Flakët shkrumbojnë banesën e Klodian Çalamanit, ja ç’thotë policia në informacionin zyrtar

294
Sigal

FIER- Ka marrë flakë ditën e sotme banesa e 38-vjeçarit Klodian Çalamani, i cili pak javë më parë ka dhunuar dhe më pas ka vrarë 8-vjeçarin Mateo Vasiu.

Teksa pritej një informacion më i detajuar, policia në dy fjali shkurt vetëm ka konfirmuar zjarrin pa dhënë asnjë detaj më tepër. Ndër të tjera në informacionin zyrtar thuhet se është duke punuar për zbardhjen e plotë të shkaqeve.

“Në fshatin Grecalli, Fier, ka marë flakë dhe është djegur pjesërisht banesa e shtetasit K. Ç., 38 vjeç. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit”, tha policia në një informacion të shkurtër për ngjarjen.

Nuk dihet ende nëse kjo është një hakmarrje e familjarëve të Mateos apo zjarr aksidental.

Kujtojmë që banesa e Çalamanit është shumë pranë prindërve të viktimës së mitur.