Eksperti: Zbrazën kasdakën, 190 mln euro abuzim me çmimin e energjisë eletrike!
Eksperti Eduard se ka një keqmenaxhim të theksuar në sektorin e energjisë elektrike nga qeveria. Elezi u shpreh se kemi blerë shtrenjtë dhe kemi shitur lirë në të njëjtën kohë energjinë elektrike. Ai theksoi se s’ka asnjë prononcim nga enti rregullator, ndërsa shtoi se kemi një abuzim 190 milionë euro me çmimin e energjisë. “Ka një keqmenaxhim. KESH ka shitur dhe ka zbrazuar të gjithë kaskadën dhe OSHEE ka blerë. Diferenca ka qenë mbi 100 euro për megavat. KESH ka shitur me 50, OSHEE ka blerë me 180-200 euro në kohë të njëjtë. S’ka asnjë prononcim nga enti rregullator. Kemi abuzim 190 milionë euro me çmimin e energjisë. Të ketë transparencë nga operimi i kompanive.”-tha Elezi.
Akti normativ me të cilin qeveria ndryshoi së fundmi buxhetin e vitit 2022 shkurtoi me rreth 16 miliardë lekë (131 milionë euro) fondet për institucionet dhe programet e shpenzimeve publike që nga infrastruktura, arsimi, mbrojtja, etj.Tabelat e Ministrisë së Financave tregojnë se shkurtimet përfshijnë të gjitha shpenzimet publike dhe institucionet e administratës në të gjitha programet, por më së shumti janë reduktuar fondet për infrastrukturën, kryesisht investimet në rrugë dhe ujësjellës. Në total, shpenzimet për ministritë e linjës dhe entet buxhetore do të jenë 352 miliardë lekë, sipas ndryshimeve të fundit nga 368.4 miliardë lekë, që ishin programuar në buxhetin fillestar, me një reduktim 4.4%. Siç shihet nga të dhënat e Ministrisë së Financave, reduktimi më i madh i shpenzimeve është bërë ndaj Ministrisë së Infrastrukturës, fondet për të cilën janë shkurtuar me 9.4% ose rreth 4,4 miliardë lekë. Reduktimi më i lartë u bë në zërin, “Furnizimi me Ujë- Kanalizime” me 3 miliardë lekë ose 21% në krahasim me buxhetin fillestar. Gjithashtu fondet për transportin rrugor u shkurtuan me 1,3 miliardë lekë, ose 5.5% e programit fillestar. Fondet e Ministrisë së Bujqësisë u shkurtuan me 5.5% ose 699,7 milionë lekë, kur shihet se janë përgjysmuar fondet për peshkimin, të cilat me ndryshimet në aktin normativ kanë arritur në 327 milionë lekë, nga 702 milionë lekë të programuara në buxhetin fillestar.
Të gjithë zërat e shpenzimeve të Ministrisë të Bujqësisë kanë pësuar ulje, përfshirë zhvillimin rural dhe sigurinë ushqimore, ujitjen, kullimin etj.
Buxheti për aparatin e Ministrisë së Financave u shkurtua me 1,6 miliardë lekë ose 13 milionë euro, ku reduktimet më të mëdha janë bërë për pagesën e sigurimeve shoqërorë me 730 milionë lekë (6 mln euro) dhe mbështetja për zhvillimin ekonomik, me një reduktim të fondit me 41%, ose 418 milionë lekë. Shkurtimet përfshinë edhe Ministrinë e Arsimit, me mbi 1,6 miliardë lekë (13 mln euro) ose 3.6% e parashikimit në buxhetin fillestar. Shpenzimet për Arsimin Universitar pësuan shkurtimin më të madh me mbi 5.5%, ose 600 milionë lekë, fondet për arsimin bazë u reduktuan me 3% ose 756 milionë lekë dhe fondet për arsimin e mesëm u shkurtuan 3% ose 278 milionë lekë.Më pak shkurtime u aplikuan për Ministrinë e Shëndetësisë, me vetëm 0.46% të buxhetit fillestar. Për Ministrinë e Mbrojtjes, reduktimet ishin të larta gjithashtu me rreth 1,8 miliardë lekë, ose 5.6% e programit fillestar. Programi i “Mbështetjes së Luftimit” u reduktua me 12% ose rreth 8 milionë euro, fondet për emergjencat civile u reduktuan me 26% ose rreth 9 milionë euro dhe fondet për forcat e luftimit u reduktuan me rreth 3 milionë euro, ose 3.8%. Fondet e kursyera janë vënë në dispozicion të blerjes së energjisë, për shkak se rezerva hidrike në vend po mbaron tërësisht.






















