Vitet e fundit, Klubi shumësportësh “Tirana”, po njeh një hov në cilësinë e sportistëve që garojnë në disiplina të ndryshme, të cilët kanë fituar trofe dhe tituj kombëtarë e ndërkombëtarë, si Luiza Gega, Kampione e Europës në Atletikë, apo mundësi Zelimkhan Abakarov, Kampion i Botës. Mbështetja për sportin nga Bashkia e Tiranës dhe Sport Klub Tirana, ka bërë që skuadrës t’i bashkohet edhe skiatorja e talentuar, Lara Colturi. Ajo u prit në një takim nga Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi talentin e saj dhe e siguroi për mbështetjen e bashkisë në vijim. “Lara është skiatorja jonë fantastike. Është shumë e re, vetëm 15 vjeç, por një talent i jashtëzakonshëm. Mezi pres që, jo vetëm si skiatore e klubit tonë të Tiranës, por edhe si dikush që vesh uniformën kuqezi, të na përfaqësojë në kompeticionet e ardhshme. Ne duam të jemi pjesë e suksesit tënd, edhe automatikisht suksesi yt është edhe suksesi ynë”, -u shpreh Veliaj. Nga ana e saj, skiatorja 15-vjeçare, është shprehur e lumtur për zgjedhjen që ajo dhe familja e saj kanë bërë, për të përfaqësuar Shqipërinë dhe Sport Klubin Tirana. Ajo do të jetë edhe pjesë e grupit të punës për marrjen e titullit “Tirana, qyteti Evropian i Sportit 2023”.




















