Beqir Sina: Savra si adresë kujtese!

77
Sigal

 

Libri “Rob: një biografi për dy kohë”

Në Muzeun Historik Kombëtar, më 8 shtator, u zhvillua promovimi i librit “Rob: një biografi për dy kohë”. Libri autobiografik përshkruan kohën që kam jetuar midis Shqipërisë dhe Amerikës, sikurse dhe vuajtjet përgjatë regjimit komunist.

Libri mendoj se është shkruar me gjithë seriozitetin e një njeriu dhe gazetari, që vuajti në komunizëm dhe që e gjeti në Amerikë lirinë që kishte ëndërruar, pa sforcime, sharje dhe ofendime, me shumë sinqeritet.

Ky libër është më tepër se sa një rrëfim i sinqertë për vetveten. Ai është një përmbledhje e disa mësimeve themelore për jetën dhe të vërtetat e saj. Shumë njerëz do të gjejnë aty porosi për të shkuarën dhe të ardhmen. Mbi të gjitha, mendoj se ky libri do e ndihmojë sado pak lexuesin të rigjejë respektin për veten, që tek shumë njerëz po humbet.

Nëpërmjet këtij libri jam munduar të tregojë se për lirinë dhe të vërtetën duhet luftuar. Motoja e këtij libri është ajo që këshillon njëri nga baballarët e Amerikës, Benjamin Franklin: “Njerëzit që janë gati të heqin dorë nga liria për hir të një sigurie afatshkurtër, nuk meritojnë as liri dhe as siguri”.

Pas martesës, lindja e djalit ishte gëzimi më i madh i jetës tonë në Savër. Altina dhe unë u lumturuam pa fund, sepse lindëm trashëgimtarin, që e dëshironte nëna dhe e dëshironim ne të gjithë. Djali ynë, Aveniri, lindi në Lushnjë më 20 korrik 1982, dy vjet pas martesës tonë, ndërsa vajza, Andromeda, lindi po në Savër tre vjet pas djalit. Këto janë gëzimet tona më të mëdha.

Ashtu si unë, edhe fëmijët e mi lindën në internim. Por ne me Avenirin nuk e menduam fare anën e zymtë të kësaj. U gëzuam, sepse lindi një trashëgimtar i yni. Nëna më thoshte shpesh: “Do të lësh një rrënjë në jetë, një pasardhës, që familja jonë të mbetet e të vazhdojë jetën”. Në Lushnjë linda unë. Në Lushnjë u varros gjyshja dhe vëllai im. Në Lushnjë u martua motra. Në Lushnjë nëna ime u bë gjyshe nga fëmijët e mi dhe të motrës. Në Lushnjë lindën edhe fëmijët e xhaxhait.

Savra, Gjaza, Grabiani, Pluku, Rrapëzi, fshati Kosovë dhe Çerma në rrethin e Lushnjës, si dhe ish kampet e internimit, në Fier dhe Vlorë, për nga përbërja intelektuale dhe fisnore, ishin dhe shërbyen si shkolla dhe universitete, për të gjithë ata, që u persekutuan dhe u internuan gjithë jetën për afro 50 vjet nën diktaturë. Në ato kampe që, për fat të keq, po zhduken një e nga një, edhe nga kujtesa, ishin vendet ku të paktën ne fëmijët, banorë të atyre kampeve, morëm më shumë dije e kulturë më shumë se në shkollat e komunizmit.

Ishin dhe janë të veçantë këta njerëz edhe sot në liri, sepse çdo gjë e bënë pa pyetur se nga vije, nga çfarë krahine ishe, pa pyetur kurrë nëse ishim myslimanë, katolikë, ortodoksë. Pa pyetur se sa larg apo sa afër ishim me njëri tjetrin. Pa pyetur sa e vështirë ishte të lidheshim dhe të krijonim familje me njëri tjetrin, atje në kampet përreth dhe në rrethe të tjera.

Të persekutuarit zgjodhën dhe u bënë shokë jete, edhe me djem e vajza nga ana tjetër e kampit, pa i pyetur ne ata dhe ata pa na pyetur ne. Së bashku krijuam një shoqëri, që shumë prej nesh e ruajmë edhe sot, megjithëse jemi larg gjeografikisht.

Savra e tre dekadave më parë, shtëpia dhe shkolla jonë, sot hesht prej erozionit të demokracisë, por edhe prej ikjes masive nga kampi i internimit. Hesht dhe i ka humbur ajo veçanti që kishte 29 vjet më parë. Savra dikur gumëzhinte. Megjithëse ishte kamp internimi dhe fshat, banorët e saj, në jetë, kulturë e veshje bënin jetë qyteti, madje kryeqyteti, siç e mendoja unë.

Kjo vinte nga vitaliteti i prindërve tanë dhe i të tjerëve, më të rinj se prindërit tanë, që trasmetonin diçka te fëmijët e internimit. Këta fëmijë të lindur në ato baraka, mblidheshin çdo ditë në dhomat e vogla që u bënë shkolla dhe universitete. Ato kampe internimi ishin bërë edhe banka të dijes me mësues prindërit tanë. Një pjesë e tyre kishin kryer shkollat dhe universitetet në Itali, Amerikë, Gjermani, Francë, Greqi, Jugosllavi, Turqi, Siri apo Egjipt.

Ata i kemi edhe sot të skalitur në kujtesën tonë. Tani kanë rrjedhur më shumë se tre dekada dhe vitet kanë bërë punën e vet, por njëri prej nesh ndezi një llambë dëshire, për t’u takuar e çmalluar dhe thirri një takim vjetor në Savër. Takimi u caktua javën e parafundit të gushtit, përvjetorin e largimit nga internimi. Idenë e solli Sofo Kuqeshi, i mbështetur nga Tefta Çapo – Mersini dhe Gëzim Baruti.

U bashkuam përsëri, megjithëse të paktë në numër, për shkak të largësisë, mundësive jo të mjaftueshme apo largimit nga kjo jetë. Takimi vjetor vazhdon të mbahet në Savër dhe ata po përpiqen ta shtrijnë edhe në ish vendet e tjera të internimit përreth.

U zgjodh gushti, sepse për ne shqiptarët ai është muaj i bekuar. Ai sjell dhe bashkon shumë shqiptarë, që janë larguar nga vendi i tyre në emigrim, por që kthehen në vendlindje.

Takimi u organizua me njoftime në të gjitha rrjetet sociale për të kujtuar 25 vjetorin e largimit masiv nga kampet e internimit. I përgjigjen me “po” ftesave të Kuqeshit, Çapos dhe Barutit dhjetëra ish të përndjekur politikë, që kaluan një jetë të tërë në ato baraka.

U bëmë bashkë spontanisht me ato dy a tre familje, që kishin mbetur në Savër, me ata që kanë shkuar në Lushnjë, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë, Sarandë, e gjetkë, dhe, disa të tjerë, erdhën nga Greqia e Italia, si dhe nga Amerika e Kanadaja e largët, për të ruajtur traditën.

Unë kam qenë shumë herë në Savër, sepse dua të takoj njerëz, të çmallem. Kur isha në vitin 2017 takova Sava Kuqeshin, këtë grua të drejtë dhe kurajoze që kaloi sa e sa vite në internim. Në vitin 1959 Savën e sollën në kamp kur ishte 47 vjeçe. Burrin ia kishin vrarë dhe ajo kishte 8 fëmijë. Kur e takova, nënë Sava ishte po ajo, e ulur në një karrocë invalidi me buzëqeshjen e përhershme në fytyrë. Kishte mbetur në Savër dhe ishte 105 vjeçe. Pak muaj më vonë mësova se kishte ndërruar jetë.

Nga malli, dashuria dhe respekti për njeri-tjetrin, për vuajtjen tonë të përbashkët tradita jonë e bukur duhet të vazhdojë. Të mos njohim ndarje pavarësisht çfarëdo pengese, largësie gjeografike apo edhe ndonjë “qejfmbetjeje” shoqërore apo familjare.

Të ndarë jemi tashmë gjeografikisht në çdo cep të Shqipërisë dhe globit, por le të bëhemi përsëri bashkë, në një ditë të gushtit. Të bëhemi bashkë aty ku lindëm dhe u rritëm, në shtëpitë tona, aty ku morëm “shkollën dhe universitetin tonë”, aty ku tani mbas 30 vjetëve ka mbetur ndonjë gërmadhë e atyre barakave të mjerimit, aty ku lindën e u rritën fëmijët e kampit të Savrës, aty ku jetuan prindërit tanë.

Sepse, edhe ato pak gjëra që kanë mbetur në Savër, janë ende gjurmët e vërteta. Megjithëse kanë kaluar tre dekada, në çdo prag të atij kampi, që quhej Savër, çdo njeri ka shumë për të treguar, sepse aty kanë jetuar njerëz me dinjitet dhe krenari.