e Gjormit, më 31 dhjetor 1942, gjithë njësiti “Ushtarët e popullit”, rreth 25 veta. Ata ndihmuan për shpartallimin e forcave fashiste e mercenarëve të Halil Alisë e Selim Kaloshit. Kjo disfatë bëri që fashistët të ngarkonin me faj dhe të ekzekutonin më 5 janar 1943 bashkëpunëtorin e tyre prefektin e Vlorës, Lele Koçi dhe ish–Komisarin e Jashtëzakonshëm për Jugun e Shqipërisë, Qazim Koculin. Koculi në qeverinë e Mustafa Krujës ishte Ministër Shteti dhe u emërua komisar i lartë në Vlorë. Si i tillë ishte autoriteti më i lartë i shtetit në atë qark dhe përfaqësonte drejtpërdrejtë qeverinë. Pas ngjarjeve të Betejës së Gjormit, ku vritet edhe nipi i Halil Alisë – kreu i milicisë dibrane pjesëmarrëse në betejë, më 5 janar 1943 Qazim Koculi ekzekutohet në Vlorë nga milicët e Halil Alisë i fajësuar për tradhti ndaj tyre dhe italianëve. Në fillim të vitit 1943, nën drejtimin e të deleguarit të Qarkorit, u ngrit Grupi Edukativ i fshatit me këta anëtarë:

- Adem Skëndaj,
- Adem Kucaj,
- Serrik Kapaj,
- Velo Lutaj,
- Gani Haxhiraj,
- Ali Hysaj,
- Çize Lutaj,
- Begë Zenjelaj,
- Pasho Lamaj,
- Sabri Bejaj,
- Skënder Bazaj.
Nga ana ushtarake, kjo periudhë përkon me krijimin në fshatin Armen të çetës territoriale të zonës; ku nga Karbunari ishin pjesëmarrës që ditën e përurimit Irfan Xhafaj e Mukë Mersinaj, i cili erdhi nga Çeta Plakë e Vlorës. Në tetor 1943 u krijuan organizata e Rinisë, përgjegjës Irfan Xhafaj e zëvendës Rexhep Bazaj, si dhe organizata e Gruas Antifashiste me përgjegjëse Emine Bazaj e anëtare: Mahi Kasaj, Sadihanë e Zenepe Xhafaj. Armiku ishte kudo, por dhe karbunarasit ishin vigjilentë, të gatshëm të ndihmonin e shoqëronin çetat a grupet partizane që vepronin përreth.
Sulmi mbi minierën e Selenicës
Më 21 shkurt 1943, ora 11 e natës, nën drejtimin e shokëve: Hysni Kapo e Mehmet Shehu, Çeta Plakë e Vlorës dhe Çeta Plakë e Mallakastrës (të ndihmuara nga populli i fshatrave: Karbunar, Rromës, Treblovë, Armen etj.) sulmuan e shkatërruan minierën e Selenicës, objekt me rëndësi strategjike për fashistët. Këtë prej vitesh e shfrytëzonte italiani Parodi. Ai nxirrte dhe eksportonte çdo vit rreth 15–20 mijë tonë bitum të pastruar. Miniera, që nga 21 shkurti deri më 1 prill 1943 u mbajt nga forcat partizane dhe populli. Aty u kapën dhe u pushkatuan dy sipërmarrësit italianë: Panigraci dhe Doraci, të cilët nuk linin rast pa ofenduar, gjobitur e ndëshkuar padrejtësisht punëtorët shqiptarë të minierës. Gjatë viteve që shfrytëzohej nga italianët, në galeritë e asaj miniere u vranë vëllai i Sadulla Dervishajt, Murati, si dhe babai i Xhevit Saliajt, Qazimi, e të tjerë nga Selenica e gjetkë. Më 23 shkurt u zu edhe posta e karabinierisë Treblovë. Për të vënë në vend autoritetin e tyre dhe për të rifilluar miniera punën, fashistët më 1 prill sulmuan Selenicën me 207 karabinierë, 18 ushtarë, 3 oficerë dhe 1 kolonel – komanduesi i kësaj trupe. Në bazë të informacionit të marrë, shtabi i dy çetave partizane mori në kohë masat. Këto trupa ndëshkuese, me gjithë teknikë e armatim, u shpartalluan brenda 30 minutave te përroi i Hotimës, pa hyrë në Selenicë. Gjatë këtij aksioni luftarak dha jetën partizani Xhevit Prenjo Xhaferaj nga Armeni .
8 prill 1943. Dërgon armiku në fshat gati 1000 ushtarë e karabinierë që të hakmerrej për disfatën. Fashistëve spiunët u kishin thënë që “në Karbunar janë prezente mjaft nga forcat që sulmuan Selenicën”. Kolonat fashiste kur panë që s’kishte forca partizane, tentuan të kalojnë Vjosën për në Mallakastër, duke menduar se nga krahu Kume – Bilagore nuk kishte partizanë. Mirëpo pa bërë disa hapa nëpër lumë, nga ana e përtejme krisi mitralozi dhe pushkët e çetës së Riza Jeminit në Drizar. Në këto kushte u kthyen, dogjën shtëpinë e Namik Xhafajt dhe grabitën ç’mundën. Sipas bisedës me Nasho Haxhirajn:
“Atë natë italianët i mblodhën gratë e fshatit në shtëpinë e Ferik Xhafajt (se burrat kishin ikur në pyjet rreth fshatit). Nëna ime, Ferideja, mbante në krah Hetemin – djalin e vogël disa muajsh – që ishte me temperaturë, mori një kandil vaji dhe shkoi tek Baba Iliazi për ta ndezur. Ajo nuk e dinte se italianët po kontrollonin shtëpi më shtëpi dhe u fsheh ku mundi në mekam. Kur mendoi se rreziku kishte kaluar, doli e shkoi jo rrugës, por nga kopshti, nga krahu i Rrëçelajt, me djalin në duar. Duke kapërcyer gardhin, një tel preku fëmijën dhe ai qau. Italianët e fshehur ferrave shtinë menjëherë në atë drejtim. Feridenë e mori një plumb në këmbë. Sakaq erdhi patrulla fashiste; kur panë që ishte nënë me fëmijë, e çuan edhe këtë në shtëpinë e Ferikut, ku qenë të tjerat. Aty e mjekoi një infermier. Të nesërmen italianët ikin nga fshati.”
Ikja e tyre kishte qenë mashtruese, sepse mbas 5 ditësh ata u rikthyen me qëllim ta shkatërronin si fshat dhe t’i shfarosnin banorët e tij. Nuk harrohen barbaria dhe raprezaljet e fashistëve italianë më 14 prill 1943. U vunë flakën e i dogjën pa dallim tërë shtëpitë e fshatit. Grabitën gjithçka: ushqime, plaçka shtëpie, pije alkoolike, bizhuteri, veshmbathje, drithë buke, bagëti etj., të cilat nuk mund të fshiheshin për shkak të befasisë së armikut. Gjatë këtij sulmi, populli i fshatit bëri çmos dhe u largua në pyjet e zonës Hekal, Mollaj, Drizar e ku mundi. Ky konfuzion pati edhe një viktimë. Në nxitim e sipër, duke qenë se lumi kishte mjaft ujë, fatkeqësisht u mbyt nënë Shazja, bashkëshortja e patriotit Dervish Hodaj. Ai, në kulmin e urrejtjes për pushtuesin, u thotë të bijve:“Mësoni se cili është fashizmi! Shkoni luftoni kundër tij, se ai mund të na mbysë të gjithë, po ulëm kokën!”. Është këtu vendi të theksojmë aktin e zgjuar të një karbunarasi të mençur, burrë me emër, që mori në sy rrezikun për jetën e tij e të familjes dhe çorientoi fashistët. Kur ata e pyetën: “Ku fillon fshati Karbunar?”. Neso Hysaj u përgjigj: “Është matanë kodrës, sepse kjo që shihni ju (Ruçajt), është e Balajt të Rromësit”. Kështu shpëtoi Ruçaj nga raprezaljet atë rast.
Kur u kthyen, burra, gra e fëmijë, djersën e mallin e gjetën të shkretuar. Por nuk u dorëzuan e nuk u ligështuan, urrejtja për shkaktarët u shumëfishua, duke iu përgjigjur flakë për flakë me luftë për çlirim.
Sipas raportit mbi dëmet e luftës, në Karbunar janë djegur 53 shtëpi nga 65 gjithsej, shpëtuan shtëpitë e Adem Skëndajt, Telo Manajt, Skënder Bazajt, Brahim Avdulajt, Meto Kasajt, Qatip Cenajt, e ndonjë tjetër që iu vu zjarri, por nuk u dogjën; u shua vetiu apo u ndodhën njerëz afër dhe e fikën. Siç e tha¬më, Ruçajt nuk u dogj.
Në 16 prill 1943, populli u mblodh për cermoninë e përurimit të Çetës Partizane të Krahinës në Trubull, atje ku sot ngrihet lapidari që përkujton këtë ngjarje (fig.34). Çeta më 27 prill, u pagëzua nga Qarkori (Hysni Kapo), me emrin e korifeut të Pavarësisë “Ismail Qemali”. Që ditën e parë u regjistruan 33 partizanë në radhët e saj, nga të cilët 13 ishin bashkëfshatarët tanë dhe të tjerët nga Rromësi, Treblova, Armeni, Koculi, Mallkeqi, Gërneci, Gorishti etj.






















